Shkup, 30 prill – Një ndër pasojat e pariparueshme që do të mbeten në këtë vend është pikërisht vakumi që po lënë qytetarët duke ikur nga vendi. Një qytetarë më pak do të thotë një nxënës më pak, një student, një profesor, një ministër, një punëtor, apo gjithçka tjetër. Dhe, nga ky kontekst paramendoni kur vendit i mungojnë hiç më pak se 700 mijë qytetarë. Kjo tkurrje e popullsisë për një kohë të shkurt është e tmerrshme dhe e rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Qytetarët nuk kanë shpresë të jetojnë në këtë vend, shpesh herë kur pyeten të rinjtë përgjigjen se nuk shohin as perspektiv. Qytetarëve u mungon siguria dhe meritokracia, prandaj po zgjedhin të jetojnë jashtë vendit të tyre, shkruan Zhurnal.
Popullsia e Maqedonisë në tkurrje, gati një e treta (700,000) e popullsisë në emigrim në mbarë botën, vendi i mbytur në korrupsion –
Rreth 700,000 shtetas të Maqedonisë së Veriut, gati një e treta e popullsisë, kanë shkuar për të kërkuar fatin diku tjetër, p.sh. në vendet e Bashkimit Evropian. Maqedonia e Veriut është një nga vendet me shkallën më të lartë të emigracionit në mbarë botën.
Një nga emigrantët është edhe Sinisha. Ai punon në Gjermani, ku fiton 2.300 euro në muaj duke punuar në një kantier ndërtimi ai është prononcuar për DW. E shoqja Ana dhe bija Sofia jetojnë në Shkup. Ana punon si ekonomiste dhe fiton 380 euro. Sinisha ëndërron të kthehet një ditë në shtëpi dhe të jetojë me familjen. Por ai nuk është i sigurt, nëse do të jetë në gjendje t’i ofrojë një të ardhme të bijës në Maqedoninë e Veriut.
Sipas prognozave shoqëria është duke u tkurrur gjithnjë e më shumë, besimi tek politika ka rënë dhe anëtarësimi në BE vazhdon të jetë larg. Kjo shkakton frustrim në gjithë vendin. Kjo të bie mjaft mirë në sy në stacionin e autobusëve të Shkupit, ku sheh mjaft vetë që largohen nga vendi. Burrat shkojnë, familjet qëndrojnë.
Për dallim prej viteve tjera ku kishte qytetarë që shkonin vetëm për punë sezonale tani gjërat kanë ndryshuar qytetarët po shkojnë pa biletë kthyese dhe me tërë familjen. Madje, ka shumë prej tyre që interesohen jashtëzakonisht shumë për të marr edhe prindërit. Pra, nëse dikur vendi rrezikohej të mbeste pa të rinj vetëm me të moshuar, tani me disa lehtësime që do të bëhen në shtetet perëndimore vendi do të ngel fare pa banorë. Sepse, edhe këta të moshuar të varur prej sistemit të dobët shëndetësor nuk do të qëndronin këtu.
Maqedonia e Veriut rrezikon të shndërrohet në vend të pabanueshëm –
Deri në vitin 2070, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbesë me më pak se 1,3 milion banorë. Këtë e dëshmojnë projektimet e bëra nga Enti Shtetëror i Statistikave. Presidenti, Stevo Pendarovski shprehet se korrupsioni është shtytësi kryesor i emigrimit të qytetarëve. Ndërsa drejtori i Entit, Simovski apelon se duhet të veprohet që të ndalohen ikja e qytetarëve
Demografia negative është kërcënimi më i madh për ardhmërinë e shtetit, ndërsa korrupsioni është shkaktari më i madh i shpërnguljes së qytetarëve. Kështu ka deklaruar presidenti Stevo Pendarovski, gjatë prezantimit të projektimit të popullatës në vendin tonë deri në vitin 2070, nga ana e Entit shtetëror të Statistikave. Pendarovski pati theksuar se popullata po plaket ndërsa shteti me shpejtësi po zbrazet.
“Në bazë të regjistrimit, Enti Shtetëror i Statistikave i përgatiti projektimet, sipas të cilave, deri në vitin 2070 popullsia do të zvogëlohej madje deri në 35%, respektivisht, nga 1,8 milion tani, në 1,2 milion banorë. Nga tre shtytësit demografik kryesor – nataliteti, mortaliteti dhe migrimi, më shqetësues është i treti. Të paktën tani për tani, ulja e popullsisë më tepër ka të bëjë me shkallën e lartë të migrimit të popullsisë, sesa me shkallën e ulët të natalitetit. Raporti botëror i migrimit për vititn 2020 e numëron Maqedoninë e Veriut mes 20 shteteve me shkallë më të lartë të shpërnguljes”, ka thënë Stevo Pendarovski, president i RMV-së.
Drejtori i Entit të Statistikave, Apostoll Simovski, pati thënë që në bazë të dhënave statistikore, vendin nuk e pret ardhmëri e ndritur. Por shtoi se kjo mund të ndryshohet.
”Nevojitet përpjekje e madhe dhe shumë mund por edhe krijim I politikave të bazuara në këto të dhëna. Imigrimi nuk është mes problemeve më të mëdha. Sot njerëzit dëshiropjnë të kenë mundësi të vërteta në shtet, arsim dhe shëndetësi cilësore. Domografia është shkencë e ndryshme dhe nuk reagon në mënyrë të shpejtë tek ndryshimet, por megjithatë reagon”, ka thënë Apostol Simovski, Drejtor i Entit Shtetëror të Statistikave.
Të shtatë projektimet e Entit Shtetëror të Statistikave për emigrimin në RMV deri në vitin 2070 flasin për uljen e përgjithshme të popullsisë. Dhe nëse nuk ndërmerret asgjë, parashikohet që deri në vendin 2070 në vendin tonë të mbesin rreth 1,3 milion banorë, për këtë shqetësim ka raportuar televizioni KlanMacedonia.
Se po shkojmë drejt zbrazjes së vendit e ka dëshmuar edhe sondazhi nga Fondacioni Westminster për Demokraci, ku dy të tretat e të rinjve duan të largohen nga vendi dhe, nëse u jepet mundësia, do të largohen. Qëndrime të tilla bazohen në cilësinë e dobët të arsimit që marrin të rinjtë në vend, shkallën e lartë të papunësisë tek të rinjtë dhe të ardhurat e ulëta që kanë të rinjtë. Shkalla e lartë e korrupsionit na ka sjellë në një situatë ku më shumë se 83% e të rinjve nuk u besojnë institucioneve.
Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në vendin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin tënd të lindjes, ndërkaq padrejtësia e vështirëson mbijetesën në këtë vend sepse duhet të përballesh me një sistem të kalbur të drejtësisë. Mund të vritesh në vend publik ngjashëm sikurse në vend të fshehtë nga ajo vrasje mbeten vetëm viktimat dhe mbetjet e plumbave, asgjë më shumë.
Pasiguri e madhe, besimi i ulët në gjyqësi, institucionet e papërgjegjshme që nuk janë fare në shërbim të qytetarëve, mungesa e meritokacisë, papunësia, zhvillimi i dobët ekonomik, krizë gjithandej, këto janë shkaqet kryesore që të rinjtë dëshpërohen deri në palcë dhe vendosin që këtë dëshpërim ta ngushëllojnë me largim nga vendi. Sepse, në të kundërtën nuk kanë fuqi t’ia dalin dot me këtë sistem të vjetruar që nuk prodhon perspektivë dhe kushte normale për jetesë. /Zhurnal.mk