Edhe pse është nëntor, qyteti i Durrësit vijon të mirëpresë turistë të shumtë. Vizitorë nga vende të ndryshme të botës kanë zgjedhur vjeshtën e vonë për të shijuar klimën e butë, qetësinë, bukuritë natyrore, trashëgiminë historike të qytetit antik, por edhe çmimet e lira.
Ndërsa një pjesë e bizneseve sezonale mbyllen pas sezonit veror, përgjatë shëtitores bregdetare “Taulantia”, restorantet dhe baret mbeten të hapura për të ofruar shërbim dhe shijen e gatimeve tradicionale të zonës dhe veçanërisht produktet e freskëta të Adriatikut.
Megjithëse jo në kulmin e sezonit, turistët që vijnë në këtë muaj gjejnë në Durrës një përvojë të veçantë, një kombinim të trashëgimisë kulturore me mikpritjen shqiptare dhe motin e ngrohtë që të lejon të lahesh edhe në det.