Maqedoni

Posta s’do të jetë më tërësisht “e shtetit”, Qeveria me nismë për privatizim ose partneritet publiko-privat

Zhurnal Ads

Shkup, 14 tetor – Posta e Maqedonisë do të privatizohet ose do të bëhet me partneritet publiko-privat. Qeveria ka ndërmarrë nismë për studim të fizibilitetit, që më tej të vazhdohet me procesin e liberalizimit të shërbimeve postare në përputhje me rregullativën e BE-së. Kryeministri Zoran Zaev thotë se plot institucione publike nuk po arrijnë të konkurrojnë në treg.

“Kjo sepse shteti duhet në vazhdimësi, në muaj, në 3-muaj, në gjysmëvit të subvencionojë, pra nuk po munden të luftojnë të vetme në treg, duhet që hapur të futemi në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi Zoran Zaev – Kryeministër.

E zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, i obliguar për ta çuar përpara këtë proces, thotë se një prej arsyeve se pse po kërkohet model për funksionimin e mëtejshëm të postës është edhe presioni nga Bashkimi Evropian për liberalizim të tregut të postave.

“Ne vite me radhë e kemi shtyrë procesin e liberalizimit, duke konsideruar se kjo do të jetë vlerë e shtuar për institucionin, por u tregua se as ky model nuk funksionon dhe vlerësoj se është koha e fundit të shihet se cili është modeli më i mirë”, theksoi Fatmir Bytyqi – zv/kryeministër.

Ende nuk dihet nëse Posta do të privatizohet tërësisht, apo do të jetë me partneritet publiko-privat. Kjo do të merret vesh pas studimit të fizibilitetit, të cilin Bytyqi pret të përfundojë deri në fund të vitit. E pavarësisht kësaj, shton se funksionimi i postës nuk është në pikëpyetje dhe se të punësuarit do të vazhdojnë të jenë aty.

“Unë do t’i inkurajoja që të vazhdojnë të punojnë edhe me më produktivitet dhe efikasitet”, u shpreh zv/kryeministri Fatmir Bytyqi.

Me vite Posta është në gjendje të vështirë financiare. Raporti i fundit i Entit për Revizion tregoi se nga 2012-ta posta punon me humbje në vlerë prej rreth 10 milionë eurove. Kriza që solli pandemia, e më pas falimentimi i Bankës Eurostandard, e fundosi edhe më shumë, duke i bllokuar transaksionet bankare.

 “Kjo do të thotë minus 110 milion denarë në muaj më pak të hyra në postën e Maqedonisë së Veriut që është një goditje jashtëzakonisht shumë më e madhe”, potencoi Ejup Rustemi – Drejtor gjeneral i Postës.

Në shtator Qeveria dha pëlqim që Posta të kërkojë bankë të re, por kjo gjë nuk ndodhi. Zëvendëskryeministri Bytyqi falimentimin e Bankës Eurostandard nuk e lidh me ndryshimin e modelit të funksionimit të Postës, por thotë deri më tani Posta ka punuar me model që më shumë u është përgjigjur kërkesave të partive.

“Dhe ajo që e kemi thënë shumë herë, tregohet se shteti nuk është menaxhues i mirë i ndërmarrjeve publike”, u shpreh Fatmir Bytyqi – zv/kryeministër.

Po a do të përgjigjet dikush për keqmenaxhim dhe prurjen e Postës deri në këtë gjendje? Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike thotë se për këtë nuk duhet të japë përgjigje Qeveria, por Prokuroria, që do të duhej të ndërmerr masa.

Postime të ngjashme

Fushatë për përfshirje në fondet e obligueshme dhe vullnetare personale

Z H

Zv.ministri Nuhiu: Të sigurohen kushtet për seancat gjyqësore online

admin

Filipçe: Në disa vende fqinje pacientët kanë qëndruar të shtrirë nëpër korridoret e spitaleve, por kjo u fsheh!

T E
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...