Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi të gjitha partitë opozitare t’i bashkohen në protestën kombëtare që do të zhvillohet të shtunën në Tiranë.
“Koha është për një front sa më të gjerë opozitar, ndaj dhe unë ftoj të gjitha forcat politike që e ndjejnë veten opozitë, e konsiderojnë veten opozitë, pavarësisht nga çdo kundërshti që mund të kenë njëri me jetrin, të bashkohen në këtë front për t’u përballur me sukses me këtë të keqe që kemi përpara. Sepse ky bashkim ka një rëndësi vendimtare”, tha Berisha në një takim me aleatët këtë të premte.
“Ka prej tyre që kanë shumë vërejtje për këtë forcë apo atë forcë, kanë vërejtje për PD-në, normale janë këto, por problemi është se nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për t’u përballur me këtë të keqe që kemi përpara. Dhe të gjitha variantet e tjera, vetëm sa pjesëtojnë fuqinë e opozitës”.
Ndërkohë, në protestë të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz. Do të ketë edhe 5 autobote me ujë nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh. Ndërsa përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë.
Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë, për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.