Pse ka kaq shumë të papunë kur njëkohësisht ka mbi 10 mijë vende të lira pune?

nga I.A

Shkup, 4 dhjetor – Paradoksi i tregut të punës në Maqedoninë e Veriut po bëhet çdo vit e më i dukshëm papunësi e lartë nga njëra anë dhe mijëra vende të lira pune nga ana tjetër. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për tremujorin e tretë flasin qartë janë regjistruar 10.033 vende të lira pune, me një shkallë prej 2.02%, megjithëse qindra mijëra njerëz mbeten të papunë. Pyetja thelbësore është ku qëndron faji? Në punëdhënësit, në punëkërkuesit, apo te vetë sistemi ekonomik? Në realitet, problemi është kompleks dhe përfshin të gjithë zinxhirin, shkruan Zhurnal.

Hendeku i madh midis kërkesës dhe ofertës së aftësive – 

Shifrat tregojnë se numri më i madh i vendeve të lira është në industrinë përpunuese, e cila regjistron 103.821 vende të plotësuara, por kërkon ende fuqi punëtore. Në të njëjtën kohë, grupi më i madh i vendeve të lira 2.052 bie te profesionet elementare. Kjo sinjalizon qartë se tregu kërkon punëtorë për profesione bazike, manuale, teknike, ndërsa një pjesë e të papunëve kërkon punë që përputhet me arsimin e tyre formal ose pretendime më të larta për pozita administrative.

Në këtë drejtim papunësi a nuk është vetëm mungesë e punës, por shpesh mungesë e aftësive të duhura. Mijëra persona nuk posedojnë trajnimin teknik që kërkohet në industrinë përpunuese, shërbimet ushqimore, apo zanate të caktuara. Arsimi profesional mbetet i nënvlerësuar dhe i pazhvilluar, duke prodhuar gjenerata me diploma por me aftësi të kufizuara praktike.

Pagat e ulëta dhe kushtet jo atraktive të punës – 

Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka shkallën më të lartë të vendeve të lira pune 3.69%. Kjo nuk është befasi. Ky sektor njihet për paga të ulëta, orare të gjata dhe kushte stresuese. Shumë qytetarë preferojnë të presin më gjatë për një punë më të mirë, të emigrojnë, ose të qëndrojnë në ekonominë joformale, sesa të punojnë në kushte që nuk ofrojnë dinjitet ekonomik.

Kërkesa e punëdhënësve për punëtorë “me përvojë”, por ofrimi i pagave minimale e thellon edhe më shumë hendekun apo këtë diskrepancë. Punëkërkuesit nuk janë të gatshëm të pranojnë një vend pune me pagë të ulët, ndërsa punëdhënësit shpesh nuk janë të gatshëm të ofrojnë kushte më të mira.

Migrimi si faktor për mungesën e punëtorëve – 

Maqedonia e Veriut ka një prej normave më të larta të migrimit të fuqisë punëtore në rajon. Shumë prej atyre që posedojnë aftësitë më të kërkuara zanatlinj, kuzhinierë, teknikë, punëtorë prodhimi, e deri tek mjekët, largohen drejt vendeve të BE-së për paga më të larta dhe kushte më stabile.

Ky trend e lë vendin me mungesë të punëtorëve në sektorët kyç dhe prodhon efektin paradoksal vendet e lira rriten, ndërsa cilësia e ofertës së punëtorëve bie.

Ekonomia e vendit mbështetet ende fort në sektorë si industria përpunuese apo shërbimet ushqimore, të cilat nuk gjenerojnë paga të larta. Inovacioni, teknologjia e lartë dhe industritë kreative janë të pazhvilluara. Për pasojë, vendi prodhon shumë vende pune por pak vende të mirëpaguara duke krijuar pakënaqësi dhe rezistencë te punëkërkuesit.

Edhe politikat e shtetit kanë rolin e tyre. Programet e trajnimit shpesh nuk janë të koordinuara me nevojat reale të tregut. Ka mungesë të orientimit profesional në shkolla dhe një distancë mes arsimit dhe industrisë. 

Prandaj, nëse nuk rriten investimet në arsim profesional, trajnim të fuqisë punëtore, zhvillim të industrive me vlerë më të lartë dhe përmirësim të kushteve të punës, ky paradoks do të thellohet. Vendit nuk i mungon puna, i mungon përputhja  dhe mbi të gjitha i mungon strategjia afatgjate për një treg pune modern dhe të drejtë. Në një vend ku ka mijëra të papunë dhe mijëra vende të lira në të njëjtën kohë, problemi nuk është numri por mungesa e një vizioni ekonomik. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More