Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesën për paraburgim për Muharrem Qerimin dhe Bedri Shabanin, të arrestuar nën dyshimin për spiunazh. Të njëjtit dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.
Tutje në njoftim thuhet se kërkesën për caktimin e paraburgimit kjo prokurori e ka paraqitur, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale: Spiunazhi nga neni 124 par. 3 të KPRK-së, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par 1 të KPRK-së, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Ndryshe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka shpalosur detaje lidhur me arrestimin e dy të dyshuarve.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë Speciale, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për veprën penale spiunazhi me datë 05.06.2024 kanë realizuar operacion një policor për kontrollin e dy lokacioneve në qytetin e Ferizajit”, thuhet në raportin e policisë.
Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gasmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.