Pushteti dhe opozita po shijojnë “Muajin M”/Njëri tabor “Muajin e Mjaltit”, tjetri “Muajin e Marmeladës”, kush gabon fundi i “qypit” i del “berbat”!

nga I Z

Shkup, 19 gusht – Termi “muaji i mjaltit” është një term mjaft interesant për analizë, sepse gjithçka është, por vetëm “muaj” nuk është. Për çiftet e reja dhe për standardin tonë, ky muaj zakonisht zgjat 10 ditë, maksimum dy javë. Kohën e fundit “muaji i mjaltit” jo rrallë herë po shkurtohet edhe në shtatë ditë, shkaku i çmimeve mjaft të shtrenjtuara në destinacionet e preferuara për çiftet e reja- nga Dubai, në Antali e deri në Jug të Shqipërisë, por edhe për shkak se dhëndri e nusja shpeshherë duhet të kthehen sa më shpejtë në vendin e punës në DE, CH, ose gjetiu.

Në aspektin politik, ky muaj zgjat 100 ditë, domethënë më shumë se tre muaj dhe për këtë arsye themi se termi nuk përputhet me kohëzgjatjen e tij, as në rastin e parë, e as në rastin e dytë. Megjithatë ai është pranuar unanimisht i tillë si në nivel kombëtar, poashtu edhe në nivel ndërkombëtar, prandaj nuk kontestohet as në NATO, as në BE, e as në Kombet e Bashkuara. Si të tillë do ta analizojmë edhe ne kësaj radhe, duke vendosur theksin te “muaji i mjaltit” në politikë, por duke sjellur edhe një nocion të ri, që ndoshta deri tani nuk është përdorur në kontekstin politiko-partiak.

Na ndiqni në vazhdim!

Të gjithë se dimë se “muaji i mjaltit” në politikë paraqet një fazë 100 ditore pas formimit të një qeverie të re, brenda së cilës periudhë preferohet xhentilesë politike, që qeveria të kursehet nga sulmet dhe të mos kritikohet me çdo kusht dhe për pak e shumë, si nga opozita, poashtu edhe nga mediumet. Kjo nuk do të thotë se gjatë kësaj kohe qeveria ka duart e zgjidhura dhe mund të bëjë gjithçka që i teket, por përkundrazi, nëse kemi qeveri serioze, gjatë këtyre 100 ditëve duhet të jetë maksimalisht e përpiktë, që të mos e sjellë opozitën në situatë të reagon dhe ta kritikon punën e saj.

Nga ana tjetër, edhe pse deri tani nuk është përdorë në terminologjinë politike, prej sot mund të futet në përdorim edhe një nocion i ri i ashtuquajtur “Muaji i Marmeladës”. Po e përdorim këtë emërtim pak për shkak të ngjashmërisë në pamje të mjaltës me marmeladën, pak për shkak të shkronjës së parë të tyre, por edhe për shkak se mjalta e marmelada kanë shije të ëmbël, kuptohet që megjithatë dallojnë nga njëra tjetra. Me këtë nocion (Muaji i Marmeladës), duam ta përshkruajmë fazën brenda së cilës pushteti i deridjeshëm, i adaptohet rolit të ri opozitar. Meqë është nocion i ri, nuk mund të themi se përkufizohet në ndonjë kohëzgjatje formale-50, 60, 100 apo më tepër ditore, sepse bëhet fjalë për diçka relative. Por është një fazë në të cilën pushtetarët e deridjeshëm vazhdojnë ende të “ëmbëltohen” nga pak me inercion nga kohëzgjatja e qëndrimit në qeveri, por fillojnë ta shijojnë edhe thartirën e të qenurit në opozitë. (Mos mendoni se duam të themi se fillojnë të ju ndalet ëmbëlsia që sjellin ‘tenderat’ dhe fillon të ndjehet shija e ‘thartë’ e blerjes në dyqane me para të xhepit, e jo me kartela zyrtare. Sic.) . Kështu që marmelada nuk është e shëndetshme sikur mjalta, por sado kudo ka shije të ëmbël dhe kujton pak a shumë ditët e kaluara në pushtet.

Në aspektin figurativo-simbolik, konform gojëdhënave dhe tregimeve popullore, “muajin e mjaltit” dhe “muajin e marmeladës” mund t’i përshkruajmë si një qyp me mjaltë, respektivisht me marmeladë. Normal se fillimisht shijohet pjesa e epërme e përmbatjes së qypit, që është mjaft e shijshme, si në rastin e mjaltës, poashtu edhe të marmeladës.
Nëse kemi qeveri të përgjegjshme dhe konstruktive, mund të shijon jo vetëm një qyp (mandat) deri në fund, por edhe dy ose tre qype (mandate) me mjaltë.
Apropo kësaj, nëse kemi një opozitë të aftë dhe konstruktive, ende pa e harxhuar deri në fund qypin me marmeladë, mund t’i kthehet qypit me mjaltë, respektivisht mund të rikthehet në pushtet. Por nëse kemi opozitë që bën gabime, mund të han dy tre qype me marmeladë me radhë, respektivisht të mbetet dy-tre mandate në opozitë.

Sidoqoftë, as varianti i parë për pushtetin, e as varianti i dytë për opozitën, nuk është më i keq se varianti i tretë. Varianti i tretë është nëse pjesa e epërme e qypit është e mbushur me mjaltë ose marmeladë, e pjesa e poshtme me diçka tjetër. Prandaj është me rëndësi që qoftë pushteti, qoftë opozita të të jenë të kujdesshme: të mos ngatërrohen në pjesën e poshtme të qypit, se vaj halli për ta, kurrë më nuk mund të shohin dritën e suksesit në politikë. Doo të sharrojnë deri në fyt!/Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More