Kosova ende nuk i ka siguruar 500.000 vaksinat anti-COVID nga kompania Pfizer dhe BioNTech. njofton Insajderi.
Menaxherja e Pfizer për rajonin Adriatikut, Urska Lakner i ka thënë Gazetës Shneta se ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje për furnizim me vaksina.
“Kemi pas bisedime me Qeverinë. Për t’u arritur marrëveshja ajo duhet të nënshkruhet. Përderisa ende nuk është nënshkruar nga të dy palët, ne nuk mund ta komentojmë atë”.https://tinyurl.com/y4tkrgmb
Gazeta Online Insajderi, ka tentuar të kontaktojë me personat kompetent në Ministrinë e Shëndetësisë, por ka qenë e pamundur.
Ditë më parë, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte deklaruar se janë siguruar vaksinat anti-COVID19. Madje, sipas atij ato do të jenë në pozicion gjatë shkurtit.
“Siç e kemi bërë të ditur dje, në kuadër të angazhimeve konkrete të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, kemi marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 500 000 dozave të kësaj vaksine. Këtë konfirmim e kemi marrë ditën e djeshme pas një seri takimesh dhe negociatash me këtë kompani, vaksina e së cilës është e para që është aprovuar për përdorim, në kuadër të përpjekjeve globale për mbrojtje kundër COVID-19”, kishte thënë Zemaj.