Shkruan: ZHARKO TRAJANOSKI
Polarizimi është theksuar vazhdimisht si një nga problemet më të mëdha në vend,[i] dhe konstatimet, paralajmërimet dhe rekomandimet për adresimin e problemit të polarizimit shoqëror, politik, mediatik dhe etnik mund të lexohen në raporte të ndryshme relevante për Maqedoninë e Veriut.
Instituti për Media dhe Analitikë IMA ka detektuar polarizim në baza etnike[ii], si para debatit për amendamentet kushtetuese në vitin 2023,[iii] ashtu edhe në kuadër të debatit për ndryshimet kushtetuese të iniciuara,[iv] të cilat u vendosën si kusht për vazhdimin e negociatave me BE-në. Në vjeshtën e vitit 2023, IMA vuri në dukje publikisht fushatat e dëmshme me narrativa propagandistike që “forcojnë frikën, mosbesimin dhe ndezin pasionet etno-nacionaliste, jo vetëm midis maqedonasve etnikë, por edhe midis pjesëve të tjera të popujve në Maqedoninë e Veriut, madje edhe më gjerësisht në Ballkan”.[v]
Narrativat etnocentrike që nxitën polarizimin etnik dhe ndezën pasionet etno-politike ishin gjithashtu një tipar i dallueshëm në vitin 2024, veçanërisht në kontekstin e fushatës për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it detektoi jo vetëm “polarizim dhe fragmentim të fuqishëm politik“, por edhe “polarizim të dukshëm përgjatë vijave politike dhe etnike”.[vi] OSBE/ODIHR bëri me dije publikisht se gjatë fushatës kishte vërejtur “raste të retorikës diskriminuese, duke përfshirë përdorimin e parullave nacionaliste, si dhe disa raste në të cilat veprimet e partive politike ishin të përziera me ato të komuniteteve etnike”.[vii]
Edhe Instituti për Media dhe Analitikë IMA në vitin 2024 detektoi një thellim të polarizimit politik dhe etnik, përmes përdorimit të narrativave të dëmshme propagandistike, të cilat jo vetëm që ndezin pasionet etno-nacionaliste, por edhe nxisin diskriminimin dhe urrejtjen në baza etnike, nacionale dhe politike. Në këtë analizë do të japim disa shembuj karakteristikë të narrativave etnocentrike, të cilat kanë qenë pjesë e komunikimit publik dhe mediatik para, gjatë fushatës dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në vitin 2024 dhe që kanë kontribuar në thellimin e polarizimit etnik në vend.
1. Polarizimi etnik me narrativën e maqedonasve etnikë si “qytetarë të rendit të dytë” në “shtetin e tyre”
Narrativa politiko-propaganduese se maqedonasit etnikë janë “qytetarë të rendit të dytë në shtetin e tyre” është ushqyer me vite në komunikimin publik nga disa subjekte politike, duke përfshirë parti dhe politikanë me orientim të qartë pro-rus. Për shembull, Janko Baçev, kreu i partisë “Edinstvena Makedonija (“Maqedonia e Bashkuar”, e quajtur sipas “Rusisë së Bashkuar” të Putinit), në vitin 2022 pohonte se “në Maqedoninë me shumicë maqedonase dhe ortodokse, ne maqedonasit jemi bërë të huaj dhe qytetarë të rendit të dytë”.[viii] Për vite të tëra, Baçev dhe partia e tij drejtuan porosi se maqedonasit janë “të huaj dhe qytetarë të rendit të dytë në shtetin e tyre”, e porosi të ngjashme u drejtuan nga parti dhe politikanë të tjerë pro-rus.[ix]
Në zgjedhjet e vitit 2024, propagandistët pro-rusë në mënyrë eksplicite i shpallën shqiptarët në Maqedoni si qytetarë të rendit të parë dhe maqedonasit si “qytetarë të rendit të dytë në shtetin e tyre nacional”[x].
Narrativa politiko-propaganduese se maqedonasit etnikë janë “qytetarë të rendit të dytë në shtetin e tyre” është ushqyer edhe më parë nga VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Hristijan Mickoski, dhe njihej si një nga narrativat kryesore politike në fushatën për zgjedhjet e dyfishta në vitin 2024. Për shembull, qysh në vitin 2019, Mickoski në mënyrë eksplicite theksoi se te maqedonasit etnikë mbizotëron ndjenja se ata janë “qytetarë të rendit të dytë në shtetin e tyre”. [xi] Duke agjituar në zonat ku jetojnë kryesisht maqedonas etnikë, VMRO-DPMNE dhe Mickoski vazhdimisht drejtonin porosi se maqedonasit etnikë ishin qytetarë të rendit të dytë (edhe pse rregullisht paguanin faturat dhe taksat), dhe se shqiptarët etnikë ishin të privilegjuar. Për shembull, në një fjalim në korrik të vitit 2023 në Vevçan (komuna më e vogël me 2359 banorë, sipas regjistrimit të vitit 2021), ku jetojnë kryesisht maqedonas etnikë, Mickoski nxiste pasionet etnike me narrativën e “qytetarëve të rendit të dytë”, duke pretenduar se qytetarët e Sllupçanit, ku jetojnë kryesisht shqiptarë etnikë, ishin të privilegjuar, edhe pse atje jetojnë më shumë qytetarë dhe nuk e kanë komunën e tyre.[xii] Një narrativ i tillë etnocentrik për qytetarët e rendit të parë dhe të dytë, i cili i përgjithësonte, i ndante dhe i vinte në kundërshtim qytetarët e Vevçanit (si qytetarë të rendit të dytë) me qytetarët e Sllupçanit (si qytetarë të rendit të parë), ndezte pasionet etno-nacionaliste dhe thellonte polarizimin etnik dhe politik.
Në fushatën e VMRO-DPMNE-së në vitin 2024, kjo narrativë etnocentrike u zgjerua dhe u mbindërtua me pretendimin se jo vetëm që maqedonasit ishin qytetarë të rendit të dytë, por ese të tillë ishin të gjithë qytetarët e tjerë, pa dallim etnie, e që nuk ishin pjesë e elitës qeverisëse të LSDM-së dhe BDI-së
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski që në konventën e partisë më 30.03.2024 ka tentuar të distancohet se “sulmi ndaj BDI-së nuk është kurrë sulm ndaj shqiptarëve, por sulm ndaj krimit që ata përfaqësojnë dhe avokojnë”, duke akuzuar ashpër BDI-në se dëshiron ta shkatërrojë Maqedoninë, si në vitin 2001.[xiii]
Edhe në tubimin para qeverisë më 04.04.2024, Mickoski përdori narrativën se “maqedonasit janë qytetarë të rendit të dytë”, në formë të zgjeruar dhe të mbindërtuar, duke shënjestruar liderin e LSDM-së dhe “shërbëtorët e LSDM-së” sepse “ shtetin ia dhuroi Ali Ahmetit edhe atë në pjatë”.[xiv]
Megjithatë, përkundër faktit se narrativa e “qytetarëve të rendit të dytë” u zgjerua e u mbindërtua dhe u përdor kryesisht në fushatën e VMRO-DPMNE-së për të shënjestruar BDI-në, [xv]politikanët nga BDI, [xvi] nga LSDM [xvii]dhe disa analistë, nuk e perceptuan atë si “qytetare”, [xviii] por si një narrativë etno-nacionaliste. Mes tjerash, edhe për shkak të nëntekstit,[xix] si dhe për shkak të historisë së mëparshme të përdorimit të saj si instrument për mobilizimin etno-nacionalist, dhe për shkak të mesazheve implicite që ushqenin ndjenjat etno-nacionaliste te maqedonasit etnikë.[xx]
Përveç kësaj, narrativa për maqedonasit etnik si qytetarë të rendit të dytë u përdor edhe nga kandidatë dhe parti të tjera gjatë fushatës zgjedhore, si narrativë për mobilizimin etno-nacionalist. Për shembull, kandidatja për presidente nga partia E Majta, Biljana Vankovska, shprehimisht në fushatë dha deklaratë se “nacionalizmi maqedonas është në defensivë, ne po bëhemi qytetarë të rendit të dytë në shtetin tonë”,[xxi] pas së cilës E Majta dërgoi mesazhin “Pse etiketohet nacionalizmi maqedonas si diçka e keqe”. [xxii] Fushata e Vankovskës me pretendimin se “maqedonasit ndjehen si qytetarë të rendit të dytë” ishte në kontekstin e sloganit të saj “Maqedonia është gjithçka që ne nuk e kemi” [xxiii] dhe ofertës së saj për të ndërprerë tre marrëveshjet, të cilat sipas saj poshtërojnë qytetarët maqedonas – Marrëveshja e Ohrit, e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë.[xxiv]
Një nga mesazhet kryesore të liderit të partisë E Majta, Dimitar Apasiev, ishte mesazhi etnocentrik se “me Të Majtën maqedonasi nuk është më dhe nuk do të jetë më inferior në vendin e tij”, [xxv] i cili ishte pjesë e një videoje të publikuar në rrjetet sociale, e cila vetëm në faqen e partisë E Majta në Fejsbuk kishte mbi 1.1 milionë shikime.
Edhe lideri i ZNAM-it dhe kandidat për president, Maksim Dimitrievski në fushatë drejtoi porosi etnocentrike, se te maqedonasit është krijuar ndjenja se janë qytetarë të rendit të dytë, [xxvi] se janë bërë qytetarë të rendit të dytë [xxvii] dhe se ai nuk do lejojë maqedonasit të jenë qytetarë të rendit të dytë në vendin e tyre. [xxviii] Gjatë fushatës, Dimitrievski u përpoq të mobilizonte votues duke pretenduar se pjesëtarët e popullit maqedonas duhet të jenë “qytetarë të rendit të parë”.[xxix]
Edhe pse narrativa etno-nacionaliste për maqedonasit si qytetarë të rendit të dytë, e përdorur në fushatat kundër BDI-së, u “demantua” edhe nga përfaqësuesit e BDI-së,[xxx] ose u shpjegua me shprehjen “paragjykime në komunitetin maqedonas”,[xxxi] megjithatë, disa prej tyre nuk e fshehën se “nacionalizmi lind nacionalizëm” dhe se kjo i kontribuon mobilizimit partiak edhe në BDI.[xxxii] Mobilizimi partiak me brohoritjet “UÇK”, të cilësuara nga Ali Ahmeti si “të natyrshme”,[xxxiii] si dhe përballja personale e Ahmetit (i cili kujtoi se ka hyrë në politikë si “kryengritës”) [xxxiv] dhe Mickoskit, padyshim e thelluan polarizimin etno-politik. Këtë e dëshmojnë reagimet e ashpra politike ndaj deklaratave të Ahmetit[xxxv], të perceptuara si kërcënime[xxxvi]
Mirëpo, ndryshe nga shpërthimet militante etno-nacionaliste[xxxvii] dhe ndezja e tensioneve ndëretnike ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së (që u interpretua edhe nga LSDM-ja si përpjekje për të mbledhur vota politike[xxxviii]), pas zgjedhjeve, narrativa për “qytetarë të rendit të dytë” mori një konotacion krejt tjetër.[xxxix] Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të ri të Kuvendit, pasi Mickoski mori mandatin për formimin e qeverisë, narrativa e “qytetarëve të rendit të dytë” sikur e humbi dimensionin e saj etnik.[xl]
Shkurtimisht, narrativa propagandistike për “qytetarët të rendit të dytë”, nga një narrativë e pastër etno-nacionaliste (“Maqedonasit janë praktikisht qytetarë të rendit të dytë” – Mickoski në vitin 2019), u transformua gradualisht gjatë fushatës, kështu që pas zgjedhjeve mori formën e një narrative në dukje “qytetare” (“që të mos ketë qytetarë të rendit të parë dhe të dytë…” – Mickoski, si mandatar).
Padyshim, gjatë fushatës zgjedhore, disa aktorë politikë e instrumentalizuan mediatikisht dhe politikisht narrativën etno-nacionaliste se maqedonasit si popull shumicë janë poshtëruar, nënshtruar dhe të reduktuar në qytetarë të rendit të dytë “në shtetin e tyre”. Një narrativë e tillë kontribuoi në nxitjen e pasioneve etno-nacionaliste dhe thellimin e polarizimit politik dhe etnik. Fatkeqësisht, në këtë kontribuuan edhe një sërë mediash, të cilat duke përcjellë dhe theksuar mesazhet etnonacionaliste në mënyrë jokritike, ato vetë dhanë kontribut në rritjen e polarizimit etnik dhe shoqëror.
2. Narrativat politiko-propaganduese kundër “shqiptarizimit” dhe “kosovizimit”, kundër “ballistëve” dhe “neoballistëve”
Narrativat ndezëse etno-nacionaliste kundër “shqiptarizimit” u instrumentalizuan nga faktorët politikë pro-rusë në vend, si para, e veçanërisht pas formimit të qeverisë së koalicionit LSDM-BDI. [xli] Ndoshta shembulli më i qartë i të gjuhës nxitëse që përmban teori konspirative të “shqiptarizimit të plotë” është një nga narrativat e partisë pro-ruse “Rodina” .[xlii]
Akuzat për “shqiptarizim të shtetit” nuk u drejtuan vetëm ndaj LSDM-së në pushtet, por edhe ndaj BDI-së dhe zyrtarëve të saj, nga partnerët e koalicionit të VMRO-DPMNE.[xliii] Akuzat nxitëse se LSDM në pushtet lejoi “shqiptarizimin e plotë të shtetit” u përforcuan nga mediat që favorizonin VMRO-DPMNE-në dhe partnerët e saj të koalicionit në fillim të vitit 2024.[xliv]
Për dallim nga partnerët e koalicionit, para dhe gjatë fushatës, partia VMRO-DPMNE nuk e përdorte termin “shqiptarizim” por “DUI-zim” (BDI-zim).[xlv] Pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si shqiptar i parë etnik kryeministër në vend, VMRO-DPMNE akuzoi LSDM-në në pushtet dhe liderin e saj për “shkatërrimin e plotë të Maqedonisë”.[xlvi] Përkundër faktit se lideri i VMRO-DPMNE-së publikisht distancohej se “sulmi ndaj BDI-së nuk është sulm ndaj shqiptarëve” kur foli kundër “BDI-zimit apo më saktë kriminalizimit të shtetit”,[xlvii] mbetet e hapur pyetja nëse me narrativën kundër “BDI-zimit” u trajtuan në mënyrë pragmatike frikësimet imagjinare të maqedonasve etnikë për “shqiptarizimin” e Maqedonisë dhe humbjen e shtetit.[xlviii]
Narrativa më eksplicite kundër “shqiptarizimit” u përdor nga E Majta. Në periudhën parazgjedhore, E Majta vazhdoi të përdorte narrativa nxitëse kundër “shqiptarizimit”, “kosovizimit”, kundër “ballistëve” dhe “neoballistëve”, si pjesë e strategjive të komunikimit mobilizues. Strategji të tilla u përdorën nga E Majta edhe më parë – kundër “qeverisë balliste-vërhoviste”,[xlix] kundër “ministrit ballist të drejtësisë” dhe Gjykatës Kushtetuese si ” vëzhguese memece e demaqedonizimit ballist” (me gjuhë urrejtjeje kundër presidentes), [l]kundër “ringjalljeve balliste” pas debatit parlamentar për ndryshimet kushtetuese.[li]
Me përparimin e fushatës së 2024-ës, u bënë edhe përpjekjet e partisë E Majta për mobilizimin etno-nacionalist përmes narrativave kundër “shqiptarizimit” dhe “kosovizimit”, kundër “ballistëve” dhe “neoballistëve”. Që në fillim të vitit 2024, E Majta (Levica) u promovua si parandaluese e “shqiptarizimit kontrabandues” të institucioneve shtetërore dhe aplikimit të “Ligjit për përdorimin e gjuhëve”.[lii] Më 17 shkurt 2024, duke shpërndarë lajmin “Me intonimin e himnit kombëtar shqiptar, në ditën e pavarësisë së Kosovës, partitë opozitare nga blloku shqiptar nënshkruan Deklaratën e Bashkimit ”, lideri i partisë E Majta, Dimitar Apasiev postoi një status në Fejsbuk “Vota për DPMNE-në është votë për SHQIPTARIZIMIN e Maqedonisë!”, me hashtag “#КоалиционитеПартнери ” (partnerët koalicionues). Me narrativa nxitëse kundër “ballistëve”, E Majta sulmoi kryetarët e komunave në Tetovë[liii] dhe Kumanovë, duke dërguar mesazhin se “bashkëjetesa me ballistët nuk ka pasur e as nuk do të ketë”. [liv] Gjatë fushatës, përfaqësuesit e partisë E Majta bënë fushatë edhe kundër “shqiptarizimit të popullit turk në Maqedoni” dhe “komuniteteve të tjera më të vogla të kombësive”.[lv] Lideri së Majtës nga Velesi akuzoi rivalët politikë LSDM dhe VMRO-DPMNE se “pushteti i tyre është UÇK-ja, ata që shkarravitën mbi punëtorët tanë mavrovas”.[lvi]
Edhe “platforma maqedonase” e së Majtës etnonacionaliste u promovua në media si mburojë për “shantazhimin nga partitë neoballiste” dhe “shantazhimin nga ballistët”,[lvii] përkundër “platformës së Tiranës” (të BDI-së dhe VLEN-it).[lviii] dhe “Platformës së Sofjes” (të LSDM-së dhe DPMNE-së).[lix] Një nga mesazhet kryesore të liderit të partisë E Majta, Dimitar Apasiev, i cili u bë viral në rrjetet sociale,[lx] ishte se “Hyrja e së Majtës në Kuvend me një numër më të madh deputetësh do të nënkuptonte digë kundër të gjitha politikave të dëmshme të kosovarizimit dhe bullgarizimit i shtetit!”. Një nga videot më të shikuara të postuara nga Apasiev në faqen e tij në Fejsbuk është me një mesazh kundër “shovinizmit të shqiptaromadh”, karshi pjesëve nga tubimi i BDI-së ku Ahmeti thërret “UÇK, UÇK”.[lxi]
Edhe pas zgjedhjeve, E Majta vazhdoi me mesazhe nxitëse, kundër “ballistëve” dhe “ballizmit” te shqiptarët[lxii] dhe kundër “retorikës neoballiste të partive politike të të ashtuquajturit “blloku shqiptar”.[lxiii] Kreu i kësaj partie, Apasiev, e sulmoi hapur VLEN-in si “neoballistë” që luajnë në kartën e “Shqipërisë së Madhe”.[lxiv]
Para votimit për kryetarin e ri të Kuvendit, lideri i partisë E Majta deklaroi publikisht se gjashtë deputetët e tyre do të mbështesnin “që shqiptari të mos jetë kryetar i Kuvendit” dhe i dha publikisht “mbështetje pakusht” Mickoskit, me mesazhin, “vetëm që parlamenti maqedonas të mos kosovarizohet sërish”.[lxv] Disa media kanë raportuar edhe për akuzat e Apasievit se Afrim Gashi ishte “neoballist” dhe “maqedonofob”.[lxvi] Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, E Majta akuzoi se “Sot platformën e Tiranës e shpërblyem me platformën KOSOVARE” dhe “Neoballistët e BDI-së i zëvendësuam me neoballistët e VLEN-it”.[lxvii] Akuzat nxitëse të Apasievit ndaj Mickoskit se “është në anën e kosovarizimit të parlamentit maqedonas”,[lxviii] dhe narrativa e partisë E Majta kundër “kosovizimit” u përforcuan jo vetëm nga mediat maqedonase, por edhe nga ato serbe. Për shembull, “Politika” serbe publikoi titullin “Maqedonia e Veriut kërcënohet me ‘kosovizim’”, duke pohuar se koalicioni VLEN e kishte shpallur Kurtin “presidentin e të gjithë shqiptarëve në Kosovë”, duke e lidhur Kurtin me idenë e “Shqipërisë së madhe”.[lxix]
Levica e intensifikoi narrativën ndezëse kundër “strukturave neoballiste në Maqedoni”, duke i akuzuar se kanë mbështetjen e “patriotëve” të DPMNE-së për shkatërrimin e plotë të shtetit maqedonas dhe çojnë drejt federalizimit të tij territorial dhe gjuhësor me qëllimin përfundimtar – ringjalljen e krijimit fashist: Shqipëria e Madhe.”[lxx] Narrativa të tilla nxitëse dhe teori konspirative për shkatërrimin e shtetit maqedonas dhe për “Shqipërinë së Madhe”, që shënjestronin shumicën e re parlamentare, thelluan edhe më tej polarizimin etnik dhe politik.
3. Narrativat etno-nacionaliste për marrëveshjet me Greqinë, Bullgarinë, “Propozimin francez” dhe “kornizën e negociatave” me BE-në
Edhe në vitin zgjedhor 2024, në mediat maqedonase dhe në komunikimin publik, vazhdoi trendi i përhapjes së narrativave etno-nacionaliste me mesazhe frikësuese dhe kërcënime imagjinare[lxxi] në lidhje me popullin maqedonas, gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas, të cilat nxitën ndjenjën e rrezikut tek maqedonasit etnikë dhe polarizim etnik. Në vitin 2022, IMA veç më vuri në dukje se narrativat me dezinformim, frikësim dhe teori konspirative për identitetin maqedonas dhe popullin maqedonas pas “propozimit francez”, “ngritën panik nacionalist, nxitën pasionet etnike, nxitën urrejtje dhe jotolerancë ndaj BE-së dhe Bullgarisë dhe ndarje të mëtejshme të brendshme të linjës “patriotë” dhe “tradhtarë”.[lxxii] Gjithashtu, në vitin 2023, IMA vuri në dukje narrativat etno-nacionaliste, të cilat ringjallën dezinformatat e vjetra dhe teoritë e konspiracionit për “gjenocidin” dhe “etnocidin” ndaj popullit maqedonas,[lxxiii] si dhe teoritë e konspiracionit për “bullgarizimin” dhe dezinformatat për gjuhën maqedonase dhe historinë në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese.[lxxiv]
Në kuadër të zgjedhjeve të vitit 2024, do të japim vetëm disa shembuj të narrativave etnocentrike që lidhen me “propozimin francez”, kornizën negociuese me BE-në dhe ndryshimet kushtetuese, si dhe narrativat për “demaqedonizim” dhe “bullgarizim”, të cilat kanë kontribuar në thellimin e polarizimit etnik. Edhe mesazhet etnocentrike kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë, në radhë të parë nga e djathta “patriotike”,[lxxv] kontribuuan në mobilizimin, homogjenizimin dhe polarizimin etnik.
Narrativet etno-nacionaliste kundër “propozimit francez”, të cilat u përforcuan edhe nga mediat, ishin pjesë integrale dhe thelbësore edhe e fushatës politike të vitit 2024. Për shembull, TV Alfa, në një kronikë të posaçme kundër “propozimit francez”, e cilësoi atë si një propozim “me të cilin bullgarët u bënë edhe kusht për Bashkimin Evropian”,[lxxvi] ndërsa disa media, si Nova Makedonija, e quajtën atë ” Propozimi franko-bullgar”[lxxvii] ose “propozimi bullgar”.
Gjatë fushatës, Mickoski ka dërguar mesazh se me “propozimin francez” Maqedonia është poshtëruar, se me të është bllokuar “rruga e integrimit evropian të Maqedonisë”[lxxviii] dhe ka akuzuar qeverinë se e ka distancuar Maqedoninë nga BE-ja duke pranuar “Propozimin francez”.[lxxix] Kandidatja për presidente nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska – Davkova, ia kujtoi kundërshtarit Pendarovski se fillimisht kishte thënë se “propozimi francez” duhet të refuzohet, por ai nuk ka mbetur në qëndrimit të tij.[lxxx] Në programin e saj “Maqedonia përsëri krenare”, Siljanovska-Davkova pohon se “Negociatat me BE-në vetëm janë hapur por nuk kanë filluar”, se ” po na imponohet identiteti maqedonas verior” dhe se “përdorimi i gjuhës maqedonase dhe emërtimi i saj në korniza ndërkombëtare, na është kontestuar”.[lxxxi]
Lideri i ZNAM-it dhe kandidati presidencial Maksim Dimitrievski pohoi se “propozimi francez” përmban thelbin e rezolutës bullgare me të cilën “ne jemi të mohuar si popull, komb, gjuhë, identitet, vazhdimësi”.[lxxxii]
E Majta e sulmoi VMRO-DPMNE-në sepse është “në koalicion me një parti që tashmë e ka pranuar propozimin francez”.[lxxxiii] Kandidatja e partisë E Majta për presidente, Biljana Vankovska, akuzoi “pakurrizorët në qeverinë maqedonase” për “propozimin francez”,[lxxxiv] dhe në programin e saj pohoi se “i ashtuquajturi propozimi francez, pra korniza negociuese… e vendos shtetin jo vetëm në një pozitë të varur, por edhe të poshtëruar”, dhe se “në kushte të tilla, rruga jonë drejt anëtarësimit të plotë është një rrugë e vetëshkatërrimit”.[lxxxv] Vankovska i cilësoi “Marrëveshjet e Prespës dhe Bullgarisë” si “marrëveshje kolonizimi”, si ” marrëveshjet e elitave maqedonase kompradore që na shitën si në treg bagëtish, na hoqën identitetin dhe dinjitetin”.[lxxxvi] Lidhur me Marrëveshjen e Prespës, Vankovska ka pohuar shprehimisht se “ne kemi vendosur t’i japim mbrojtje juridike një marrëveshjeje që na zhvlerëson si popull, si identitet, si komb”.[lxxxvii]
Me narrativa të tilla politike kundër “propozimit francez” dhe marrëveshjeve me fqinjët, nga njëra anë u ushqye frika dhe u përhap paniku për anulimin e popullit, identitetit dhe kombit maqedonas. Nga ana tjetër, narrativat e tilla rritën polarizimin etnik, në funksion të mobilizimit etno-partiak.
4. Narrativat për bullgarizim, “diktat bullgar”, demaqedonizim
Narrativat kundër “bullgarizimit”, që ishin narrativat politike dominuese të disa partive opozitare pas “propozimit francez”[lxxxviii] dhe hapjes së negociatave me BE-në, u bënë pjesë karakteristike e diskursit politik dhe mediatik në vitin zgjedhor 2024.
VMRO-DPMNE-ja opozitare, e cila kultivoi narrativë politike kundër “bullgarizimit” gjatë “propozimit francez” në vitin 2022, e transformoi narrativën kundër ndryshimeve kushtetuese në vitin 2023 kryesisht duke përdorur shprehjen “diktati bullgar”. Edhe gjatë fushatës së vitit 2024, VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Mickoski vazhduan të dërgojnë mesazhe se “nuk mund ta pranojmë diktatin bullgar” dhe “nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar”.[lxxxix]
Në kushte kur VMRO-DPMNE hoqi dorë nga shprehja polarizuese “bullgarizim” në komunikim, E Majta e pa shansin e saj politik për të promovuar veten si parti e vetme që ishte kundër “bullgarizimit të Kushtetutës”.[xc] Edhe “platforma maqedonase” e partisë E Majta u promovua, ndër të tjera, si platformë kundër “bullgarizimit të shtetit”.[xci]
Megjithatë, edhe pse shumica e partive pjesëmarrëse në protestat kundër “propozimit francez” në vitin 2022 u përmbajtën nga përdorimi i termit “bullgarizim”, narrative polarizuese që nxisnin ndjenjat e rrezikut të asimilimit dhe bullgarizimit[xcii] ishin të dukshme në media dhe komunikimin publik gjatë fushatës (para)zgjedhore.
Për shembull, nga këndvështrimi etnocentrik, në një media që tradicionalisht promovon dhe forcon pikëpamjet e VMRO-DPMNE-së, pas raundit të parë, presidenti Stevo Pendarovski u akuzua për “bullgarizim stupid të Dellçevit, babait të kombit”, ndërsa partia që e mbështeti nxihej si “anti-maqedonase”.[xciii] Nga perspektiva etnocentrike, shqiptarët në krye të MPJ-së u akuzuan edhe për lehtësimin e “ bullgarizimit të maqedonasve” nga ekspertë që përfaqësojnë tradicionalisht pikëpamje të afërta me VMRO-DPMNE-në.[xciv] Gazeta Nova Makedonija, çerdhe e narrativave etnocentrike,[xcv] vazhdoi të botojë analiza kundër marrëveshjes “bullgare”, e cila bëri “bullgarizimin”, si para, ashtu edhe pas zgjedhjeve.[xcvi]
Krahas narrativave etnocentrike që paralajmëronin rrezikun e “bullgarizimit” dhe asimilimit, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, në media mund të detektohen edhe narrativa polarizuese që paralajmëronin rrezikun e “demaqedonizimit”. Për shembull, narrativat etno-nacionaliste dhe anti-globaliste për “rrezikun real të demaqedonizimit dhe dehumanizimit të mbarë kombit” ishin tema e propaganduesve pro-rusë dhe teoricienëve të konspiracionit gjatë fushatës.[xcvii]
Ndonëse narrativat etnocentrike për rrezikun e “demaqedonizimit” nuk u shpërndanë nga aktorët politikë si p.sh. para dhe pas Marrëveshjes së Prespës dhe në lidhje me “mbrojtjen e emrit”, [xcviii] ato u vunë re në media edhe në vitin 2024. Për përkujtim, termi “demaqedonizim” gjendet edhe në tekstet e Gordana Siljanovska Davkovës nga viti 2018,[xcix] në recensionin e saj “MBI “MARRËVESHJEN E PREPSËS” DHE MË GJERË”,[c] ndërsa si kandidate e VMRO-DPMNE-së për kryetare të shtetit, ajo e përdori edhe në fushatën politike për zgjedhjet presidenciale 2019.[ci] Termi “demaqedonizim” u përdor si në narrativet propagandistike të VMRO-DPMNE-së,[cii] ashtu edhe në narrativet propagandistike të partisë E Majta,[ciii] veçanërisht gjatë regjistrimit të popullsisë, i cili u bojkotua nga rrjeti i partive dhe organizatave pro-ruse, si “regjistrimi për demaqedonizim”.[civ]
Në fillim të vitit 2022 shprehja “demaqedonizim” kishte edhe “legjitimim shkencor” nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Në ekspozitën e kryetarit ASHAM, Lupço Kocarev të datës 23 shkurt 2022, ai theksoi se është e drejtë e shenjtë dhe detyrë e shenjtë e ASHAM “që t’u rezistojë të gjitha përpjekjeve për demaqedonizimin e Maqedonisë”.[cv] Një pjesë e mediave jo që vetëm përforcuan mesazhet për rrezikun e “demaqedonizimit”,[cvi] por edhe i shpallën marrëveshjet me fqinjët si “instrument të tmerrshëm të gjenocidit kulturor dhe demaqedonizimit”.[cvii] Mesazhet etnocentrike të Kocarevit si akademik u përhapën nga disa media edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2024, së bashku me dezinformatat se “qeveria, për të filluar negociatat për anëtarësim në BE, tashmë është pajtuar se maqedonasit nuk jetojnë dhe nuk kanë jetuar kurrë në Maqedoni.”[cviii] Kocarevi edhe pas zgjedhjeve vazhdoi me narrativën etnocentrike të “demaqedonizimit”,[cix] e cila u ushqye në gazetën Nova Makedonija për të përhapur teori konspirative dhe dezinformata për Marrëveshjen e Prespës.[cx] Një pjesë e narrativave frikësuese për “demaqedonizimin” sulmonte jo vetëm marrëveshjet e fqinjësisë me Greqinë dhe Bullgarinë, por edhe “Kornizën e Negociatave për Demaqedonizimin”, e cila u prezantua si “Gozhda e fundit në arkivol për shkatërrimin përfundimtar të maqedonizmit”.[cxi]
Padyshim, me narrativa të tilla frikësuese për “demaqedonizim”, të ngjashme me narrativat kundër “bullgarizimit”, “shqiptarizimit”, “kosovarizimit”, nxiten ndjenjat etnike dhe thellohet polarizimi etnik në Maqedoninë e Veriut.
(autori është drejtues i hulumtimeve në Institutin për Media dhe Analitikë IMA)