Qindra fëmijë po mbahen në burgje në Siri, thotë Kryqi i Kuq

Kryq i Kuq Ndërkombëtar (ICRC) tha se qindra fëmijë janë të burgosur në burgjet e të rriturve në Sirinë verilindore.

 

Agjencia tha se fëmijët, kryesisht djem, janë dërguar në burgje pasi janë marrë nga kampi al-Hol, i drejtuar nga forcat kurde siriane. Në këtë kamp janë rreth 60,000 njerëz që kanë qenë të lidhur me luftëtarët e Shtetit Islamik (IS) nga më shumë se 60 vende.

Shumica janë gra dhe fëmijë që u larguan atje pasi bastionet e fundit të IS-it u shkatërruan dy vjet më parë.

“Qindra fëmijë, kryesisht djem, disa të moshës 12 vjeç, janë të arrestuar në burgjet e të rriturve. Ata nuk u përkasin këtyre vendeve”, tha Fabrizio Carboni, drejtori rajonal i ICRC-së për Lindjen e Mesme, në një konferencë për shtyp.

Vitin e kaluar, kjo organizatë, ka bërë 36 vizita në objektet e paraburgimit. ICRC është organizata e parë që ka pasur qasje të tillë.

ICRC gjithashtu u bëri thirrje vendeve që të riatdhesojnë shtetasit e tyre nga kampi al-Hol dhe të mbajnë familjet e bashkuara “siç e parasheh ligji ndërkombëtar”.

Carboni, e ka vizituar katër herë në dy vitet e fundit kampin al-Hol.

“Thjeshtë nuk mund të mësohem me atë pamje kur shoh aq shumë fëmijë prapa telave me gjemba”, tha ai.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve UNICEF ka thënë se, gushtin e kaluar, tetë fëmijë nën 5 vjeç kishin vdekur në kamp, gjysma nga ndërlikimet e lidhura me kequshqyerjen.

Shtetasit e Kosovës në Siri

Rreth 100 kosovarë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe Irakut. Sipas të dhënave të fundit të Policisë së Kosovës, më së shumti atje ka fëmijë.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës tha se sipas të dhënave të fundit që posedojnë, në zonën e konfliktit edhe më tej vazhdojnë të jenë gjithsej 96 kosovarë, prej të cilëve 43 burra, nëntë gra dhe 44 fëmijë, (përfshirë këtu edhe 32 fëmijë të lindur në zonën e konfliktit nga së paku njëri prind kosovar). Ndërkaq, organizata Iniciativa Atlantike nga Sarajeva thotë se në zonat e konfliktit vazhdojnë të jenë 97 persona nga Kosova, ndërkaq 400 në total nga Ballkani Perëndimor.

Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Por, për grupin e mbetur në Siri, institucionet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse po punohet për riatdhesimin e tyre.

Related posts

Polonia dhe Letonia përballen me fluks migrantësh nga Bjellorusia

Redaksia

Banorët e Sydneyt festojnë fundin e bllokimit pas 107 dite

Z H

Revolucioni i 1911-s i hapi rrugë ndryshimeve të thella

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More