Predan: Kryesimi slloven me BE-në do të bëjë gjithçka që të zgjidhet çështja mes Shkupit dhe Sofjes

Shkup, 15 korrik – Kryesia sllovene me BE-në është shumë e motivuar që ta zgjidhë çështjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Tanimë ka komunikim intensiv mes kryesimit tone me Sofjen, me Brukselin dhe me vendet tjera anëtare të BE-së. Do të dëshironim të kemi fotografi sa më të qartë për pozita të caktuara dhe nuk do të dëshironim të presim deri në dhjetor, por nëse është e mundur më herët ta zgjidhim këtë çështje.

 

Këtë sot e deklaroi ambasadori slloven në vend, Milan Predan, duke prezantuar prioritetet e kryesimit slloven në Bashkimin Evropian në seancën e përbashkët të Këshillit kombëtar për eurointegrime dhe të Komisionit për çështje evropiane në Kuvend.

Për ambasadorin slloven nevojitet vullnet politik dhe pragmatizëm nga të dy palët. Ai tha se nuk mund të premtojnë mrekulli politike, pasi, siç tha, në politikën ndërkombëtare atë që mund ta premtojmë është puna e mundimshme, diplomacia e qetë.

Predan paralajmëroi se një nga prioritetet më të rëndësishme të kryesimit të Sllovenisë do të jetë zgjerimi i BE-së me vendet nga Ballkani Perëndimor.

“Kjo do të jetë shumë lart në agjendën tone. Ngjarja jonë kryesore në nivel të lartë që planifikojmë ta bëjmë, do të jetë samiti BE – Ballkani Perëndimor, në Bërdo më 6 tetor dhe sinqerisht shpresojmë se atëherë më do të kemi, nëse jo vendim, të paktën një perspektivë të pastër, respektivisht pikpamje të pastër se si çështja me Sofjes dhe Shkupit mund të zgjidhet”, tha Predan.

Ambasadori potencoi se Sllovenia, pas tentimeve të dy kryesimeve paraprake, të Gjermanisë dhe të Portugalisë, do të bëjë tentim të tretë që të zgjidhet çështja mes Shkupit dhe Sofjes, duke e shikuar situatën politike në fqinjësi dhe duke shfaqur shpresë se Sofja do të formojë Qeveri të re.

Euroambasadori Dejvid Gir, tha se e kupton dëshprimin e qytetarëve gjatë muajve të kaluara, për shkak të mos’hapjes së negociatave për anëtarësim.

“Ne ju përkrahim dhe ju inkurajojmë. Bashkimi Evropian është këtu për Maqedoninë e Veriut, ishte edhe gjatë kohës së pandemisë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në të gjitha mënyrat e mundshme, edhe në ato ekonomike edhe në aspektin investues”, tha Gir.

Ai theksoi se i përshëndesim të gjitha përpjekjet e kryesive paraprake lidhur me hapjen e negociatave dhe me këtë rast do ta përkrahin edhe Slloveninë, që sa më shpejtë të arrihet deri te vendimi.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin e tij në seancën e përbashkët të Komisionit për çështje evropiane dhe të Këshillit nacional për euro-integrime e uroi Slloveninë për marrjen e udhëheqësisë me Këshillin e BE-së, por edhe për fokusin e fuqishëm drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, për iniciativën që ta organiojnë Samitin BE-BP, i cili do të përfshijë rema të rëndësishme siç janë: zbatimi i planit investues ekonomik, iniciativa për ndërlidhje rajonale dhe mundësia për përfshirjen e rajonit në Konferencën për të ardhmen e BE-së.

“Marrja e udhëheqësisë me Këshillin e BE-së, nga ana e Sllovenisë vjen në një moment mjaftë të rëndësishëm për vetë BE-në, e cila vazhdon të ballafaqohet me sfida të shumta, mes të cilave gjithsesi edhe ngecja e politikës së zgjerimit dhe nevojës për riafirmimin e perspektivës evropiane për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor,” theksoi Osmani.

Ai nënvizoi se Sllovenia si fqinje e drejtpërdrejtë e rajonit, jo vetëm që e njeh, por edhe ka interes dhe sinqerisht dëshiron t’i ndihmojë rajonit.

“Ajo që ishte angazhim i fuqishëm politik nga ana e Gjermanisë, u rrit në propozimin portugez për tejkalimin e dallimeve, i cili tani konsiderohet si propozim i presidencës, me të cilën tani udhëheq Sllovenia. Edhe në këto raporte të ndërlikuara politike, kjo mund të quhet edhe një përfitim i vogël: të sigurojmë konstantë në kuadër të Presidencës me BE-në, që do ta mbajë dosjen tonë evropiane lartë në Agjendën e BE-së, me fokus drejt menjanimit të bllokadës nga ana e Bullgarisë. Kjo paraqet edhe porosi të rëndësishme se Unioni nuk ka hequr dorë as nga ky vend e as nga ky rajon, por në mënyrë active merr pjesë në zgjidhjen e problemeve në këto vende” shtoi Osmani.

Në këtë kontekst, ai theksoi se në periudhën që është para nesh, do të vazhdojmë të japim rezultate nga reformat me shenjën e BE-së, të cilat janë në dobi të qytetarëve tanë si dhe të investojmë në raportet e mira ndër-fqinjësore, sepse në fund e vetmja konstantë është gjeografia dhe e kemi të pamundur ta ndryshojmë. Osmani potencoi se Maqedonia e Veriut gjendet në stomakun e Evropës dhe si rajon nga të gjitha anët jemi të rrethuar me vende anëtare të BE-së. “Vetëm me një vështirm në hartë të Evropës bëhet e qartë dhe logjike se rajoni me të vërtetë është pjesa që mungon për bashkimin e kontinentit. Kjo pa dyshim se do të ndodhë herët apo vonë” tha Osmani, me shpresë se do të shkurtohet shtyrja e panevojshme, që gjithsesi është në interes të ndërsjellë.

Kryesimi slloven me Këshillin e BE-së, i cili filloi nga 1 korriku bazohet në katër prioritete – Rezistencë, rikuperim dhe autonomi strategjike të BE-së; Konferencën për ardhmërinë e Evropës; Mënyrën evropiane të jetesës, sundimit të së drejtës dhe kriteret e barabarta për të gjithë; BE kredibile dhe e sigurtë, e aftë që të garantojë siguri dhe stabilitet në fqinjësinë e saj.

Related posts

ASH: Maqedonia e Veriut është shteti i vetëm në botë që pasi të vret, edhe të tall e poshtëron

R Zh

Kofod: Maqedonia e Veriut e gatshme për t’i filluar negociatat e anëtarësimit në BE

Z H

Fjalët përfundimtare në rastin “Dhuna në Kuvend”

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com