Agjencia Zhurnal.mk
Bota

Policia qëllon me plumba gome protestuesit në Mianmar

Në Mianmar policia ka qëlluar me armë zjarri në ajër në përpjekje për të shpërndarë dhjetëra mijëra protestues, të cilët po kundërshtojnë marrjen e pushtetit nga ana e ushtrisë. Raportohet se policia ka përdorur edhe topa uji dhe plumba gome ndaj protestuesve.

Kjo është dita e katërt e protestave masive, pavarësisht paralajmërimit nga ana e ushtrisë se do të ndërmarrë veprime kundër protestave që kërcënojnë “stabilitetin” e vendit.

Udhëheqësi ushtarak Min Aung Hlaing të hënën tha se askush nuk është mbi ligjin, megjithëse ai nuk përmendi drejtpërdrejtë protestuesit.

Ushtria ka ndaluar tubimin e më shumë se pesë personave në kryeqytetin e Mianmarit dhe zona tjera ku po organizohen protesta.

Gjatë natës është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme.

Pse ndodhi grushti i shtetit?

Më 1 shkurt, ushtria mori pushtetin në vendin e Azisë Juglindore. Ushtria arrestoi udhëheqësen politike, Aung San Suu Kyi dhe qindra ligjvënës të tjerë. Pas këtij veprimi, udhëheqësit e grushtit të shtetit kanë formuar një Këshill Suprem i cili do të zëvëndësojë kabinetin qeverisës.

Marrja e pushtetit nga ana e ushtrisë erdhi pas akuzave për manipulime në zgjedhje nga ana e partisë Lidhja Kombëtare të Demokracisë (NLD), të cilën e udhëheq Aung San Suu Kyi.

Suu Kyi dhe drejtuesit e lartë të Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD), duke përfshirë presidentin Win Myint, janë vënë në arrest shtëpiak.

Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar me sanksione për shkak të grusht shtetit.

Çfarë thotë ushtria?

Të hënën në fjalimin e parë të tij që nga marrja e pushtetit, gjenerali Min Aung Hlaing këmbënguli se marrja e pushtetit është i arsyeshëm për shkak të “mashtrimit të votuesve”. Ai akuzoi Komisionin Zgjedhor se ka dështuar të hetojë parregullsitë mbi listat e votuesve në zgjedhjet e nëntorit 2020.

Por, komisioni ka thënë se nuk ka prova që mbështesin këto pretendime. Zgjedhjet u fituan nga partia e udhëhequr nga Aung San Suu Kyi.

Ushtria ka premtuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja të cilat do të mbikëqyreshin nga një komision i ri zgjedhor “i reformuar”.

Gjenerali Min Aung Hlaing tha se pastaj ushtria do t’ia dorëzonte pushtetin fituesit.

Reagime ndërkombëtare

Të martën, Zelanda e Re njoftoi se do të pezullojë çdo kontakt të nivelit të lartë me Mianmarit. Ky vend do të vendosë edhe një ndalim të udhëtimit për udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit.

Kjo është masa e parë e rreptë ndërkombëtare për të izoluar ushtrinë që kur ata morën pushtetin më 1 shkurt.

Shtetet e Bashkuara të hënën shprehën solidaritet me njerëzit e Mianmarit.

“Ne mbështesim të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore në mbështetje të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Kinës, partnerit historik të ushtrisë së Mianmarit, që të bashkohet me demokracitë e mëdha në kundërshtimin e grushtit të shtetit.

Postime të ngjashme

BE përsërit thirrjen kundër mohimit të gjenocidit në Srebrenicë

D V

JP Morgan bëhet banka e parë e madhe amerikane që pranon transaksione me kriptomonedha

D V

Protestuesit ia mësyjnë parlamentit sllovak, policia hedh gazlotsjellës

D V

Hulumtimi: Dy doza Pfizer apo AstraZeneca, efikase kundër Deltës!

N E

Kina nuk do një inspektim të dytë nga OBSH-ja

N E

Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore në Afganistan kundër talebanëve

N E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...