Shkup, 29 janar – Politikanët tanë pa dallim partie sikurse në agjendat e tyre personale e kanë të merren me politika madhore përderisa politikat vendore i kanë shkretë. Ajo që i kategorizon dhe bashkon të gjithë politikanët është lufta e tyre deklarative kundër ndikimit rus në Ballkan posaçërisht në Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtarë ambasadorë të shumtë, duke filluar nga ambasadorja e SHBA-së, ambasadori holandez në çdo parqitje të tyre shprehin shqetësimin e korrupsionit dhe kapjen e gjyqësisë pikërisht nga politikanët që synojnë reformim të shtetit. Me luftën kundër ndikimit rus ka kush të merret janë fuqitë e mëdha e aleatët e përbetuar, por politikanët tanë duhet të merren me rregullimin e jetës së qytetarëve në vend, në mënyrë që të ndalohet edhe eksodi masiv i të rinjve, shkruan Zhurnal.
Hallet e qytetarëve i merr era, politikanët merren me politika madhore –
Gjenda e qytetarëve dita ditës vështirësohet dhe përkeqësohet edhe më shumë si pasojë e mos kujdesit adekuat nga ata që janë përgjegjës. Kriza ekonomike, padrejtësia, lufta për mbijetesë janë hallet e përditshme me të cilat përballen qytetarët e vendit tonë.
Por, kur marrim dhe shohim çfarë premtojnë e çfarë flasin politikanët tanë është për gërdi sepse ata flasin më shumë për luftën kundër ndikimit rus sesa për rregullimin e jetës së qytetarëve. Qytetarët sot në Maqedoninë e Veriut përballen edhe me mungesë të ujit të pijshëm dhe kanalizimit, kushteve elementare për jetesë.
Mëse e nevojshme është që politikanët tanë të ndalen së menduari e punuari vetëm për interesat e tyre personale, klanore apo partiake, duhet filluar punuari për qytetarët me votat e të cilëve janë sot në ato pozicione.
Politikanët tanë duhet të fillojnë të flasin, të brengosen dhe të gjejnë zgjidhje për hallet e qytetarëve, ndalimin e kesodit masiv të të rinjve dhe të heqin dorë njëherë e përgjithmonë nga gjyqësori që është i varur dhe këto pasoja i vuajnë në mënyrë të drejtpërdrejt qytetarët.
Faktori ndërkombëtarë në çdo paraqitje ngre alarm shqetësimi për korrupsionin dhe kapjen e gjyqësisë –
Ambasadorja amerikane në vend, Angela Aggeler, tha se nuk ka njohuri konkrete për ndikimin e mundshëm rus në procesin e ardhshëm zgjedhor, megjithëse, siç tha ajo, është përgjithësisht i pranishëm në rajon, por theksoi se gjëja më e rëndësishme për qytetarët për zgjedhjet e ardhshme është të edukohen mirë, për procesin dhe për kandidatët që do të marrin pjesë në të.
Nga kjo porosi e Aggelerit kuptohet qartësisht që SHBA-të janë të lodhura me deklaratat boshe të liderëve partiak për luftën kundër ndikimit rus nga ana tjetër punët e brendshme janë më keq se sa mund të paramendohet, ku korrupsioni dhe ndikimi në gjyqësi i kalojnë limitet e normales.
“Ndërhyrja e personave privatë apo zyrtarëve publikë në proceset gjyqësore nuk duhet të tolerohet nga ata në gjyqësor, nga qeveria apo nga njerëzit e këtij vendi. Ndikimi i jashtëm minon besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët e vendit. Drejtësia duhet të jetë transparente, qytetarët e këtij vendi nuk meritojnë asgjë më pak”, thuhet në përgjigjen me shkrim të ambasadores së SHBA-së, Angela Aggeler.
Nuk është Aggeler e vetme në këtë drejtim, sepse edhe ambasadori holadnez në vend ndanë të njëjtin shqetësim për sa i përket ndikimit politik në gjyqësi.
“Ndikimi i papërshtatshëm politik në pozitën e kryetares së Gjykatës së Lartë është i papranueshëm, gjë që është çështje gjyqësore dhe do të shkaktojë reagim të fortë nga Holanda”, thuhet në postimin në profilin e Facebook-ut të Ambasadës së Holandës.
Pra, akuzat e përditshme se kush është pro rus e kush po e lufton Rusinë janë bërë të bajatshme e të pakuptimta si për faktorin ndërkombëtarë ngjashëm edhe për qytetarët e vendit, sepse kemi të bëjmë me diçka që nuk prodhon kurrfarë rezultati efektiv në praktik për sa i përket rregullimit të jetës së qytetarëve.
Prandaj, duhet të hiqet dorë nga kjo politikbërje pa vizion të qartë, pa plan program veprimi, dhe pa kurrfarë shprese për të ardhmen. Të rinjtë nga ana tjetër janë lodhur nga pritjet e gjatë se një ditë do të bëhet mirë dhe kanë vendosur të lëshojnë vendin e tyre, dhe kjo po rrezikon që ky vend të mbetet vend i pensionistëve të cilët gjithashtu janë të pakënaqur me trajtimin e tyre si shëndetësor ngjashëm edhe social. /Zhurnal.mk