Shkup, 8 tetor, zhurnal.mk – Qeveria ende nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e Komisionit të Venecias në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve si dhe periudhën kohore në të cilën ato do të zbatohen. Së shpejti, siç shpjegoi ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, do të formohet grupi i punës për të shqyrtuar në detaje vërejtjet e Komisionit pas së cilës do të vendoset se si të veprohet sipas tyre.
“Në parim, ne si Qeveri gjithmonë kemi respektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias. Konkretisht për këtë ligj, Qeveria e dërgoi atë me iniciativën e saj për shqyrtim dhe mori vërejtjet. Ne ende nuk i kemi shqyrtuar ato, as Qeveria, as kemi vendosur se si do të implementohen dhe në cilën periudhë kohore”, tha ministri Mariçiq duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp.
Ai njoftoi se në periudhën e ardhshme çështja do të shqyrtohet dhe do të duhet të formohet grupi i punës i cili do të duhet të kalojë në detaje nëpër vërejtjet dhe komentet e Komisionit të Venecias.
“Ne jemi ende duke e shqyrtuar këtë çështje. Nuk është diskutuar as në nivelin e Qeverisë dhe as në nivelin e koalicionit se si do të duket procesi i rishikimit të komenteve të Komisionit të Venecias, të cilat më së shumti i referohen funksionimit të këtij ligji në sistemin e drejtësisë”, tha ministri i Drejtësisë.