Qeveria shqiptare vendosi të premten të shfuqizojë gjobat e paekzekutuara nga një sërë institucionesh në 10 vitet e kaluara.
Vendimi zbatohet për periudhën 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 dhe institucioneve publike përgjegjëse, si Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, u është lënë detyra që brenda 30 ditëve të përgatitin listat përkatëse të detyrimeve ende të paekzekutuara nga ana e tyre.
Nga falja e gjobave do të përfitojnë subjekte ose individë të penalizuar për ndërtime pa leje, për kundërvajtjet ose masat administrative të autoriteteve policore, për prodhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore/blegtorale në shkelje të rregullave, për subjektet që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 etj.
Vendimi merr fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
Partia Demokratike ka reaguar në lidhjen me vendimin më të fundit të qeverisë, për të amnistuar disa kategori gjobash të cilat janë vendosur gjatë 10 viteve të fundit. Nga vendimi përfitojnë subjekte ose individë të penalizuar për ndërtime pa leje, për kundërvajtjet ose masat administrative të autoriteteve policore, për prodhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore/blegtorale në shkelje të rregullave, për subjektet që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 etj.
Sipas deklaratës së Partisë Demokratike, vendimi është në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe të barazisë në garë, në ditën e fundit të fushatës.
PD deklaron se “Kryeministri në ikje ka firmosur një amnisti të gjerë, duke shkelur arbitrarisht, në mënyrën më anti-evropiane të mundshme, ligjin dhe rregullat e garës.”
Sipas PD-së, kryeministri ka bërë të njëjtën gjë edhe para dy vjetësh kur, në mes të fushatës, u dha bonus 670 mijë pensionistëve.
“KQZ në atë rast bëri një interpretim lukashenkian, duke thënë se, në zgjedhje lokale i lejohej, por jo në të përgjithshme. Tani ligji shkelet në zgjedhje të përgjithshme. Çfarë ka për të thënë z. Celibashi?! Po SPAK dhe Prokuroria, që kanë ngritur task-forca për manipulimin e zgjedhjeve, çfarë kanë për të thënë për këtë megashkelje? Partia Demokratike e ka në programin e saj elektoral amnistinë e gjobave dhe të faturave të papaguara, por për shtresat në nevojë, për të pamundurit, jo për abuzuesit.”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.
“Me këtë veprim Edi Rama shpërfill hapur rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe rezolutën e PPE, e cila e kushtëzon integrimin e vendit me respektimin e ligjeve dhe rregullave të demokracisë. Edi Rama është një gjobvënës: që nga 20 përqindëshi i lejeve si kryebashkiak, dhe deri te qindra milionat e incineratorëve. Me paraqitjen e rrejshme si gjobëfalës në vitin e 12-të të pushtetit, nuk gënjen askënd.”, mbyllet deklarata për shtyp e PD-së.