Qeveria gjermane u ka ofruar qytetarëve afganë që kanë leje për të ardhur në Gjermani ndihmë financiare nëse heqin dorë vullnetarisht nga zhvendosja e tyre në atë vend.
Sipas portalit gjerman Focus Online, oferta i referohet rreth 660 personave që janë pjesë e dy programeve qeveritare – të ashtuquajturës “listë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut” dhe “program kalimtar”.
Personat që pranojnë të heqin dorë nga ardhja në Gjermani do të marrin një ndihmë të njëhershme prej 1.500 eurosh në Pakistan dhe një “mbështetje fillestare” shtesë prej 5.000 eurosh, ndërsa shuma më të mëdha janë planifikuar për familjet.
Në dokumentin e dërguar nga organizata GIZ në emër të Ministrisë së Brendshme Gjermane, thuhet se nuk është e sigurt që të gjitha procedurat do të përfundojnë deri në fund të vitit.
Qeveria gjermane pranon se disa afganë mund të mbeten pa viza, ndërsa Pakistani u kërkon atyre të largohen nga vendi.
Ministri i Brendshëm Aleksandar Dobrindt (CSU) e shpjegoi vendimin me presionin e kohës dhe situatën e pasigurt në Pakistan.
Organizatat e të drejtave të njeriut e kritikuan ashpër ofertën, duke thënë se kthimi në Afganistan, ku sundojnë talebanët, rrezikon jetën e atyre njerëzve.
“Shumë shitën gjithçka për të ikur. Ata nuk mund të fillojnë një jetë të re për 6,500 euro”, tha zëdhënësja e organizatës, Eva Bejer.
Në të njëjtën kohë, më shumë se 30 qytetarë afganë, të cilët fituan të drejtën për të hyrë në Gjermani përmes gjykatave, mbërritën sot në Hanover.
