Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë të ditur se ankesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me parregullsitë ne fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut është në proces të shqyrtimit.
PZAP ka thënë se vendimin ndaj kësaj ankese do ta merr brenda afatit ligjor.
“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se PZAP-i ka pranuar ankesën me nr. ZL.Anr.439/2025, që ka të bëjë me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut. PZAP-i, është në proces të shqyrtimit dhe brenda afatit të paraparë ligjor për të njëjtën do të vendos”, tha PZAP-ja në një përgjigje për RTV 21.
Të pyetur nëse ka ndonjë ankesë nga ndonjë parti tjetër për fletëvotime me numra të ndryshëm serik në ndonjë komunë tjetër, PZAP-ja tha se nuk kanë ankesa tjera.
“Ndërsa, sa i përket pyetjes suaj nëse janë pranuar ankesa të tjera me natyrë të ngjashme nga ndonjë subjekt tjetër politik apo për ndonjë komunë tjetër, ju njoftojmë se PZAP-i nuk ka pranuar ankesa të tilla”, tha PZAP-ja.
Përveç kësaj, PZAP-i tha se ka pranuar edhe ankesën me nr. ZL.Anr.440/2025, e cila ka të bëjë me pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit në Komunën e Drenasit. PDK-ja tri ditë më parë kishte dorëzuar ankesë në PZAP për fletëvotimet me numra të ndryshëm serik në Mitrovicë të Jugut me pretendimet për manipulim votash në këtë komunë.
