Shkup, 5 shtator – Në Qendrën për Menaxhim me Krizat (QMK) sipas raportit të fundit ka pasur gjithsej 1.708 thirrje në Numrin e vetëm për raste emergjente 112.
“Prej tyre thirrje “reale” ishin 58,02 për qind, ndërsa 41,98 për qind ishin për nevoja tjera të qytetarëve që nuk ishin emergjente. Për policinë ishin 63,42 për qind e thirrjeve, për Ndihmën e shpejtë mjekësore 27,24 për qind, ndërsa për zjarrfikësit 5,06 për qind e thirrje reale në numrin 112″, thuhet në kumtesë.
QMK informon se Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup, mbrëmë në orën 21:46 ka regjistruar një tërmet epiqendra e të cilit i përket zonës epicentrale të Shkupit, me magnitudë lokale të Rihterit prej 2.9 ballë. Tërmeti është ndjerë nga popullata e qytetit të Shkupit dhe më gjerë, me intensitet III-IV ballë sipas shkallës makrosizmike evropiane.
Në 24 orët e fundit, siç kumtoi QMK, janë regjistruar shtatë zjarre në ambient të hapur në territorin e shtetit, me ç’rast janë djegur, mbeturina, deponi, kallamishte, bar i thatë dhe pyll i ulët i degraduar.
Qendra për Menaxhim me Krizat apelon që të pastrohen rregullisht kanalizimet lokale dhe të mos hidhen mbeturina në to, si dhe në shtretërit e lumenjve.