Editorial Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Pse opozita kërkon të futet në qeveri nga “kapixhiku” dhe jo nga “porta e madhe”!

Zhurnal Ads

Shkruan Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 21 tetor – Opozita shqiptare duket se është e pakënaqur të qëndrojë edhe katër vite jashtë pushtetit dhe ka filluar të japë sinjale se nevojitet një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do të trajtojë në formë sa më të mirë ballafaqimin me pandeminë dhe krizën nëpër të cilën po kalon vendi. Në këtë mënyrë, ata kërkojnë të bëhen pjesë e qeverisë dhe në këtë formë të japin mesazhin se qeveria është e paaftë të drejtojë situata të rëndësishme. Por, a është ky një veprim i denjë për opozitën dhe cilat jan pasojat nga një qeveri e përbashkët!

Taravri kërkon të bëhet pjesë e qeverisë, Zaev është kundër

Sekretari Gjeneral i opozitares Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari ka thënë se nuk do të ishte keq që qeveria aktuale të mendojë për një qeveri të zgjeruar teknike që më lehtë të përballet me krizën që sjellë pandemia. Ai ka shtuar se kjo është situatë kur çdokush duhet të marrë përgjegjësi, përfshirë edhe partitë politike. Sipas tij, kjo duhet të ndodhë sepse ka implikime në ekonomi, në arsim, e për shëndetësi.

Ideja e Taravarit është që opozita të futet në qeveri jo për periudhë të gjatë, por për periudhë deri sa të dilet prej situatës së pandemisë. Ai mendon se në qeverinë teknike duhet të kyçen të gjitha partitë pa përjashtim, e të qëndrojë kështu deri kah vera kur mund të rikthehej qeveria politike.

Kryeministri Zoran Zaev thotë se çdo propozim ia vlen të mendohet por nuk mendon se hyrja e opozitës në qeveri do të ndryshonte ndonjë gjë.  Ai ka thënë se nuk beson se do të ndodhë diçka më e rëndësishme nëse opozita hyn në qeveri dhe se me këtë do të rritet kapaciteti i shtetit. Ai e sheh opozitën si të papërgjegjshme. Kryeministri beson e koalicioni aktual mund të vazhdojë edhe me më guxim të çoj përpara proceset e rëndësishme.

Opozita nëpërmjet “kapixhikut” të futet në qeveri

Zgjerimi i shumicës aktuale në pushtet është përfolur disa herë. Kryeministri Zaev pat deklaruar se numri prej 62 deputetëve, që e përbëjnë shumicën parlamentare do të rritet gjatë muajve në vijim, duke aluduar se deputetë nga partitë opozitare mund t’i bashkëngjiten qeverisë. Por, kjo u hodh poshtë kategorikisht nga ana e partisë “Alternativa” të cilët thanë se asnjë deputet  i tyre nuk do të futet në qeveri. Dyshimet ishin se partia BESA, e cila është në koalicion me LSDM-në e Zaevit është pengesa për kyçjen e më shumë partive shqiptare, por ata deklaruan hapur se do të përkrahin çdonjërin që dëshiron të futet në qeveri, por i cili nuk rrezikon pjesën e kulaçit të tyre.

Menjëherë pas këtyre deklaratave, vjen propozimi i sekretarit të Aleancës për Shqiptarët se nevojitet qeveri teknike. Kjo në një farë forme tregon se brenda opozitës shqiptare ka përçarje dhe se ata nuk janë të të njëjtit mendim nëse duhet të kyçen ose jo në qeveri.

Përkundër përplasjes së opinioneve brenda opozitës, ideja që një opozitë të futet në qeveri , që sigurisht do të ishte me çmim shumë të ulët, sigurisht se është e pavend. Në këtë formë bie poshtë opozitarizmi i tyre, dhe hyrja në pushtet nëpërmjet “kapixhikut” dhe jo “derës kryesore” konsiderohet e ulët dhe jo e denjë. Partitë opozitare me ide, projekte dhe me argumente duhet të kundërshtojnë qeverinë dhe jo të shohin çdo opsion se si të futen në qeveri dhe të përfitojnë nga benificionet e pushtetit.

Qeveria gjithëpërfshirëse, veç se e bllokon edhe më shumë sistemin

Nëse ideja e Taravarit është që të futet në qeveri sepse kjo e fundit nuk di të ballafaqohet me pandeminë dhe problemet aktuale, e sipas tij kjo do të ishte në dobi të qytetarëve, atëherë ky qëllim nuk është aspak adekuat dhe i mirëfilltë. Qeveria teknike, siç ishte para zgjedhjeve të fundit, tregoi se vetëm e dëmton dhe e bllokon funksionimin e shtetit dhe për pasojë nuk ka asnjë sukses në çfarëdo iniciative, sepse askush nuk e merr përgjegjësinë për humbjet ose dështimet e mundshme. Pikërisht pse kishim qeveri teknike, nuk kishte ndoshta edhe luftë të mirëfilltë kundër pandemisë. Opozita në këtë drejtim mund të ndihmojë shumë, sepse mund të kontribuojë me projekte konkrete, por edhe duke e mbështetë qeverinë në idetë e mirëfillta.

Nëse opozita dëshiron të kujdeset për popullin, ata duhet me fakte dhe argumente të tregojnë se përse kjo qeveri aktuale nuk është e aftë dhe e denjë të luftojë dukuritë negative në shtet, por jo me çdo kusht të kërkojë që të bëhet pjesë e saj, sepse kështu mbytet opozitarizmi dhe mundësia për kritikë pozitive dhe me vend ndaj qeverisë. Edhe ardhja në pushtet e opozitës është më e drejtë dhe më e shpejtë duke qëndruar në opozitë, por duke bërë opozitarizëm ashtu siç i ka hije. Fatkeqësisht deri më tani, pozita është në gjumë dhe siç duket e ka hallin se cilët deputetë të bëhen pjesë e pushtetit. Asnjë projekt ose propozim konkret nuk vjen nga opozita shqiptare. Përgjegjësia duhet të kërkohet nga të gjithë, prandaj edhe vetë deklarata e Taravarit janë të çuditshme dhe pa sens të një politikani të mirëfilltë.

Postime të ngjashme

LSDM: Çdo subjekt që shkel masat do të gjobitet

T E

Nikollovski do të kërkojë dorëheqjen e Dimovës

XH,I

Nxënësit e Strugës ndërpresin bojkotin, i kthehen mësimit online

XH,I
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...