Opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë ditën e martë (7 maj) para Bashkisë së Tiranës për dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Për të folur mbi këtë çështje, i ftuar në studion e RTSH 24 ishte nënkryetari i këshillit Bashkiak, Dorian Teliti. Ky i fundit ka deklaruar se për sa kohë kryebashkiaku nuk zbaton ligjin për të raportuar para Këshillit Bashkiak në lidhje me pikëpyetjet me dosjen 5D dhe arrestimin e disa drejtorëve të Bashkisë, do të jetë populli ai që do të japë verdiktin.
“Mekanizmat tona janë ligjor, kemi të drejtë ti kërkojmë Kryetarit të Bashkisë të raportojë në Këshillin Bashkiak. Kryetari i bashkisë merr kërkesën dhe “e gris”, pra nuk e zbaton ligjin.
Duhej të ngrihej që në korrik 2023 Komisioni i Brendshëm i Kontrollit Financiar, përsëri refuzon.
Ky debat po tentohet të trajtohet si çështje politike nga kryebashkiaku.
I themi hajde kontraktojmë një kompani të huaj audituese private të bëjë transparencë, por prapë thotë jo. Por ai do i përgjigjet verdiktit të popullit. Kjo është arsyeja përse ne jemi në protestë,” u shpreh Teliti.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, i bëri ndër të tjera thirrje SPAK-ut që të zbardhë dosjen 5D dhe të dënojnë përgjegjësit.
“SPAK ka detyrë të hetojë çfarë ka ndodhur.
kemi kërkuar që drejtësia të bëjë punën e vet, ku janë sot 30 milionë eurot e 5D? Ku janë 60 milion eurot që përmendte Ahmetaj?
Duam zbardhjen e së vërtetës, dënimin e personave dhe përmirësimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të Bashkisë.
E ka pranuar vetë kreu i ekzekutivit”, theksoi Teliti.
Protesta ka mbajtur disa protesta para Bashkisë së Tiranë, të shoqëruara edhe me përplasje, e hedhje molotovi.