“Arsenali bërthamor francez vërtet mund të ndihmojë në mbrojtjen e Polonisë”, tha presidenti polak Andrzej Duda në një deklaratë.
Siç shkruan Politico, Duda, i cili më parë ka bërë thirrje që Polonia të presë disa nga armët bërthamore amerikane në tokën e saj për të penguar agresionin rus, tha se kokat franceze mund të forcojnë gjithashtu mbrojtjen polake.
“Unë besoj se ne mund t’i pranojmë të dyja zgjidhjet”, tha presidenti.
Bëhet e ditur se presidenti francez Emmanuel Macron ka propozuar shtrirjen e të ashtuquajturës ombrellë bërthamore franceze për aleatët evropianë, mes frikës se Rusia një ditë mund të ketë synim një tjetër shtet evropian.
Me rreth 300 koka bërthamore, Franca është i vetmi anëtar i BE-së që zotëron armë të tilla dhe një nga tre anëtarët e NATO-s, së bashku me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe.
Në mars, kryeministri polak Donald Tusk tha se Polonia po “diskutonte seriozisht” mundësinë me Francën, e cila ka marrë vrull pas paralajmërimeve nga SHBA se Shtëpia e Bardhë e Donald Trump mund të mos garantojë sigurinë e Evropës në të ardhmen.
Ndryshe, Varshava ka rritur në mënyrë dramatike aftësitë e saj ushtarake konvencionale në vitet e fundit përballë agresionit rus, kështu që forcat e saj të armatosura tani numërojnë 200,000 ushtarë, shumica në BE – dhe shpreson të ndërtojë një ushtri prej gjysmë milioni në vitet e ardhshme.