Koçan, 26 prill – Të gjithë përgjegjësve të sistemit në shtet, ju kërkojmë se paku një moment të futeni në lëkurën tonë, që të mund ta ndieni dhimbjen therrëse që ne e ndjejmë, ndoshta atëherë do të na kuptoni. Kjo ishte porosia e prindërve të viktimave në tragjedinë e Koçanit, kundër neglizhencës institucionale. Në marshin protestues me moton “Reagim i vonuar”, dolën shumë qytetar për në nderim të viktimave të tragjedisë së rëndë në diskotekën “Pulse”, ku humbën jetën 62 të rinj dhe u plagosën afro 200 të tjerë.
“A do t’i mbronit ata që janë bashkëfajtorë në këtë ngjarje monstruoze, nëse fëmijët e vrarë do të ishin fëmijët tuaj? Ndoshta atëherë do ta kuptonit se e vetmja arsye për të cilën luftojmë është drejtësia për fëmijët tanë të vrarë. Edhe më parë, edhe tani, edhe në të ardhmen, ua bëjmë me dije se nuk do të ndalemi këtu; do të takohemi në vende të tjera, më të fuqishëm. Ky është vetëm fillimi i luftës sonë për jetët e ndërprera parakohe, për ëndrrat e tyre të parealizuara, për fuqinë e tyre të ndalur në rini. Drejtësi patjetër të ketë, dhe të gjithë të përfshirë në këtë ngjarje monstruoze, në këtë vrasje, patjetër të japin llogari para ligjit.”, u shpreh nëna e njërit prej viktimave.
Pika e nisjes së marshit ishte të Parku i Qytetit në Koçan. Protestuesit pastaj marshuan drejt Qendrës Tregtare të qytetit, ku u ndalën për një moment për të shprehur solidaritet dhe revoltë. Më pas, marshimi vijoi drejt Komunës së Koçanit, dhe vazhdoi përpara objektit të Ministrisë së Brendshme për të denoncuar reagimin e vonuar dhe mungesën e përgjegjësisë, dhe përfunduan para Gjykatës Themelore të Koçanit, me kërkesën për drejtësi të pakompromis dhe joselektive .
Ky është marshimi i katërt me radhë, pas protestave të organizuara çdo të shtunë nga banorët e Koçanit, të cilët vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe transparencë për tragjedinë që tronditi gjithë vendin.