Protesta e thirrur nga opozita të shtunën e 8 shkurtit ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit. A2 CNN mëson se organizatorët e tubimit kanë kërkuar leje për 3 orë që do të protestojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.
Në shkresën dërguar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është njoftuar se tubimi do të nisë në orën 17:00 deri në orën 20:00.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë, duke nisur nga ato të rendit, FNSH dhe Shqiponjat. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA. Po ashtu, edhe Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për të kryer detyrën në ruajtjen e institucioneve.
Ndërkohë, në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Do të ketë edhe 5 autobotë me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Ndërsa përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë.
Detyrat e lëna nga drejtuesit e policisë për vartësit e tyre janë që të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të mbahen nën vëzhgim ata persona që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.