Agjencia Zhurnal.mk

Qeveria kërkon përgjegjësi dhe bashkëpunim për ligjin për Prokurorinë, partitë me qëndrime të pandryshuara

Shkup, 20 janar, zhurnal.mk – Përgjegjësi dhe bashkëpunim të subjekteve politike për ligjin për prokurorinë publike dje kërkoi kryeministri në Qeverinë teknike, Oliver Spasovski. U bëri thirrje partive të jenë në nivel të detyrës sepse bëhet fjalë për çështje të interesit të lartë shtetëror. Nga LSDM edhe dje me qëndrim se ka mundësi të sillet ligji deri në shpërndarjen e Parlamentit, ndërsa nëse nevojitet edhe të mbahet takim liderësh. Ndërkaq nga VMRO-DPMNE-ja, thonë së pari harmonizim të qëndrimeve të grupeve të punës, e më pas, nëse nevojitet, takim i liderëve.

Qëndrimet rreth këtij ligji për të cilin tashmë një kohë të gjatë nuk ka harmonizim dje i paraqitën njerëzit e parë të Qeverisë dhe të dy partive më të mëdha maqedonase – LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Kryeministri Spasovski nga Koçani porositi se është i domosdoshëm bashkëpunimi i të gjitha palëve të involvuara në proces.

“Të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje me qëllim që t’i realizojmë interesat tona nacionale, e ndër to është edhe anëtarësimi në NATO dhe në BE”, tha Spasovski.

Lideri i LSDM-së në pushtet, Zoran Zaev mbetet optimist se Parlamenti do t’i miratojë deri më datën 12 të muajit të ardhshëm të gjitha zgjidhjet e rëndësishme ligjore, mes të cilave edhe ligjin për prokurorinë publike, për të cilin nevojitet shumicë prej dy të tretave. Mbetet në qëndrimin të marrë pjesë në takim liderësh nëse imponohet nevoja për atë.

“Këtu jam në dispozicion të bisedoj me të gjithë për të gjetur zgjidhje. Tani jemi të shkarkuar sepse lëndët e PSP-së janë siguruar, janë në procedurë gjyqësore nën kontrollin e prokurorit shtetëror publik. Kështu të shkarkuar, në Parlament mund të arrijmë zgjidhje strukturore, thelbësore për prokurorinë publike, që do të mbështetej nga të gjithë”, deklaroi Zaev, duke shtuar se beson që do të sigurohet shumicë prej dy të tretave.

Takimi i liderëve, nëse ka nevojë për të, sipas Zaevit, duhet të mbahet sa më shpejtë sepse më pas do të pasonin procedurat në Parlament, debati në komision, mbledhja plenare….

“Në fund të ditës nuk pyeten vetëm Zaev dhe Mickoski, por edhe partitë e tjera politike, grupi i pavarur i deputetëve, në mënyrë që të gjithë të mund të japin sugjerimet e veta për një çështje të këtillë thelbësore, strukturore”, tha Zaev.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, Hristian Mickoski, ndërkaq mendon se së pari duhet të harmonizohen qëndrimet e grupeve të punës, e madje më pas të mbahet takim i liderëve.

“Kjo që është propozuar nga LSDM është ligj që duhet në të ardhmen t’i mbrojë strukturat kriminele të LSDM-së që pas 12 prillit do të jenë në opozitë. Kështu që nëse duhet të mbahet takim vetëm sa për t’u mbajtur, nuk kam ndër mend të humb kohë. Këtu janë grupet e punës, në javën që vjen, supozoj se do të kenë takim dhe nëse i afrojnë qëndrimet, atëherë mund të flasim për mbajtje të takimit të liderëve”, deklaroi dje Mickoski.

Ligji për prokurorinë publike mbeti pengesë mes pushtetit dhe opozitës. Tashmë një periudhë më të gjatë kohore nuk ekziston harmonizim mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Grupet e punës nga të dy partitë disa herë tentuan t’i afrojnë qëndrimet, por pa sukses. Pas ardhjes së eurokomisarit Oliveer Varhej javën e kaluar dhe bindjes së tij se përbërja e tanishme parlamentare do t’i japë prioritet këtij ligji, sërish u aktualizua kjo çështje.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...