Shkup, 21 prill – Koalicioni VLEN brenda javës pritet të shkrihet në një parti politike pa Taravarin, por jo me elanin dhe intensitetin e njëjtë, sikurse në momentet e hyrjes në Qeveri. Vlerësimi i tillë i politologut, Qani Nuhiu, përjashton mundësinë edhe të zëvendësimit të Taravarit me Selën në Qeveri ose të bashkëpunimit VLEN-Sela në zgjedhjet lokale.
Sipas tij, mungon konfirmimi nga Sela se do të bashkonte forcat me fuqinë politike shqiptare në pushtet.
“Derisa nuk kemi konfirmim nga subjekti i Zijadin Selës, unë diçka të tillë e marr me rezervë. Jam skeptik për diçka të tillë, pasi e shihni se çdo parti politike, krahas votuesve total, ka edhe një pjesë të votuesve tradicional që zakonisht janë edhe kritik. Nuk do ta pranonin mirë diçka të tillë.”, – deklaroi politologu, Qani Nuhiu.
Nga ana tjetër, Taravari, i cili kumtoi garimin me lista të veçanta këshilltarësh, tani në heshtje, sa i takon veprimit të mëtejmë.
Politologu Nuhiu thotë se vendimi definitiv është herët të dihet, pasi varet nga relacionet, që do të zhvillojë Taravari me BDI-në, krahun e Selës, por edhe nga pozita e kryeministrit të Kosovës, Kurti, i cili konsiderohet si përkrahës kryesor i Taravarit.
Sipas politologut Nuhiu, trazirat e nisura në VLEN mund të kenë prapavijë edhe zgjedhjet parlamentare.
“Partitë në mënyrë interne mund të përgatiten edhe për diçka edhe më të madhe, e këto mund të jenë edhe zgjedhjet parlamentare, që nuk është e pamundur, pasi me shkëputjen; nëse është definitive e Arben Taravarit nga koalicioni VLEN, atëherë kemi një realitet të ri politik që mund të sjellë edhe deri tek zgjedhjet e parakohshme parlamentare bashkë me ato lokalet.”, – theksoi politologu, Qani Nuhiu.
BDI në vazhdimësi ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por, cili do të ishte pozicionimi i VMRO-DPMNE-së? Kryeministri Mickoski ka kundërshtuar zgjedhjet e parakohshme.