Bruksel, 21 prill – Janë dorëzuar 313 amendamente për draft-raportin e raportuesit të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, Tomas Vajc. Pjesa më e madhe e amendamenteve vijnë nga deputetë bullgarë dhe grekë, por nuk mungojnë as edhe propozime nga deputetë holandezë, kroatë e francezë.
Shumica prej tyre sqarojnë ose plotësojnë disa pjesë të dokumentit, por ka edhe nga ato që futin përmbajtje apo vlerësime të reja në raport.
Sipas raportit të përgatitur, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë po përjeton bllokime për arsye të ndryshme të pajustifikuara dhe BE-ja duhet të gjejë garanci se nuk do të ketë çështje bilaterale pas ndryshimit të Kushtetutës.
“Duhet pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet të miratojë amendamentet kushtetuese të pazbatuara, në përputhje me angazhimet e saj, në mënyrë që negociatat e anëtarësimit të mund të fillojnë menjëherë.”, – propozon autori i raportit.
Sipas eurodeputetit të partisë nacionaliste bullgare “Prerodba”, Stanislav Stojanov, RMV-ja vazhdon të presë anëtarësimin, për shkak të mungesës së vullnetit politik për t’i përmbushur obligimet e anëtarësimit dhe jo siç thuhet në raport se procesi i anëtarësimit vazhdon të përjetojë bllokime për arsye të ndryshme të pajustifikuara.
“Duhet pasur parasysh se aspiratat e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e BE-së vazhdojnë të përjetojnë ngecje për shkak të vullnetit të pamjaftueshëm politik të vendit për të zbatuar obligimet e dakorduara.”, thuhet në amendamentin e propozuar nga Stojanovi.
Nuk kanë munguar mbështetjet për kandidaturën e RMV-së për anëtarësim, por edhe propozimet për refuzimin e saj.
Eurodeputetët: Matje Vale, Zhordan Bardella dhe Pier-Romen Tiore, nga tubimi kombëtar francez i ekstremit të djathtë, vlerësojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i plotësojnë kriteret e zgjerimit.
“Zgjerimi është një proces i bazuar në merita i lidhur me demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore; ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende larg përmbushjes së këtyre kritereve.”, thuhet në amendamentin e eurodeputetëve francezë.
Përderisa eurodeputeti Greg Emanuel Fragos përsërit rëndësinë e pezullimit të negociatave të pranimit me Shkupin, eurodeputeti holandez Tijs Rojten kërkon mbështetje të qartë për anëtarësimin e RMV-së.
“I bëj thirrje Këshillit Evropian të ofrojë mbështetje publike dhe të qartë për Maqedoninë e Veriut dhe synimin e saj për të marrë shpejt dhe pa kushte një vendim pozitiv për fillimin e negociatave të anëtarësimit pas përmbushjes së kushteve të konkluzioneve të tij të 18 korrikut 2022, me respekt të plotë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.”, shkruan Rojten në amendamentin e tij.
Në disa amendamente, mes tjerash kërkohet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma në gjyqësor dhe administratë, reduktimi i polarizimit politik të shoqërisë, kufizimi i përdorimit të mekanizmit të “flamurit evropian” gjatë miratimit të ligjeve, implementimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.