Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për rastin e plagosjes së gruas nga i dyshuari- bashkëshorti i saj.
Sipas Prokurorisë, ndaj I.A., më 4 gusht është ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” me propozimin për caktim të masës së paraburgimit, e në seancë fillestare ishte propozuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak, mirëpo gjykata e ka refuzuar këtë propozim dhe ndaj tij ka caktuar masën për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Fillimisht, Prokuroria njofton se i dyshuari më 2 gusht u ndalua nën dyshimin për “Dhunë në familje” e më pas iu ngrit aktakuza.
Sipas Prokurorisë, në seancë fillestare prokurori duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit dhe faktin se nuk jetonte bashkë me bashkëshorten, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak.
“Po ashtu, më datë 04.08.2024, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – dega në Fushë Kosovës, është mbajtur shqyrtimi fillestar në këtë çështje penale, ku Prokurori i Shtetit gjatë kësaj seance, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të të pandehurit si dhe faktin se i pandehuri ka edhe një adresë tjetër të vendbanimit, ka propozuar masën e arrestit shtëpiak. Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, thuhet në njoftim.
Të martën, I.A., u ndalua nën dyshimin për “Vrasje të rëndë në tentativë” ndaj bashkëshortes së tij në Bresje të Fushë-Kosovës, si dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Mospërfillje të gjykatës”.
“Ndërkaq, sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I.A, është arrestuar në fshatin Bresje, në Fushë Kosovë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ nga neni 173 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i KPRK-së dhe ‘’Mospërfillja e gjykatës’’ nga neni 393 të KPRK-së. Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit, me qëllim të sigurimit të provave materiale, si dhe, ka vizituar të dëmtuarën e rastit, e cila është në trajtim në SHSKUK në Prishtinë, ndërsa ndaj të pandehurit IA, ka lëshuar Aktvendim mbi ndalim. Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.
Nga QKUK, të martën njoftuan se gjendja shëndetësore e viktimës është stabile.