Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

Presidenti Meta në Ditën Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut: Ju ftoj të gjithëve të mposhtim frikën apo indiferencën dhe të ndërtojmë solidaritetin

Në Ditën Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut dhe në kuadër të nismës “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, anëtarë të Kabinetit dhe zyrtarë të administratës së Institucionit të Presidentit të Republikës, si edhe dhjetëra qytetarë, u solidarizuan sot me kauzën humane dhe dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve me talasemi dhe njerëzve, që kanë nevojë jetike për të.

Me këtë rast, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, çmoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” pesë dhurues të rregullt të gjakut në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar si dhe në vlerësim të dedikimit, dhembshurisë dhe humanizmit të treguar për të ndryshuar e shpëtuar jetë njerëzish.

Gjatë dekorimit të zonjave Luljeta Hidri dhe Albana Pergjini, zotërinjve Aleksandër Markaj, Eglend Bici dhe Artur Bakiu, Presidenti Meta vuri në dukje modelin që ata iu kanë ofruar të rinjve tanë, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për qytetarët shqiptarë.

Në fjalën e tij Kreu i Shtetit u shpreh: “Është kënaqësinë e veçantë, të jem sot me ju, në këtë ditë kaq të rëndësishme, në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut.

Jam i lumtur të shoh të rinj e të reja, por edhe gjithë qytetarët, që i janë përgjigjur thirrjes për të dhuruar gjak në këtë ditë simbolike, kur falënderimi më i madh dhe më i ngrohtë shkon për dhuruesit vullnetarë.
Situata e vështirë, e krijuar nga pandemia, vuri në sprovë të madhe të gjitha sistemet shëndetësore. Edhe në Shqipëri, u ndje fort mungesa e gjakut për shkak të mbylljes totale.

Por, në sajë të dhuruesve vullnetarë të rregullt dhe të përgjigjes pozitive të shumë të rinjve e të rejave, u arrit të sigurohej gjak, veçanërisht për të sëmurët talasemikë dhe për rastet emergjente.

Kjo përpjekje nxori në pah, gjatë kësaj krize, rolin vendimtar të dhuruesve vullnetarë, në sigurimin e gjakut të sigurt dhe të mjaftueshëm, si në kohë normale ashtu edhe në kohë krize.

Duhet që secili, të mendohet për një moment, që gjaku që dhuron i jep dikujt tjetër mundësinë për të jetuar dhe ndoshta një ditë, ai “dikush” mund të jetë një i afërmi ynë, një mik, një familjar ose edhe ne vetë.

Ndaj në këtë ditë, dëshiroj të falënderoj të gjitha organizatat dhe shoqatat që japin kontributin e tyre për kauzën e dhurimit të gjakut, duke mobilizuar e sensibilizuar qytetarët, për domosdoshmërinë e dhurimit.

Një falënderim i veçantë shkon për mjekët dhe infermierët e Qendrës së Transfuzionit të Gjakut, që punojnë me pasion e përkushtim, gjatë shtatë ditëve të javës, për të bërë të mundur mbledhjen dhe sigurimin e gjakut, për të gjithë të sëmurët që kanë nevojë.

Në Ditën Botërore të Dhuruesve të Gjakut ju bëj thirrje dhe inkurajoj të gjithë qytetarët, por veçanërisht të rinjtë e të rejat, t’i bashkohen edhe më fort kësaj kauze fisnike dhe të bëhen dhurues të rregullt.

Ju ftoj të gjithëve të mposhtim çdo lloj indiference dhe të ndërtojmë edhe më të fort solidaritetin, për të dhuruar gjak për të gjithë ata të cilët kanë nevojë!

Slogani i Ditës Botërore të Dhuruesve këtë vit thekson rëndësinë e rolit të dhuruesve vullnetarë për të “mbajtur botën gjallë”, nëpërmjet dhurimit të gjakut. (“Give blood and keep the ëorld beating”)

Për t’i falënderuar të gjithë dhuruesit vullnetarë e të rregullt të gjakut për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, dëshiroj të vlerësoj disa prej tyre, që nuk kanë reshtur prej vitesh të dhurojnë gjak e të shpëtojnë jetë, duke u bërë një shembull për të gjithë.

Pikërisht për dedikimin dhe humanizmin e treguar ndër vite për fëmijët talasemikë dhe të sëmurët e tjerë, si dhe me respekt për modelin që ju ofrojnë të rinjve tanë dhe qytetarëve shqiptarë, kam kënaqësinë të vlerësoj sot, me Titullin ‘Për Merita të Veçanta Civile’, Albana Pergjini, Aleksandër Markaj, Artur Bakia, Eglent Bici dhe Luljeta Hidi”, – u shpreh Presidenti Meta.

Postime të ngjashme

Shqipëria nën ndikimin e të nxehtit afrikan, ja si do jenë temperaturat në fundjavë

D V

Berisha i përgjigjet ambasadores amerikane: Asgjë s’mund të më pengoj të përmbush misionin e besuar nga zgjedhësit shqiptarë

D V

U shpall ‘Non Grata’/ Kim ultimatum Bashës: Në shtator në Parlament pa Berishën! Një parti s’mund të ‘hajë bar’ për hir të një deputeti! Të shkëputemi nga komunizmi

D V

Hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës

D V

COVID 19/ 37 raste të reja dhe asnjë humbje jete në vend

D V

TIA jep njoftimin e rëndësishëm për pasagjerët që udhëtojnë drejt Italisë: Do të qëndroni në karantinë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...