Shkup, 12 dhjetor – Zgjedhjet lokale përfunduan dhe pas ndryshimit të pushtetit nga zgjedhjet e kaluara parlaemntare në nivel qendror e njëjta u transmetua edhe në pushtetin lokal. Koalicioni VLEN, me dhjetë komuna të fituara, tashmë e ka mundësinë por edhe përgjegjësinë të tregojë se qeverisja me të vërtetë mund të bëhet ndryshe. Ky premtim i bërë gjatë fushatës do të mbetet i zbrazët nëse hapi i parë nuk është transparenca e plotë me qytetarët. Qytetarët kanë votuar ndryshe sepse kërkuan llogaridhënie, pastërti dhe fund të praktikave të vjetra të abuzimit të pushtetit. Tani, është koha që kjo të materializohet në vepra, shkruan Zhurnal.
Në Saraj filloi, duhet të vazhdojë ritmi i transparencës në gjitha komunat tjera –
Modeli tashmë ekziston dhe vjen nga Saraji. Kryetari i sapozgjedhur, Muhamed Elmazi, me veprimin e tij të menjëhershëm për të denoncuar parregullsitë e qeverisjes së kaluar, e vendosi standardin e ri moral dhe institucional. Ai nuk priti 100 ditët e para. Nuk fshihej pas procedurave, e as pas fjalëve të përgjithshme. Përkundrazi, e nisi mandatin duke u treguar qytetarëve gjithçka që kishte gjetur si problem e duke artikuluar kështu hapur se ku ishte dëmtuar interesi publik.
Ky është akt i guximshëm politik, por edhe i domosdoshëm. Pa nxjerrë në dritë gabimet, keqpërdorimet apo dështimet e qeverisjeve të kaluara, çdo premtim për ndryshim mbetet vetëm deklaratë fushate. Transparenca është themeli i sundimit të mirë dhe një qeveri e re që pretendon reformë nuk mund të nisë punën duke heshtur për padrejtësitë e trashëguara.
Kryetarët e tjerë të komunave të udhëhequra nga VLEN tashmë e kanë para vetes një shembull që duhet ndjekur. Secila komunë duhet t’u paraqesë qytetarëve një raport të qartë e të detajuar për gjendjen reale të financave, për projektet e papërfunduara, për kontratat e dyshimta, për punësimet partiake, për borxhet dhe çdo element tjetër që ka prekur qeverisjen. Vetëm kështu krijohet besim i cili pastaj shndërrohet në kulturë të qeverisjes edhe në nivel lokal.
Nëse Saraji tregoi se mund të qeveriset me kurajo dhe pa kalkulime politike, atëherë s’ka arsye që edhe komunat e tjera të mos e bëjnë të njëjtën gjë. Qytetarët do ta vlerësojnë sinqeritetin më shumë sesa retorikën boshe të fushatës. Në këtë drejtim, transparenca nuk është akt i ndëshkimit politik, por akt i pastrimit të institucioneve nga keqqeverisja.
Pasi nuk duhet të harrojmë që VLEN e fitoi mbështetjen me premtimin për t’u distancuar nga praktikat e vjetra. Tani është koha për ta provuar këtë në çdo hap dhe mundësi, e nuk ka gjë më të mirë sesa fillimi qeverisjes ndryshe me transparencë të plotë. Saraji e nisi si duhet e tani radhën e kanë të tjerët. /Zhurnal.mk
