Politikanët imun ndaj ajrit të ndotur, ndotja çalon masat nuk shihen askund!

nga Redaksia

Shkup, 21 mars – Ajri i ndotur është një nga problematikat që lë pasoja afat gjate, e për të cilën më së paku merren masa konkrete. Si pasojë e indiferencës ndaj kësaj çështje mjaft të ndjeshme dhe shqetësuese për shëndetin tonë, ajri ndotur vazhdon të jetë prezent. Madje, në mënyrë shumë të hatashme me çka Maqedonia e Veriut zë vendin e dytë si vendi më i ndotur në Evropë. Këto të dhëna dhe shumë të tjera paraprakisht nuk po i befasojnë institucionet e as politikanët siduket janë bërë imun ndaj ndotjes së ajrit e as që e kanë ndërmend të marrin masa të ashpra drejt uljes së nivelit të ndotjes, shkruan Zhurnal.

IQAir: Maqedonia e Veriut është vendi i dytë më i ndotur në Evropë

Vetëm shtatë shtete përmbushin standardin ndërkombëtar për cilësinë e ajrit, ndërkaq ndotja vdekjeprurëse e ajrit përkeqësohet në disa vende për shkak të rikthimit të aktivitetit ekonomik dhe ndikimit toksik të tymit nga zjarret,  thuhet në raportin e ri nga IQAir, faqja e interneti që  tregon matjet e cilësisë së ajrit në botë. Maqedonia e Veriut, pas Bosnjës dhe Hercegovinës, është vendi më i ndotur në Evropë, sipas përqendrimit të grimcave PM2.5 në ajër. Menjëherë pas nesh janë Mali i Zi, Serbia, Turqia, Greqia dhe Shqipëria.

The Guardian raporton se nga 134 vende dhe rajone të përfshira në raport, vetëm shtatë, përfshirë Australinë, Estoninë, Finlandën, Grenadën, Islandën, Mauritaninë dhe Zelandën e Re, i përmbushin kufijtë e caktuara të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për grimcat e emetuara nga makinat, kamionët dhe nga proceset industriale. Shumica dërrmuese e vendeve nuk e përmbushin këtë standard për grimcat PM2.5, të cilat janë më të vogla se gjerësia e një floku të njeriut dhe mund të shkaktojnë një sërë problemesh shëndetësore dhe madje edhe vdekje kur thithen.

Vendi më i ndotur, Pakistani, ka nivele PM2.5 14 herë më të larta se standardi i OBSH-së, sipas raportit të IQAir, ndërsa India, Taxhikistani dhe Burkina Faso janë gjithashtu ndër vendet më të ndotura. Maqedonia e Veriut është në vendin e 32-të në botë sipas përqendrimit të grimcave PM2.5.

Çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njerëzve?

Disa individë mund të përjetojnë efekte shëndetësore, ndërsa individë të tjerë që bëjnë pjesë tek grupet e cenueshme mund të përjetojnë efekte shëndetësore më serioze.

Për fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma dhe me SMOK personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit) rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar. Edhe pse të rinjtë dhe fëmijët mbi 5 vjeç nuk bëjnë pjesë në grupet e popullatës me rrezik të lartë, kjo nuk do të thotë se shëndeti i tyre nuk mund të ndikohet nga ekspozimi afatshkurtër ndaj përqendrimeve të larta të ndotësve.

Pasojat nga ajrit ndotur?

Ndotja e ajrit është shkaku më i madh i vdekshmërisë së parakohshme dhe rritja e numrit të sëmundjeve tek njerëzit. Është rreziku më i madh ekologjik për shëndetin e qytetarëve në Evropë, ku sipas të dhënave të EEA dhe OBSH, është shkaku i rreth 400,000 jetëve të humbura në mënyrë të parakohshme. Sipas analizës së Bankës Botërore, ndotja e ajrit kushton shtetin rreth 2.5% të PBB vjetore për shërbime shtesë të kujdesit shëndetësor, ose 300 milionë euro në vit.

Për shkak të një numri faktorësh socio-ekonomikë, ndotja e ajrit po rritet nga viti në vit, situata po përkeqësohet dhe bëhet alarmante. Analiza të caktuara dhe modelimi i shkarkimeve të substancave ndotëse për ngrohjen e familjeve në luginën e Shkupit tregojnë se ndotja do të rritet me 30% deri në vitin 2025 përveç nëse nuk marrin masa të menjëhershme sistematike për të reduktuar emetimet. Këto shifra do të jenë edhe më të larta nëse emetimet do të shtohen nga sektorë të tjerë, siç është transporti, pjesa e ndotjes të të cilit po rritet më së shpejti çdo vit.

Ndotësit më të rrezikshëm nuk janë ata që shihen me sy, si pluhuri dhe tymi, po grimcat e ashtuquajtura PM (particulate matter), të cilat janë aq të vogla sa mund të depërtojnë në trup. Grimcat PM 10 shkaktojnë irritim të syve, fytit dhe hundëve, kurse niveli i lartë i tyre është i rrezikshëm për personat e ndjeshëm, pasi që përkeqëson frymëmarrjen te personat me astmë dhe rrit rrezikun e sulmit në zemër për personat që kanë probleme me shtypjen ose diabetin. Grimcat PM 2.5 janë më të rrezikshme, pasi që mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe në gjak dhe rrjedhimisht niveli i lartë i tyre dëmton mushkëritë dhe zemrën.

Ndotja e ajrit vret rreth 7 milionë njerëz në vit në mbarë botën, më shumë se SIDA dhe malaria së bashku, dhe efekti ndihet më shumë në vendet në zhvillim, ku nuk kanë matje të besueshme të cilësisë së ajrit, thuhet në raport.

Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut në vit ka 3.828 vdekje për shkak të ndotjes së ajrit, që është 17.7 përqind e vdekshmërisë së përgjithshme në vend, sipas raportit të Mirjana Dimovska, udhëheqëse e departamentit për ujë të sigurt, kanalizimeve mjedisore dhe ekotoksikologjisë shëndetësore pranë Institutit për Shëndet Publik (ISHP). Sipas gjetjeve të raportit, vlerësohet se nivelit aktual të ndotjes së ajrit i atribuohen 195 vdekje për shkak të sëmundjes ishemike të zemrës (IHD), që përbën 18.1 për qind të totalit të vdekshmërisë nga IHD në Maqedoni. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More