Agjencia Zhurnal.mk
Sport

Prishtina e trimëruar synon ta ndalë serinë e Yllit

Pas fitores ndaj Rahovecit vikendin e shkuar, skuadrën e Sigal Prishtinës e pret një përballje e vështirë në kuadër të xhiros së 18-të të Superligës në basketboll, që zhvillohet këtë mesjavë. Prishtina të mërkurën prej orës 17:00 e pret skuadrën e Golden Eagle Yllit.

Trajneri i Prishtinës, Dragan Radoviq, do të përballet me ish-ekipin e tij për herë të parë këtë edicion, pas largimit nga Ylli më 14 dhjetor. Ai kohë më parë ka marrë drejtimin e Prishtinës dhe në tri ndeshje ka regjistruar një fitore e dy humbje.

Radoviq të martën për KOHËN ka pranuar se ekipin e tij e pret një duel i vështirë kundër Yllit, ekip të cilin e vlerëson lart dhe pranon se është favorit i madh për titullin e kampionit. Megjithatë, trajneri malazias ka thënë se Prishtina në këtë ndeshje do të futet e motivuar, sidomos pas fitores së fundit në udhëtim kundër Rahovecit. Radoviq beson se ekipi mund ta fitojë edhe këtë duel.

“Në këtë ritëm të shpeshtë të ndeshjeve na pret përballja me një prej skuadrave më të mira momentalisht. Ylli ka një ekip të fortë, ku të gjitha pozitat i ka të mbuluara me lojtarë cilësorë. Duke pasur këtë parasysh, mund të them se na pret një ndeshje shumë e vështirë dhe shpresoj të bëjmë një paraqitje të mirë, sidomos në mbrojtje dhe sulm të organizuar për të ardhur te rezultati i dëshiruar që do të thotë shumë për ne. E respektojmë Yllin, por mendoj se kemi potencial për të regjistruar fitoren e radhës”, është shprehur Radoviq.

Sigal Prishtina këtë edicion nuk ka pasur rezultate të mira dhe aktualisht zë vendin e gjashtë në tabelë me 22 pikë. Në 17 ndeshje të luajtura, Prishtina ka vetëm pesë fitore karshi 12 humbjeve.

Ndërkohë, Ylli ka gjashtë pikë më shumë dhe renditet i treti në tabelë. Skuadra suharekase nuk di për humbje në tri ndeshjet e fundit. Ylli mbetet ndër ekipet më të përforcuara të këtij edicioni në Superligë, pasi javë më parë ka angazhuar edhe reprezentuesit e Kosovës, Erjon Kastratin e Gëzim Morinën. Trajneri i Yllit, turku Fatih Emre Gezer, që ka zëvendësuar Radoviqin te ekipi nga Suhareka, pret një ndeshje të vështirë. Megjithatë, Gezer ka paralajmëruar se ekipi i tij udhëton në Prishtinë për të vazhduar me fitore.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë pasi Prishtina me ardhjet e reja është një skuadër dukshëm më e mirë, duke llogaritur këtu edhe lojtarët vendorë që ka. Mirëpo ne jemi në formë të mirë dhe mendoj se lojtarët e ekipit tim duan të vazhdojnë me ritmin e fitoreve. Besoj se do të jetë një ndeshje e fortë dhe interesante për të cilën jemi plotësisht të gatshëm”, tha Gezer.

Xhiroja nis me ndeshjen ndërmjet Pejës dhe Bashkimit, e cila zhvillohet të mërkurën në palestrën “Karagaçi” prej orës 15:00.

Peja zë vendin e katërt me 28 pikë, dy më shumë se Bashkimi që është i pesti. Peja është mposhtur në xhiron e fundit në udhëtim nga Ponte Prizreni, pas një serie prej tri fitoreve, derisa Bashkimi triumfoi ndaj Vëllaznimit për t’i dhënë fund serisë prej dy disfatave rresht.

“Kemi disa lëndime, por besoj në një paraqitje të mirë të ekipit dhe pres të japim maksimumin, ndonëse jemi paksa të lodhur prej ndeshjes së fundit dhe nuk kemi pasur kohë të mjaftueshme të përgatitemi dhe të pushojmë”, deklaroi trajneri i Bashkimit, Illmen Bajra, duke shtuar se ndaj Pejës do të paraqitet pa Endrit Hysenagollin e Julian Hamatin.

Ndërkohë, xhiroja do të mbyllet me dy ndeshjet që zhvillohen të enjten, në të cilat përballen ekipet e para dhe të fundit në tabelë. Ponte Prizreni, që është lider me 29 pikë, do të jetë mysafir i skuadrës së Rahovecit, që ka pikë të njëjta dhe zë vendin e dytë në tabelë. Kjo ndeshje luhet në palestrën “Mizahir Isma” prej orës 17:00. Dy orë më herët në Gjakovë, skuadra e Vëllaznimit e pret Trepçën. Vëllaznimi është i parafundit, derisa Trepça e fundit. Të dy ekipet kanë nga 21 pikë të mbledhura pas 17 ndeshjeve të zhvilluara. Skuadra e Trepçës pësoi humbje në ndeshjen e fundit në shtëpi nga Ylli, pas fitoreve në udhëtim me Prishtinën e Bashkimin, derisa Vëllaznimi nuk di për fitore që nga xhiroja e 11-të. Në të vërtetë, fitoren e fundit Vëllaznimi e ka regjistruar pikërisht ndaj Trepçës në ndeshjen e luajtur në Mitrovicë.

Superliga – XVIII

E mërkurë

Peja – Bashkimi (15:00)

S. Prishtina – G.E. Ylli (17:00)

E enjte

Vëllaznimi – Trepça (15:00)

Rahoveci – P. Prizreni (17:00)

  1. P. Prizreni 17 29
  2. Rahoveci 17 29
  3. G.E. Ylli 17 28
  4. Peja 17 28
  5. Bashkimi 17 26
  6. S. Prishtina 17 22
  7. Vëllaznimi 17 21
  8. Trepça 17 21

Postime të ngjashme

Mercedes-AMG paraqet tre vetura garash për nder të “Red Sow”

D V

“Juventusi ka ofruar çfarë kemi kërkuar” – presidenti i Santos konfirmon marrëveshjen me Biankonerët për Kaio Jorgen

D V

Ekipi i xhudos së bashku me kryeministrin Kurti flasin para mijëra qytetarëve në sheshin “Zahir Pajaziti”

D V

Të ARTAT e Kosovës u drejtohen qytetarëve: Medaljet janë për popullin

D V

Mourinho harron Xhakën, tani shikon nga mesfushori i Bundesligës

D V

“Nuk është zgjidhur ende, por po punojmë në kontratën e re” – Laporta konfirmon se ka ngecje në marrëveshjen e re me Messin

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...