Putini po hedh mbulojën mbi viktimat e shfajësuara të Stalinit

nga Redaksia

Midis këtyre kategorive thuhet se janë nacionalistët ukrainas dhe baltikë, si dhe “grupe kriminelësh” rusë që i rezistuan sundimit sovjetik. Është e qartë se konteksti shumë i rëndësishëm për urdhrin e Krasnovit është sulmi i Putinit ndaj kombit ukrainas dhe shtypja e tij ndaj disidencës në vend

Nga Tony BARBER

Në vitin 2013, gjatë një emisioni televiziv me pyetje dhe përgjigje me qytetarët rusë, Vladimir Putini shfrytëzoi rastin për të kritikuar persekutimin e miliona njerëzve nga Joseph Stalini në epokën sovjetike. “Nuk kemi nevojë të kthehemi në periudhën e errët të vitit 1937”, u tha ai shikuesve.

“Stalinizmi lidhet me kultin e personalitetit dhe shkeljet masive të ligjit, me represion dhe kampe. Nuk ka asgjë të tillë në Rusi dhe, shpresoj, nuk do të ketë më kurrë”. Pse, atëherë, autoritetet po revokojnë me raste disa nga rehabilitimet zyrtare të viktimave të Stalinit që kanë ndodhur që nga sundimi i Nikita Hrushovit në vitet 1950 dhe 1960? Kjo rrezikon të rihapë plagë të dhimbshme në shoqëri dhe madje t’i tundojë njerëzit të bëjnë krahasime midis Putinit dhe Stalinit, në një kohë kur presidenti rus i jep përparësi unitetit kombëtar në luftën kundër Ukrainës. Sipas një projekt-urdhri të përgatitur këtë muaj nga Igor Krasnovi, kryeprokurori i Rusisë, ndryshimi i rehabilitimit është i kufizuar në shtrirje. Duket se prek vetëm “bashkëpunëtorët nazistë” dhe “tradhtarët e atdheut” që mendohet se janë rehabilituar gabimisht pas vdekjes së Stalinit.

Midis këtyre kategorive thuhet se janë nacionalistët ukrainas dhe baltikë, si dhe “grupe kriminelësh” rusë që i rezistuan sundimit sovjetik. Është e qartë se konteksti shumë i rëndësishëm për urdhrin e Krasnovit është sulmi i Putinit ndaj kombit ukrainas dhe shtypja e tij ndaj disidencës në vend.

Gjithsesi, kjo masë duket e pazakontë. Rehabilitimi i kriminelëve të luftës është tashmë i ndaluar sipas ligjit rus. Ndoshta disa keqbërës u shfajësuan gabimisht nën Hrushovin ose Mihail Gorbaçovin, gjatë sundimit të të cilit më 1985-1991 mbuloja e krimeve të Stalinit u hoq si kurrë më parë. Por, me siguri, janë të paktë në numër. Në një aspekt, urdhri i Krasnovit është thjesht propagandë që synon diskreditimin e identitetit ukrainas dhe të kundërshtarëve të Putinit. Por, ka më shumë se kaq. Ashtu si miliona qytetarë të pafajshëm sovjetikë që u burgosën, u internuan, u dërguan në kampet e punës dhe u ekzekutuan nën Stalinin, ashtu edhe përmbysja e disa rehabilitimeve rrezikon të jetë proces arbitrar në një vend ku gjyqësori është në varësi të nevojave të Kremlinit.

Në një sondazh rus të vitit 2018, më shumë se një e treta e të anketuarve thanë se kishin të afërm që kishin përjetuar represion nën Stalinin. Si do të reagonin ata nëse do të mësonin se, në disa raste, autoritetet tani vlerësojnë se të afërmit e tyre ishin rehabilituar ilegalisht? Nuk mund të jemi të sigurt, por kjo ka shanse që të nxisë shumë hidhërim. Mund të ringjallë gjithashtu kujtimet e lidhjes në historinë moderne ruse, midis procesit të rehabilitimit dhe përpjekjeve për të çmontuar despotizmin. Nën Hrushovin dhe veçanërisht Gorbaçovin, qëndrimi i hapur zyrtar për mizoritë e së kaluarës dhe rehabilitimin e viktimave të pafajshme, krijoi presion për liberalizimin më të gjerë. Organizata që përfaqësoi në mënyrë më efektive këtë shtytje për demokraci dhe ndershmëri rreth historisë, ishte grupi i të drejtave të njeriut Memorial, të cilin Putin e mbylli në vitin 2021.

Nga ana tjetër, edhe ndryshimi i pjesshëm i rehabilitimeve do të shërbente si sinjal i dyfishtë për popullin rus. Nga njëra anë, do të nënvizonte tendencën drejt rritjes së represionit të brendshëm politik.

Nga ana tjetër, do të nxirrte në pah nxitjen e pangopur të Putinit për të vendosur kujtimin e të kaluarës ruse nën kontrollin zyrtar dhe, siç thotë studiuesi Jade McGlynn, për ta mbështjellë historinë e kombit me “dezinformata, mite dhe narrativa të rreme”. Kjo nuk duhet të interpretohet si përpjekje e Putinit për të rehabilituar vetë Stalinin ose për të zbardhur të gjithë trashëgiminë sovjetike. Për pjesën më të madhe të sundimit të tij, Putini është kufizuar në lavdërimin e disa aspekteve “të mira” të epokës së Stalinit, mbi të gjitha fitoren mbi nazistët, ndërsa është distancuar nga shtypjet masive të diktatorit. Por, rishikimi i disa rehabilitimeve është shenjë se edhe ky version i historisë mund të ndryshohet së shpejti për t’iu përshtatur qëllimeve të Putinit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More