Shkup, 11 dhjetor – Zhurnal.mk – Pjesëtarët e policisë së pyllit pas 12 viteve janë bërë me çizme të reja.
Sot ministri i bujqësisë Arjanit Hoxha paralajmëroi se më së voni deri në mars të 2021tës, policia e pyllit do të bëhet edhe me uniforma të reja, verore dhe dimërore.
Siç njoftoi ministri Hoxha, në seancën e djeshme qeveritare, është miratuar informata për mbrojtje dhe avansim të të drejtave të punëtorëve përmes marrëveshjes kolektive të personave zyrtarë në policinë e pyllit, me çka pas 22 viteve, policëve të pyllit do u rriten të drejtat si dhe rrogat.
“Çizmet në ditët në vijim do të distribuohen deri tek stacionet policore. Për furnizimin e tyre janë shfrytëzuar 2,5 milion denarë prej mbi 10 milion aq sa kushtojnë së bashku me uniformat. Ne vetëm e kemi zbatuar obligimin tonë ligjor e cila nënkupton të sigurohen të gjitha kushtet për shëndet dhe siguri gjatë punës të të punësuarve. Policia e pyllit detyrat e saja i kryen në teren dhe për këtë shkak është e nevojshme të ketë mbrojtje personale sipas standardeve evropiane dhe rregullave ndërkombëtare. Çizmet janë me standarde evropiane”, thotë ministri.

Ai e faleminderoi policinë e pyllit për punën e suksesshme, duke rikujtuar se mirënjohje për këtë së fundmi ka arritur edhe nga Interpoli.
“Në konferencën e sotme për shtyp pata nderin të informoj publikun për prokurimin e pajisjeve të reja personale mbrojtëse për nevojat e Policisë Pyjore.
Të gjithë oficerët e Policisë Pyjore së pari do të pajisen me çizme, prokurimin publik të të cilave e realizoi MBPEU.
Sot, simbolikisht shpërndava çizmet e para për oficerët e policisë pyjore që ishin të pranishëm, dhe pjesa tjetër do të shpërndahen nëpër stacionet e Policisë Pyjore në ditët në vijim.
Ky është hapi i parë i prokurimit, kurse në fazën e realizimit janë edhe furnizimi me uniforma të reja verore dhe dimërore, me të cilat oficerët e policisë pyjore do të pajisen më së voni deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Me këtë prokurim, MBPEU po e zbaton detyrimin e saj ligjor që nënkupton sigurimin e të gjitha kushteve për sigurinë dhe shëndetin gjatë punës të të gjithë punonjësve tanë. Policia Pyjore kryen detyrat e saj të punës në terren, dhe një nga masat për mbrojtjen nga rreziku në punë është që të kenë pajisje të përshtatshme personale mbrojtëse, përkatësisht këpucë dhe uniforma”, është shprehur Hoxha.//Zhurnal.mk