Policia e Kosovës ka parandaluar sot një rast të kontrabandimit me mallra.
Njësitet policore kufitare të SPMK Muçivërcë – DRPK Lindje, gjatë operacionit policor të tyre në fshatin Novosellë, kanë vërejtur lëvizje të dyshimta të disa personave, të cilët dyshohet se po kryenin veprime të paligjshme si dhe kanë identifikuar një mjet furgon të dyshuar me targa vendore.
Lidhur me rastin njësitë policore kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, me ç’rast është arritur të ndalohet furgoni i dyshuar, ku pas kontrollit të tij është konstatuar se drejtuesi i tij mashkull kosovar kishte të ngarkuar mallra të ndryshme të sjella nga Evropa, si: dhomë gjumi, orendi kuzhine, 1 televizor, 6 telefona mobilë, enë kuzhine, pajisje të tjera shtëpiake me vlerë të konsiderueshme.
Furgoni është sekuestruar nga Policia e Kosovës, pasi drejtuesi i tij po e drejtonte automjetin gjatë periudhës së ndalimit të patentë-shoferit.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe veprimeve të tjera të paligjshme, duke garantuar rendin dhe sigurinë në kufijtë
shtetërorë.