Blerja e duhanit për mesatarisht 374 denarë për kilogram mbetet i papranueshëm për prodhuesit e duhanit. Sipas prodhuesve të duhanit nga fshati Zhitoshë i komunës së Dollnenit dhe ai Presil i komunës së Krushevës duhani blihet me çmim të ulët kundrejt shpenzimeve të larta për kultivimin e tij. Ata mbeten në qëndrimin për rritje të çmimit sepse kultivimi i duhanit në këtë rajon është burimi i vetëm i ekzistencës.
“Mund të jetohet nëse e paguajnë mirë, nëqoftëse jo e kot është, si të jetosh. Ka shumë shpenzime, najlon duhet, pa pleh artificial nuk bëhet, najlon për skelet duhet, duhet ti mbulosh. Duhet lëruar toka, naftë për traktorin duhet, goma, ta mirmbash traktorin, ka shpenzime të shumta, normalisht. Kur vjen ta marin ato e marin siç duan, jo sa ke dhënë mund ti po siç do ai. Çmimi ka qenë pak ma mirë ama nëse e krahasojmë me çmimet tjera çmimi I duhanit është I ulët”, tha një banor I fshatit Zhitoshë.
“Ne e vlerësojmë 10 euro ama ato 360 ose 370 denarë, më shumë nuk paguajnë. Sivjet sa keni mbjell? Kemi mbjell diku 15 dekametër, 1 hektarë e gjysëm”, u shpreh banor i fshatit Presil.
Në pikën blerëse në Kombinatin e duhanit në Prilep ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski tha se prodhuesit e duhanit do të jenë shumë më të kënaqur këtë vit kundrejt vitit të kaluar.
“Deri më tani janë blerë 1.400 tonë duhan me çmim mesatar prej 374,3 denarë dhe është paguar 45 për qind nga duhani i blerë. Inspektorati Bujqësor monitoron këtë proces. Ne si Ministri jemi në komunikim me të gjitha shoqatat, me Unionin e Shoqatave të Duhanit që është i autorizuar nga Ministria dhe e ndjekim të gjithë procesin. Shpresoj që pas fundjavës të fitojë më shumë intensitet. Mesatarja që do të arrihet në nivel shtetëror do të jetë më e lartë se ajo e vitit të kaluar. Thjesht, ne si shtet, ne si ministri, nuk do të lejojmë kurrë të ketë zhgënjim si në të kaluarën”, deklaroi Cvetan Tripunovski, ministër i Bujqësisë.
Maqedonia e Veriut ka histori dhe traditë të gjatë të kultivimit dhe eksportit të duhanit të papërpunuar, kryesisht të llojeve Prilep, Jaka dhe Basma. Fatkeqësisht, sipas studimeve të fundit, prodhimi i duhanit është në rënie. Numri i kultivuesve të duhanit në vitin 2020 ishte 19,702, që është më pak se gjysma e numrit të vitit 2010 (42,622).