Politikat që sollën rënien e peshës Shqiptare

nga Redaksia

Nga Delvina KËRLUKU

Gjatë 20 – 30 viteve të fundit, politika e partive shqiptare, në Maqedoninë e Veriut ka përjashtuar sistematikisht njerëzit e shkolluar, profesionistët, misionarët dhe kontribuesit. Pra, pikërisht ata që duhej të ishin boshti i elitës kombëtare.  Kjo nuk është thjesht “mungesë strategjie”. Kjo është degradim i qëllimshëm i individit, i cili si pasojë ka shkatërrimin e shoqërisë, e në fund të kombit. Kriza nuk nisi nga pesha e votës, nisi nga eliminimi i profesionistëve.

Shteti maqedonas (siç e quajnë sot) mund të ketë prodhuar institucione të forta, por fare pak ka mbështetur dhe ngritur kapacitet njerëzor.

Ndërsa faktori politik shqiptar bëri të kundërtën: E zëvendësoi dijen me lojalitet politik.Mënjanoi ekspertët nga çdo post që kërkonte përgjegjësi. Promovoi individë të rastit në institucione kyçe. Ngriti një sistem ku diploma, integriteti dhe përgatitja profesionale u bënë pengesa, jo përparësi.

Ky model nuk prodhoi elitë, sepse u ndërtua mbi frikën se njeriu i shkolluar nuk kontrollohet.

Prandaj u shmang. Prandaj u izolua. Prandaj sot paguajmë faturën.

DËSHTIMI I ELITAVE SHQIPTARE NUK ËSHTË AKSIDENTAL – ËSHTË REZULTAT I NJË KULTURE TË QËLLIMSHME ANTI-ELITË

Nëse sot shqiptarët nuk kanë institute studimore, shkolla politike, qendra analitike apo administratë profesioniste, arsyeja është e thjeshtë: – Politikës shqiptare i kanë penguar të gjitha format institucionale që nuk i shërbejnë klientelizmit.

Asnjë institucion serioz nuk u ndërtua, jo sepse munguan kapacitetet, por sepse ata që i posedonin u lanë jashtë.

Kjo është arsyeja pse universitetet nuk prodhuan ekspertë të angazhuar, pse diaspora u mbajt në distancë, pse profesionistët u katandisën në spektatorë.

Elitat nuk u prodhuan sepse u refuzuan, jo sepse nuk ishin.

VAKUMI I SOTËM POLITIK ËSHTË PASOJË LOGJIKE E 20 VITEVE PËRJASHTIM TË DIJES

Rënia e peshës shqiptare nuk është befasi. Është rezultati natyror i një modeli ku:

•           i afti u la jashtë administratës,

•           profesionisti u etiketua si “i pavarur” pra i rrezikshëm,

•           misionari u shpall “idealisti naiv”,

•           ndërsa vendim’marrjen e morën njerëz me ambicie, jo me kompetencë.

Si mund të pritej që një politikë që i largon më të mirët të prodhojë rezultate të mira?

 PROBLEMI NUK ISHTE MUNGESA E ELITËS, POR PËRJASHTIMI I SAJ

Ka qindra profesionistë shqiptarë të nivelit të lartë në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë, Dibër, Kumanovë, në Europë e Amerikë, që asnjëherë: nuk u thirrën në komisione të rëndësishme, nuk u ftuan të kontribuojnë në reforma, nuk u përfshinë në hartimin e politikave publike, nuk u lanë të drejtojnë institucione. Pra kapaciteti ekziston, por struktura politike e ka trajtuar si kërcënim, jo si pasuri.

Kjo është arsyeja themelore pse 35 vite shumëzohen me zero. Sepse, zero është vlera që politika i ka dhënë dijes.

ZGJIDHJA NUK ËSHTË TË KRITIKOJMË POPULLIN – POR TË ÇLIROJMË PROFESIONISTËT NGA MARGJINALIZIMI

Sot nuk është vonë, por është ora e fundit. Rikthimi i peshës shqiptare nuk do të vijë: as me retorikë, as me fushata të radhës, as me koalicione të përkohshme. Rikthimi vjen vetëm duke i dhënë hapësirë atyre që politika i ka mbajtur të heshtur:

•           mjekut të përkushtuar,

•           profesorëve të ndershëm,

•           juristëve profesionalë,

•           ekonomistëve vizionarë,

•           intelektualëve të lirë,

•           veprimtarëve me integritet,

•           rinisë së shkolluar që ikën nga mungesa e dinjitetit.

PA RIKTHYER INDIVIDIN E SHKOLLUAR – NUK RINGRIHET KOMBI

35 vite pa njeriun e shkolluar është e barabartë me po aq vite humbje të peshës kombëtare.

Një profesionist i vendosur në vendin e duhur vlen më shumë se 100 militantë në poste.

Për t’a përmbyllur: Rënia e peshës shqiptare nuk është fat i paracaktuar. Është pasojë e një politike që ka izoluar vetë burimin e forcës: njeriun me dije, me karakter dhe me vizion.

Nëse ka një zgjim që duhet të ndodhë sot, ai është ky: Koha e individëve të paaftë ka mbaruar. Koha e njeriut të arsimuar duhet të fillojë. Sepse pa të, nuk ka elitë. Pa elitë, nuk ka shoqëri të fortë. Dhe pa shoqëri të fortë, nuk ka komb që krijon dhe mban peshë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More