Agjencia Zhurnal.mk
Maqedoni

Publikohet një pjesë e raportit të KE-së për Maqedoninë e Veriut

Shkup, 6 tetor – Zhurnal.mk – Pasdite, Komisioni Evropian do të publikojë raporte të rregullta mbi përparimin e reformës në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, si dhe Planin e shumëpritur Ekonomik dhe të Investimeve për rajonin.

Për Maqedoninë Veriut, është vlerësuar përparim në shumicën e fushave, por edhe pjesë ku nevojiten përpjekje shtesë, siç janë media dhe legjislacioni për parandalimin e diskriminimit.

Për sa i përket kritereve politike, KE-ja është e kënaqur që partitë opozitare kanë mbetur të angazhuara në procesin politik, duke siguruar mbështetje për çështje me interes kombëtar siç janë reformat e BE-së dhe anëtarësimi në NATO.

Mirëpritet marrëveshja ndërpartiake për të mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe formimin e qeverisë teknike, si edhe shtyrja e zgjedhjeve për shkak të pandemisë Kovid-19.

Në përputhje me konkluzionet e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Komisioni i vlerësoi ato si të mirëorganizuara, në një frymë vërtet konkurruese, por theksoi se stabiliteti ligjor ishte minuar nga “revizionet thelbësore të kornizës ligjore dhe sundimi pasues i ligjit, përmes dekreteve të qeverisë”, respektivisht vendimet me fuqi ligjore, të cilat dolë nga gjendja e jashtëzakonshme për shkak të Kovid-19.

Komisioni thekson se ” rritja e konsiderueshme e procedruvae të shpejta është një arsye shqetësuese dhe duhet të kufizohet”.

Përpjekjet për të forcuar situatën ndëretnike dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë të mirëseardhura.

Në pjesën e reformës së shërbimeve të inteligjencës nga shtatori i vitit 2019, progresi është i mirëpritur në përputhje me rekomandimet e grupeve të ekspertëve për krijimin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare si një organ i pavarur pa kompetenca policore, ndryshe nga ish – Drejtoria për Zbulim dhe Kundërzbulim. Sidoqoftë, nevojiten përpjekje shtesë që Agjencia të ketë akses në të gjitha mjetet e nevojshme për të qenë në gjendje të përmbushë mandatin dhe detyrat e saj. Gjithashtu nevojitet edhe përforcim i mbikëqyrjes parlamentare të shërbimeve të inteligjencës, rekomandon Komisioni Evropian.

Pikë e dobët mbetet reforma e administratës publike. Në këtë pjesë, Maqedonia e Veriut vlerësohet si “e përgatitur mesatarisht”. Parimet e transparencës, meritës dhe përfaqësimit të barabartë mbeten thelbësore, rekomandon KE-ja. Puna e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit është e mirëseardhur dhe pritet një rezultat i duhur nga raportet dhe rekomandimet e këtij Komisioni.

Gjyqësori, si pjesë themelore e procesit të integrimit evropian, duhet të vazhdojë të përmirësohet, por vlerësohet “përparim i mirë” në zbatimin e strategjisë së reformës për gjyqësorin.

KE-ja po kërkon përpjekje shtesë për të siguruar zbatimin sistematik të planit të rishikuar të veprimit të strategjisë gjyqësore. Puna e Këshillit Gjyqësor, i cili kryen detyrat e tij në mënyrë aktive, është e mirëpritur, ndërsa mekanizmat për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit, llogaridhënien, procedurat disiplinore dhe parandalimin e konfliktit të interesit janë përmirësuar.

Nuk anashkalohen, as Prokuroria Publike (PP), as pasojat e dështimit së Prokurorisë Speciale Publike, as aktgjykimi kundër Katica Janevës.

Ligji për Prokurinë Publike, ndër të tjera, ka për detyrë të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme për rastet që vijnë nga përgjimet e paligjshme.

Lufta kundër korrupsionit, gjithashtu një pjesë themelore e procesit të integrimit në BE, ka bërë përparim të mirë në hetimin, ndjekjen penale dhe marrjen e vendimeve të çështjeve të profilit të lartë të korrupsionit dhe veçanërisht mirëpritet puna e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit dhe roli i tij proaktiv në këtë fushë.

“Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe një qasje më proaktive duhet të sigurohet nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit”, citohet në raport.

Megjithëse Maqedonia e Veriut ka një kornizë ligjore në përputhje me standardet e BE-së për mbrojtjen e të drejtave themelore, një dobësi e madhe për momentin është se vendi nuk ka një ligj gjithëpërfshirës anti-diskriminimi pasi ligji u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese për gabimet procedurale.

KE-ja e konsideron këtë si një “mangësi serioze” që duhet të korrigjohet nga përbërja e re.

Dobësi e Maqedonisë së Veriut është gjithashtu edhe zbatimi i legjislacionit për të parandaluar gjuhën e urrejtjes.

Kritikohet gjithashtu edhe fakti që nuk ka hetues vërtet të pavarur për të kryer mbikëqyrje efektive mbi punën e policisë, gjë që do të mundësojë trajtimin efektiv të fenomenit të mosndëshkimit në polici. Masat e menjëhershme janë të nevojshme gjithashtu për të përmirësuar situatën në burgje dhe për të gjetur zgjidhje alternative për paraburgimin dhe burgimin.

Komisioni Evropian vëren përparim të moderuar në fushën e lirisë së medias, por vëren se tensionet janë rritur gjatë krizës Kovid-19 dhe gjatë fushatës zgjedhore.

“Përpjekjet për vetërregullim duhet të intensifikohen në mënyrë që të përmirësohen standardet profesionale dhe cilësia e gazetarisë”, citohet në raport.

Nevojitet një transparencë më e madhe në fushën e reklamimit të shtetit, reklamimi publik dhe partiak në media, dhe pritet një zgjidhje e qëndrueshme për pavarësinë, standardet profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare të Radio Televizionit Maqedonas.

“Është thelbësore të vazhdojmë të mbështesim pluralizmin e medias, duke promovuar profesionalizmin, raportimin objektiv, gazetarinë investigative si dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë për të luftuar dezinformimin”, citohet në raportin e KE-së.

Komisioni thekson se vendi duhet të vazhdojë të ruajë marrëdhënie të mira fqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë dhe të zbatojë marrëveshjet dypalëshe./MIA

Postime të ngjashme

Gashi: Alternativa do të hynte në Qeveri, por pa BDI-në

R Zh

Musliu: Në Maqedoni nga viti 1990 gjithmonë diçka është tensionuese

T E

Pandemia rriti çmimin e barnave dhe shërbimeve mjekësore

T E

Heshtje në BDI për dorëheqjen e Mexhitit?

R Zh

Remzi Mehmedi: Tetë njësi zgjedhore siç është edhe ndarja e rajoneve zhvillimore

T E

Ulet numri i kurorzimeve për shkak të pandemisë

T E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...