Agjencia Zhurnal.mk
Kulturë

Qendra Kinematografike i harron problemet buxhetore, shpall 26 projekte fituese

Me shlyerje borxhesh të trashëguara sherri i financimit të projekteve pa e pasur buxhetin, Qendra Kinematografike është përballur gjatë gjithë vitit, e në fund ka i shpallur projektet fituese për sivjet. Me 650 mijë euro është zotuar t’i përkrahë 26 projekte filmike. Për bartjen e mjeteve kanë mbetur edhe pak ditë, por një gjë e tillë bëhet kur nisin projektet, që i bie se ato do të financohen me buxhetin e 2021-s
Qendra Kinematografike e Kosovës ka vendosur që t’i lërë anash problemet financiare. Ka harruar borxhet dhe ka shpallur projektet fituese të konkursit të sivjetshëm. Të enjten pasdite ka bërë të ditur se është vendosur që 26 projekte kinematografike në 9 kategori të përkrahen me 650 mijë euro.

Ishin 71 projekte filmike që i janë adresuar Qendrës Kinematografike të Kosovës në konkursin e saj vjetor të hapur në korrik. Por, kriteret që t’i nënshtrohen vlerësimit i kanë përmbushur 63 projekte.

Në kategorinë e filmave të metrazhit të gjatë artistik janë përkrahur projektet “2000 A post-war Odyssey” i shtëpisë filmike “Plan Bee Film” nën regji të të Zgjim Terziqit dhe “Personazh” i shtëpisë filmike “2B” nën regji të Ekrem Xanit. Sa u përket filmave të shkurtër artistikë, juria ka vendosur që të përkrahen tri projekte: “Lulja e parë” nën regji të Astrit Ismailit, “Koagulim” i Noar Sahitit dhe “Pritja” nën regji të Artan Korenicës. Po ashtu, tri projekte janë në listën e filmave të metrazhit të gjatë dokumentar: “Home is where the films are” nën regji të More Raçës, “Më shumë se lojë” nën regji të Fatos Berishës dhe “When the trees opened” nën regjit të Ilir Hasnajt. QKK-ja nga projektet e sivjetme do ta përkrahë vetëm një film të metrazhit të gjatë artistik debutues. Është projekti “Karma” nën regji të Esat Fejzës.

Një projekt i filmit të metrazhit të shkurtër të animuar (“Shpia” i Flaka Kokollit), një tjetër i metrazhit të shkurtër dokumentar (“Greendeserts” i Sovran Nrecajt) dhe një për postproduksion të metrazhit të gjatë artistik (“The Hill where lionesses roar” i Luana Bajramit) janë në listën e fituesve bashkë me 11 për zhvillim skenari. Tri projekte të kooproduksionit minor në film të metrazhit të gjatë po ashtu kanë marrë përkrahjen e QKK-së, dy janë projekte të Shqipërisë e një i Maqedonisë së Veriut.

Siç zakonisht ndodh, vlera e përkrahjes financiare për secilin projekt nuk është bërë e ditur në ditën e shpalljes së rezultateve.

Isa Qosja, Agron Vula, Katriel Schorry, Lenka Tyrpakova, Valton Beqiri, Ismet Sijarina dhe Ilir Gjocaj, kanë qenë shtatëshja e jurisë vlerësuese.

KOHA në fillim të muajit ka raportuar se premtimet e Ministrisë së Kulturës dhe menaxhimi i Qendrës Kinematografike të Kosovës, duke u bazuar në to, kanë nisur ta nxjerrin në pah krizën e këtij institucioni. Është dashur më shumë se një muaj nga prezantimi i projekteve që të shpallen rezultatet. Arsyeja është buxheti.

Pakënaqësitë për vlerësim janë të shumta. Bile, duke pasur këtë për bazë, regjisori Agim Sopi, i cili kishte konkurruar me projektin “S’ka mbetur fjalë pa u thënë”, ka qenë krejt i shkurtër në deklaratën e tij.

“Nuk ia vlen të komentojmë”, ka thënë ai.

Drejtori i QKK-së, Arben Zharku, në fillim të dhjetorit kishte thënë se juria i ka përfunduar vlerësimet pas prezantimit nëpërmjet platformës “Zoom”, ndërsa sapo të konfirmohet shuma e buxhetit nga ana e Këshillit Drejtues atëherë do të bëhen të ditur fituesit e këtij konkursi. Pos jurisë, QKK-ja formon edhe një komision financiar i cili i tregon limitet e përkrahjes së një projekti dhe për këtë bën një raport. Pastaj, Këshilli Drejtues vendos për shumat e përkrahjes.

“810 mijë euro është i gjithë buxheti. Diku 650 janë të menduara për projekte. Kemi pasur edhe obligime, kështu që duhet parë si të veprojmë. Këshilli Drejtues dhe ne jemi duke diskutuar me Ministrinë e Kulturës. Duhet parë se si do të balancohen obligimet ose marrëdhëniet kontraktuese”, kishte thënë ai. Zharku në mbrëmjen e së enjtes nuk është lajmëruar.

Njëjtë ka vepruar edhe kryetarja e Këshillit Drejtues të QKK-së, Arbnesha Grabovci – Nixha. Ajo nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike, e as mesazheve elektronike.

Veprimtaria që QKK-ja ka pasur gjatë viteve 2018 dhe 2019 ka bërë që ky institucion ta marrë tatëpjetën financiare.

Në bazë të të dhënave të këtij institucioni dhe të Ministrisë së Kulturës, Qendra Kinematografike e Kosovës nuk ka mbulesë financiare për të paktën 1.2 milionë euro, për të cilat ka hyrë në marrëdhënie kontraktuese. Për sivjet, MKRS-ja i ka ndarë buxhet prej 810 mijë eurosh. Nga këto mjete, vetëm deri në fund të qershorit, QKK-ja ka paguar 500 mijë euro detyrime të viteve të kaluara. Projektet që do të shpallen fituese sivjet pritet që të mos financohen brenda vitit, por kriza do të thellohet nëse Ministria e Kulturës nuk ndan buxhet shtesë për këtë institucion që subvencionon projektet kinematografike. KOHA e ka konfirmuar se MKRS-ja për sivjet nuk ka paraparë buxhet shtesë për QKK-në, kurse për vitin që vjen ka planifikuar 793 mijë 537 euro.

Qysh në prill të këtij viti, gazeta kishte raportuar se QKK-ja është në prag të kolapsit financiar. Pavarësisht kësaj, në korrik ishte hapur konkursi.

Sipas të dhënave zyrtare të QKK-së, në vitin 2019 janë përkrahur 28 projekte kinematografike në tetë kategori. Krejt bashkë peshojnë 1 milion e 282 mijë euro. Por, dokumenti i politikave kulturore të Ministrisë së Kulturës për atë vit sqaron se QKK-ja realisht kishte shpenzuar vetëm 620 mijë euro për projekte kinematografike. Mjetet i ishin premtuar nga MKRS-ja, por nuk i ishin ndarë. Për vitin 2018, QKK-së i ishin ndarë 766 mijë euro për subvencionimin e projekteve dhe për shpenzimet e tjera të institucionit. Pas hapjes së konkursit e shpalljes së fituesve, premtimet e ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, për dyfishim buxheti e kishin ndryshuar gjendjen. Pas asaj vizite të ish-ministrit, juria i ishte kthyer edhe një herë listës së aplikacioneve. Nga 17 projekte të përzgjedhura, ishin bërë 25. Krejt bashkë peshonin 1 milion e 178 mijë euro. E bashkë me projektet pa mbulesë financiare të 2019-s krijojnë shumën prej 2 milionë e 460 mijë eurosh. Por, në realitet, QKK-ja për këta dy vjet kishte 1.2 milionë euro buxhet për subvencionimin e projekteve kinematografike. Janë fiks 1.2 milionë euro më pak sesa marrëdhëniet kontraktuese në të cilat institucioni ka hyrë në dy vjetët e fundit.

Përderisa në prill kishte paralajmëruar kolaps financiar, në korrik, Arben Zharku ishte paraqitur shumë komod. Kishte thënë se për punët e kryera për të cilat kanë pasur kontrata i kanë mbuluar obligimet.

Postime të ngjashme

Vepra origjinale e Banksyt është djegur, digjitalizuar dhe vendosur në shitje

S.B.

“Ariu i Artë” për filmin e pazakontë rumun

S.B.

Në Louvre kthehet parzmorja që ishte vjedhur gati 40 vjet më parë

S.B.

Shkodran Tolaj sjell projektin premierë “Nga Shkupi në Prekaz” për Epopenë e Adem Jasharit në 23 vjetorin e lavdishëm

S.B.

Holandë/ Mbrëmja poetike mbledh poetë shqiptarë dhe holandezë për 7-8 mars

S.B.

Ndahet nga jeta kompozitori i njohur Agim Krajka

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...