Shkup, 8 tetor – Zhurnal.mk – Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot në Bratisllavë do të marrë pjesë në Forumin global të sigurisë “GLOBSEK 2020”, ku do të mbajë fjalim me temë “Ballkani Perëndimor pas Kovid-19”.
Gjatë vizitës së punës në Bratisllavë, është paraparë që Pendarovski, siç kumtoi kabineti i tij, të realizojë takim bilateral me presidenten e Sllovakisë, Suzana Çaputova, me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd, Mirosllav Lajçak dhe zëvendës kryeministren për integrim evropian dhe euroatlantik të Ukrainës, Olga Stefanishna.
Forumi i sivjemë “GLOBSEK 2020” mbahet nën moton “Së bashku ta shërojmë botën – rikuperim pas mbylljes së tërësishme”, ndërsa temat e diskutimit janë përqëndruar në ndikimin e krizës nga Kovid-19 ndaj më shumë sferave nga jeta shoqërore, ekonomike, sociale dhe politike, si dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme në periudhën që vijon.
Në konferencë do të marrin pjesë shefa të shteteve dhe qeverive, ministra të punëve të jashtme, delegacione parlamentare, përfaqësues të komunitetit të biznesit, si dhe përfaqësues të shumtë të tink-tenk organizatave joqeveritare ndërkombëtare nga Evropa dhe bota. Sesionet në kuadër të GLOBSEK-ut mund të ndiqen me transmetim të drejtpërdrejtë në ueb faqen e tyre: www.globsec-week.org/bratislava-forum , thuhet në kumtesë.