Koreja e Jugut po përballet me një krizë të paprecedentë politike pasi presidenti Yoon Suk-yeol ka shpallur gjendjen e luftës, duke përmendur një “rrezik komunist”.
Presidenti i Koresë së Jugut shpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake, të cilën ai thotë se është e nevojshme për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët antishtetërorë. Ushtria e Koresë së Jugut thotë se do të mbajë ligjin ushtarak derisa të hiqet nga presidenti Yoon Suk Yeol, pavarësisht se parlamenti i vendit votoi për të bllokuar zbatimin e tij, sipas transmetuesit kombëtar të vendit.
Por sipas mediave në Korenë e Jugut, duket se pas këtij vendimi ka motive më të thella politike, pasi vjen vetëm pak ditë pasi u zbulua biseda telefonike e presidentit me një mik, duke e implikuar atë në skandale.
Vendimi për të vendosur ligjin ushtarak duket se është një lëvizje e dëshpëruar e presidentit për të mbrojtur pozicionin e tij. Ai e mbylli vetë Parlamentin, duke përjashtuar çdo proces institucional që mund ta vinte në pikëpyetje.
Situata në Seul është e tensionuar dhe forcat e sigurisë janë rreshtuar rreth Parlamentit pasi demonstratat e qytetarëve kanë marrë një karakter masiv. Ndërkohë autoritetet kanë përdorur gazin lotsjellës për t’i shpërndarë. “Jo ligji ushtarak!” Është kjo thirrja që dominon në protestë.
Ligji ushtarak nënkupton sundimin nga autoritetet ushtarake në një kohë emergjence dhe mund të nënkuptojë pezullimin e të drejtave normale civile.