Shkup, 9 janar – Në Maqedoninë e Veriut më 8 maj do të ketë zgjedhje të dyfishta, parlamentare dhe presidenciale. Por, duket që këto zgjedhje nuk janë të zakonshme sepse do të zhvillohet një garë shumë e ashpër edhe vendimtare e përcaktuese për të ardhmen e vendit. Në kampin shqiptarë kohëve të fundit ka pasur dalje të partive të reja në skenë sikurse kërpurdhat pas shiut. Nëse dikur ishte virale deklarate e kreut të BDI-së se në Maqedoninë e Veriut shqiptarët nuk kanë nevojë më shumë se dy parti, sot disa vite pas kësaj deklarate ekzistojnë 10 parti zyrtarisht të formuara. Sa prej tyre janë funksionale është diskutabile sepse edhe këto që janë të vjetra shumë më herët kanë dalë prej funksionit dhe nuk dihet çfarë funksioni kanë. Në zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohet garë mes dy fronteve në kampin shqiptarë, mes opozitës e cila është bashkuar si asnjëherë më parë dhe BDI-së partisë 20 vjeçare në pushtet, shkruan Zhurnal.
Ali Ahmeti mysafirë special në studio televizive në Shqipëri e Kosovë –
Promovimi i kreut të BDI-së në rajon ka filluar nga tani në mënyrë masive, duke u shpallur si personazh i vitit e duke u ftuar në studio televizive mysafirë special në emisionet më të shikuara në Shqipëri. Kjo situatë mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por ajo që është legjitime të ngritet si pyetje e dilemë është fakti që ky promovim i Ahmetit është pjesë e një fushate normale apo është mobilizim për menaxhim të frikës së krijuar nga formimi i boshtit opozitar.
Si filloi fushata e BDI-së?
As nuk mundej e as nuk pritej ndryshe pos me “turizmin” e Ahmetit në Shqipëri e Kosovës. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, është përzgjedhur si personazh i vitit të emisionit “Opinion”. Arsyeja është premtimi i mbajtur se Maqedonia e Veriut do të ketë një kryeministër shqiptar. Kjo në realitet pritet të ndodhë më 28 janar të vitit të ardhshëm.
“UÇK ka nënshkruar marrëveshje me NATO-n në 2001 që demobilizohet dhe uniforma e UÇK-së mbetet monument i kujtesës historike, e ka çdo ushtar, me një garancë të fuqishme që nuk do të keqpërdoret… Talati më 28 Janar votohet nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut për kryeministër që do të drejtojë qeverinë deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha Ali Ahmeti në Opinion.
“Ali Ahmeti, Personaliteti Shqiptar i Vitit 2023” është kryetitulli i lajmit të shkruar nga Albanian Post nga Kosova e udhëhequr nga Baton Haxhiu. “Kur më 1981 studentët shqiptarë u revoltuan dhe u arrestuan në Prishtinë, aty ishte Ali Ahmeti. Kur më 1982 mbajtën përvjetorin e protestës, aty ishte Ali Ahmeti. Kur në fund të 80-tave shqiptarët filluan organizimet në ilegalitet, pjesë e organizimeve ishte Ali Ahmeti. Kur me 1989 u kuptua se pa luftë s’bëhet rezistenca e pretenduar, mes atyre që e kuptuan ishte Ali Ahmeti. Kur filloi lufta, luftoi Ali Ahmeti. Kur Kosova u çlirua, por shqiptarët në Maqedoni mbetën keq, filloi një luftë tjetër Ali Ahmeti. Kur lufta u fitua dhe u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, e mundësoi Ali Ahmeti. Kur një shqiptar për herë të parë në Maqedoni u bë kryetar parlamenti, ishte nga partia që e themeloi Ali Ahmeti. Kur në janar të vitit 2024 një shqiptar do të marrë postin e Kryeministrit të Maqedonisë Veriore do të jetë për shkak të Ali Ahmetit”, ka shkruar Albanian Post.
Ndryshe, mbrëmë Ahmeti ishte i pranishëm sërish në Tiranë, kësaj radhe pranë Grida Dumes në Top Chanel. Ai gjatë paraqitjes së tij shprehi qëndrim kundër Albin Kurtit: “Po ndërhyn në punët e brendshme Kurti të shqiptarëve në Maqedoni, unë nuk jam amator” ka thënë Ahmeti.
Por, përse gjithë kjo fushatë masive e Ahmetit?
Populli shqiptarë gjithmonë kanë qenë ithtarë të bashkimit, madje para disa viteve si pasojë e mos bashkimit të opozitës së atëhershme votuesi shqiptarë këtë revoltë e shprehi duke votuar parti maqedonase, dhe një numër i madh votash iku nga kampi shqiptarë drejtë atij maqedonas. Ky bashkim i opozitës shqiptare në emërimin e përbashkët Lidhja Evropiane për Ndryshim do të ndikojë që gjitha votat do të kthehen në vendin e tyre në kampin shqiptarë. Dhe, kjo duhet të ndodhë sepse ishte i pakuptimtë gara e partive maqedonase në terrenin shqiptarë.
Lëvizja Besa si parti opozitare është fuqizuar jashtë mase, kreu i kësaj partie për herë të parë arriti ta fitojë BDI-në dhe ta “dëbojë” nga selia e partisë. Tetovën e fitoi Bilall Kasami në garë me pushtetin në krye me Teuta Arifin. Por, Besa siduket ka rikthyer shpresën te qytetarët përgjatë kësaj periudhe të qeverisjes kjo parti është fuqizuar edhe më shumë dhe siduket qëndron fuqishëm në rajonin e Pollogut, zona prej ku del edhe numri më i madh i deputetëve shqiptarë.
Nga ana tjetër Alternativa dhe Lëvizja Demokratike së bashku qëndrojnë fuqishëm në zonën 1 dhe 2, zona që poashtu nxjerrin numër të konsiderueshëm të deputetëve shqiptarë, kjo nënkupton që konsolidimi i opozitës shqiptare ndikon në një shtrirje ideale në zonat posaçërisht të populluara me shqiptarë.
Prandaj, bashkimi opozitarë është një strehë e qytetarëve të dëshpëruar nga pushteti si dhe do të ndikojë në rikthimin e votës shqiptare që kishte ikur në kampin maqedonas. Shqiptarët e duan bashkimin prandaj edhe do të jenë pro secilit bashkim. Dhe, një koalicion i tillë do të ndikojë qartazi në fitimin e një numri të madh të deputetëve, nuk përjashtohet mundësia që mund të kenë edhe mbi 10 deputetë në legjislaturën e ardhshme. Prandaj, ky fuqizim i opozitës shqiptare mund të shihet edhe si arsyeje kryesore që e shtynë Ahmetin të promovohet në mënyrë masive në rajon. /Zhurnal.mk