Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

PS rrëzon dekretin e Metës – Rama: Opinioni i Venecias nuk vlen për këto zgjedhje

Zhurnal Ads

BE i bën sërish apel Ramës që të presë opinionin e Venecias, por kryeministri Rama thotë se nuk vlen për këto zgjedhje. Partia Socialiste ka rrëzuar dje në Komisionin e Ligjeve dekretin e Metës për kthim në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Nesër votohet në Kuvend. “Venecia”, letër Metës: Kërkesën do ta shqyrtojmë në dhjetor

Mazhoranca socialiste ka qenë e shurdhër ndaj apelit të dytë tëndërkombëtarëve për të pritur opinionin e Venecias për Kodin Zgjedhor.

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka ripërsëritur kërkesën e tij ndaj kryeministrit shqiptar që të mos e votojë në Kuvend dekretin e presidentit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Këtij apeli iu bashkua dhe eurodeputeti gjerman i PPE, Michael Gahler.

Por mazhoranca socialiste e drejtuar nga Edi Rama ka vijuar procedurat e rrëzimit të dekretit në komisionin e ligjeve dhe duke e futur në seancën plenare tëditës së enjte. Sipas Ramës nuk ka kohë për të humbur, por opinioni që do të vijë nga Komisioni i Venecias do të shërbejë për më vonë.

Apeli i dytë i BE-së

Komisioneri i BE-së i rikujtoi dje Ramës se do të ishte e matur të pritej opinioni nga Komisioni përpara rivotimit në Parlament.

“Kodi zgjedhor i Shqipërisë: I kënaqur që Kryeministri mirëpret opinionin e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese të korrikut. Prandaj do të ishte e matur të presim që të dorëzohet para rivotimit në Parlament. Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkruan zyrtari i lartë i BE-së.

Kësaj thirrjeje i është bashkuar dje edhe eurodeputeti gjerman i PPE, Michael Gahler.

Sipas Gahler, institucionet e rangut të Komisionit të Venecias duhet të respektohen nga palët e interesuara dhe të përfshira.

“Deklarata e Komisionerit është e mençur, pasi institucionet si Komisioni i Venecias duhet të respektohen nga të gjitha palët e interesuara”, shkruan Gahler.

Nxitimi i Ramës

Për kryeministrin shqiptar çdo gjykim që do të bëjë Komisioni i Venecias për ndryshimet e Kodit, të bëra në mënyrë të njëanshme nga PS-ja, do të mirëpritet për t’u marrë parasysh për më vonë, jo për këto zgjedhje.

Duke folur nga Rinasi pas kthimit nga Libani, Rama, bëri të ditur se kishte biseduar në telefon me komisionerin e BE-së dhe se ia kishte bërë të qartë se parlamenti nuk do presë asnjë sekondë.

“Unë e kam sqaruar dhe komisionerin në një bisedë që kemi pasur, pa dorashka se parlamenti nuk do presë asnjë sekondë sepse kemi zgjedhjet më 25 prill dhe s’kemi pse të hyjmë në spiralen e një aventure ku na fton Ilir Meta që ka qëllim të sabotojë këtë proces. Komisioni i Venecias i mirëpritur të sjellë kur të pjekë opinionin e vet. Ai opinion do diskutohet me të gjitha forcat politike dhe do mbetet për të adresuar çfarëdolloj çështje që mund të dalë përtej 25 prillit. Nuk kemi kohë për të humbur dhe për t’iu futur një aventure. Implementimi i ligjit zgjedhor kërkon kohën e vet, është marrë një angazhim për identifikimin biometrik, koha është e ngushtë”, deklaroi Rama.

Kryeministri ka sulmuar Presidentin e Republikës, i cili me kërkesë të tij vuri në lëvizje “Venecian”, të cilin e quajti “përpjekja e një lideri alternativ të një opozite të copëtuar dhe lideri absolut i një partie të degraduar”.

Debati te Ligjet

Këshilltari i Metës: Komisioni i Venecias zëvendëson Gjykatën Kushtuese

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar dje dekretin e Metës për kthim në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Nga 17 anëtarë prezentë, 15 votuan kundër dekretit kurse vetëm 2 pro, Alimadhi dhe Lita.

Mazhoranca i ka qëndruar bindjes se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhen miratuar që të fillojë puna për përgatitjen e zgjedhjeve të 25 prillit të 2021.

Opozita parlamentare te ‘ligjet’ ka qenë e përçarë, me disa deputetë pro dhe disa kundër dekretit të Metës. Në seancë ka qenë dhe vetë këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj që ka kërkuar pranimin e dekretit për kthim të Presidentit si dhe një pritje të opinionit të Komisionit të Venecias që do u përgjigjet 8 pyetjeve të ngritura.

“Do dëshiroja të komentoja, dy qasje të dy deputetëve. Do respektoj qëndrimin tuaj. Presidenti siç e ka shprehur, në 21 tetor i është drejtuar Venecias me një kërkesë që tashmë Kuvendi e disponon me 8 pyetje. Janë ato pyetje siç një nga deputetët e tha për të bërë një lexim objektiv nga një aktor i paanshëm, ndërkombëtar, autor i kodit të praktikave të mira. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i është drejtuar autorit të këtyre praktikave për të marrë opinion. Presidenti vlerëson se pas kthimit në Kuvend, mazhoranca duhet të reflektojë. Duke siguruar njëkohësisht opinionin final të Venecias dhe duke thirrur dialog në Këshill Politik. Prandaj kërkojmë pranimin e dekretit dhe pritjen e Komisionit të Venecias” – tha Bledar Dervishaj.

OPINIONI

Futja në lojë e Komisionit të Venecias, Balla: Spirale e rrezikshme

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi dje publikisht arsyet pse shumica rrëzoi dekretin e Presidentit Meta dhe i dha rrugë miratimit të Kodit Zgjedhor.

Sipas Ballës, pritja e një opinioni nga Venecia do të thoshte hyrje në një spirale të rrezikshme që mund të cenojë edhe zgjedhjet e 25 prillit.

“Duhet refuzuar përpjekja e Metës për ta futur vendin në një spirale të rrezikshme sa kohë që janë më pak se 180 ditë në dispozicion. Ilir Meta për asnjë moment me këtë dekret s’ka pasur për qëllim të përmirësojë kuadrin zgjedhor në Republikën e Shqipërisë, por si gjithmonë pozicioni i tij ekstremist ka qenë sabotimi dhe gjithçka për të penguar zhvillimin normal të zgjedhjeve të 25 prillit.

Për shumicën Komisioni i Venecias gjithnjë është i mirëpritur për të sjellë një opinion të pjekur, i cili do diskutohet nga të gjitha forcat politike me vëmendje dhe do adresohet edhe për çështje pas 25 prillit, por tani s’kemi kohë për të humbur, për të hyrë në një aventurë”, – tha Balla. Sipas tij, kjo lëvizje e Metës kërkon të sabotojë procesin.

REAGIMI

Bardhi: Për hallin e pushtetit të tij, Rama është gati t’i shpallë luftë BE

Opozita ka reaguar ndaj qëndrimit të mazhorancës për të mos pritur opinionin e Venecias për Kodin Zgjedhor duke e cilësuar këtë si një lëvizje për të ruajtur pushtetin me çdo kusht.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, tha se këmbëngulja arrogante e Edi Ramës në injorimin e apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi nxjerr zbuluar Kryeministrin autokrat që, për hallin e pushtetit të tij, është gati t’i shpallë luftë Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

“Shqipëria ka detyrimin që të bëjë zgjedhje me një ligj që është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, që është në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Pasi pengoi marrjen e ekspertizës së ODIHR, Edi Rama nuk duhet t’i trembet ekspertizës së Komisionit të Venecias. Këmbëngulja arrogante e Edi Ramës në injorimin e apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi nxjerr zbuluar Kryeministrin autokrat që, për hallin e pushtetit të tij, është gati t’i shpallë luftë Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Shqiptarët nuk do ta lejojnë këtë. Reforma Zgjedhore dhe zgjedhjet demokratike janë kusht për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Duke mos dëgjuar këshillën për të pritur Opinionin e Komisionit të Venecias, Edi Rama po tenton të marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe të hedhë në erë zgjedhjet e radhës”, shkruan Bardhi.

MESAZHI

Meta kërkon të dëgjohet apeli europian

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas apelit të dytë të komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi për çështjen e Kodit Zgjedhor, 8 pyetje për të cilin ndodhen në Komisionin e Venecias për një opinion.

Në një mesazh në “Facebook”, Meta shpërndan deklaratat e disa ndërkombëtarëve dhe falënderon miqtë e vërtetë të Shqipërisë për durimin dhe këshillat e tyre teksa shprehet se shpreson që ato të dëgjohen me mençuri deri të enjten.

Nga ana tjetër Kreu i Shtetit siguron miqtë ndërkombëtarë se kohës së injorimit të kushteve dhe standardeve për integrimin do t’i vijë fundi në 25 prill 2021.

“Falënderoj miqtë e vërtetë të Shqipërisë, që duan çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian dhe nuk duan të na ndajnë nga Maqedonia e Veriut, për durimin e tyre dhe këshillat e sinqerta. Shpresoj shumë që ato të dëgjohen me mençuri deri të enjten.

Por i siguroj miqtë tanë të sinqertë ndërkombëtarë se kohës së injorimit të kushteve dhe standardeve për integrimin do t’i vijë fundi, në çdo rast, në 25 prill 2021.

Pas kësaj date të gjitha kushtet do plotësohen rrufeshëm, me qëllim që Shqipërinë europiane ta ndërtojmë këtu dhe së bashku”, shkruan kreu i shtetit. Sipas tij pas datës 25 prill do të fillojë epoka e re e sundimit të popullit, që do të sjellë edhe sundimin e ligjit në Shqipëri.

Zhurnal Ads
Zhurnal Ads

Postime të ngjashme

89 vjetori i lindjes, Presidenti Meta kujton të madhin Dritëro Agolli

admin

Lajmi i keq për ‘bluzat e bardha’, humb betejën me Covid doktori i njohur

admin

Skuadra e superhetuesve/ Hajnaj bën reagimin e parë si kreu i BKH: Do zgjedhim më të zotët, do ndiqet i njëjti proces si ai që zhvillohet për rekrutimet e FBI

admin

“Dy prej fëmijëve të kthyer nga Siria, janë të Lavdrim Muhaxherit”

admin

Shqipëri, Kushtetueses i shtohet dhe një anëtar

S.B.

Vaksinat anti-Covid/ Reagon Basha: Rama premton të sjellë shumë pak vaksina, shet dështimet si suksese

S.B.
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...