Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

Policia përfshihet në fushatë elektorale për të luftuar virusin vetëm te takimet e PD dhe LSI, gjoba milionëshe

Policia e Shtetit ka nisur ndëshkimin e të gjithë atyre që organizojnë grumbullime në shkelje të masave anti-COVID. Vetëm në dy ditë, Policia ka firmosur 4 gjoba për aktivitete kryesisht të karakterit politik.

Konkretisht, gjobave të Policisë nuk i ka shpëtuar ish-deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari, kryetari i Shoqatës “Durrësi Autokton”, Abdulla Deliallisi dhe Enkeljed Alibeaj, si dhe 3 pronarë dhe administratorë të ambienteve ku ata kanë organizuar aktivitetet.

I pari që e provoi një gjobë prej 5 milionë lekësh të rinj është Endrit Braimllari pas një takimi të organizuar në Maliq. Bashkë me të u gjobit me një milion lekë edhe administratorja e lokalit, shtetasja me inicialet Z. B.

Brahimllari ka reaguar duke u shprehur se për gjobën është njoftuar nga mediat, ndërsa shton se aktiviteti është organizuar duke respektuar të gjitha rregullat. Ai pati edhe një apel për Kryeministrin Rama dhe PS-në e Korçës.

“Unë e kuptoj sikletin e Rilindjes në qarkun e Korçës, pasi LSI-ja në qarkun e Korçës është në rritje të pandalshme. E kuptoj që Rilindja në Korçë është në alarm. Sepse të rinjtë dhe të rejat po përkrahin masivisht Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të vetmen mënyrë që ka sot Edi Rama është të ushtrojë presion nëpërmjet lajmeve të tilla për të trembur simpatizantët e LSI-së. Por, e ka gabim, sepse anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së nuk tremben më nga një mostër politike si Edi Rama, sepse kjo tregon se Edi Ramës i ka ardhur fundi”, tha ish-deputeti Brahimllari.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e kundërshtoi ashpër veprimin e Policisë duke akuzuar Kryeministrin Rama se po e përdor atë për interesa të tij. Ajo u shpreh se koha e Kryeministrit ka ikur, ndërsa tha se nuk e ndal as plumbi për të shpalosur programin e partisë për zgjedhjet e 25 prillit. Ajo shkoi edhe më tej kur tha se edhe Enver Hoxha të ngrihet nga varri s’tërhiqet nga rrizimi i ramës nga pushteti.

“Edi Rama dhe bandat e tij me beretat e spacatorëve të dhunës mendon se do të ndalojë LSI-në. Po i them Edi Ramës dhe të gjithë shërbëtorëve të tij që asnjëri nga ne nuk do iki nga kjo botë pa larë borxhin dhe pa marrë hakun e vetë. Monika Kryemadhin as plumbi nuk e ndalon. Edhe po përdori plumb Edi Rama ndaj Monika Kryemadhit të jetë i bindur që do të ketë më mijëra plumba që do të jenë vota e 25 prillit për Edi Ramën që do zhdukin atë dhe farën e tij të poshtër nga Shqipëria. Unë nuk tërhiqem asnjë moment asnjë sekondë, jo ti të jesh Edi Rama, jo beretat e spacatorëve të tu të dhunës, jo Taulant Balla, por dhe të ngrihet nga varri dhe Enver Hoxha unë nuk tërhiqem”, tha Kryemadhi.

GJOBITET ME 1 MILION LEKË AKTIVITETI I PD-SË NË FIER

Dy ditë më parë Policia njoftoi se ka ndëshkuar me gjobë në vlerën e 1 milion lekë, administratorët e dy lokaleve që lejuan zhvillimin e aktiviteteve politike duke mosrespektuar masat anti-COVID. Konkretisht, bëhet fjalë për gjobitjen e dy administratorëve të lokaleve, të cilët lejuan drejtuesin politik të Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Enkelejd Alibeaj, të organizojë aktivitete politike në dy lokale në Divjakë dhe në ÇermëSektor. Sipas Policisë dy gjobat me vlerë totale dy milionë lekë janë vendosur pasi janë konstatuar shkeljet në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, duke lejuar grumbullim e më shumë se 10 personave në ambiente të mbyllura. Policia vendosi të gjobisë ata që organizojnë grumbullime dhe aktivitete politike pas apelit të Ramës për respektim të detyrës.

Gjobitet shoqata “Durrësi autokton”, Meta: Gjobë politike

Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka konsideruar tërësisht politike dhe veprim skandaloz e të papranueshëm, gjobitjen me 5 milionë lekë të inxhinierin në pension Abdulla Deliallisi për shkelje të masave anti-COVID. Sipas kreut të shtetit, nëpërmjet një njoftimi për mediat, kjo është një gjobë e pastër politike ndaj inxhinierit, pasi sipas tij, në aktivitetin ku ai ka qenë i pranishëm, të gjithë të ftuarit kanë qenë duke respektuar masat e nevojshme.

“Me një gjobë arbitrare dhe tërësisht politike, 5 milionë lekë, qeveria ka ndëshkuar pa të drejtë inxhinierin e shquar në pension, z. Abdulla Deliallisi, kryetar i Shoqatës “Durrësi Autokton”, për gjoja shkeljen e masave anti-COVID, në ceremoninë e organizuar pasditen e djeshme në Pallatin e Kulturës së Durrësit, me rastin e vlerësimit nga Presidenti i Republikës me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” të arkeologut të mirënjohur, profesor Vangjel Toçi (pas vdekjes)”, tha Meta. Presidenti u shpreh se, “e gjithë ceremonia është organizuar duke respektuar masat e nevojshme, ku të gjithë të ftuarit, sipas ligjit, kanë qenë të pajisur me maska dhe kanë ruajtur distancat fizike”.

Meta i premtoi se do të jetë në mbështetje të tij në kundërshtimin e gjobës deri në fund. “E garantova inxhinierin e shquar në pension, z. Deliallisi se Institucioni i Presidentit të Republikës do të jetë në mbështetje të plotë të tij dhe të Shoqatës “Durrësi Autokton”, në të gjitha procedurat ligjore për kundërshtimin e kësaj mase dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë atyre, që funksionin shtetëror e përdorin për qëllime të ulëta politike, shantazh dhe presion ndaj qytetarisë durrsake”, shkruan Meta.

Postime të ngjashme

Situata me zjarret në Shqipëri

D V

Përhapja e zjarreve/ Rama nxjerr videon: Zmbrapset furia e flakëve drejt Llogarasë

D V

Shqipëria kërkoi ndihmë, Holanda dërgon dy helikopterë dhe 47 ushtarë

D V

Kryebashkiaku i Gjirokastrës: Nëse është e nevojshme do të përdorim forcën për evakuimin e banorëve

D V

Shqipëri, ​99 raste të reja me COVID-19

D V

Vlorë, banesa përfshihet nga flakët

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...