Shkup, 26 mars – Tragjedia e Koçanit mori shumë jetë të rinjve por në anë tjetër nxjerri në pah shumë parregullsi që kanë qenë prezent në mesin tonë. Mes tjerash shtoi përgjegjësinë, vëmendjen, dhe interesimin e institucioneve mbii veprimtarinë e lokaleve të shumta me të cilat edhe jemi të rrethuar. Kjo ka ndikuar që Qeveria të miratojë vendim që gjitha licenat të verifikohen dy herë në vit, në mënyrë që të evitohen gjitha mundësitë e manipulimit, shkruan Zhurnal.
Tragjedia ua hapi sytë insitutcioneve të vendit –
Qeveria miratoi propozimet për ndryshime dhe plotësime të shtatë ligjeve që janë në kompetencë të Ministrisë së Transportit, ndërsa me të cilat do të vendoset detyrim që dy herë në vit të bëhet kontroll i të gjithë poseduesve të licencave.
Duke pasur parasysh ngjarjet e fundit tragjike, siç bëjnë të ditur nga Qeveria, synimi është kryerje e kontrolleve më të shpeshta për të gjithë poseduesit e licencave, lejeve dhe autorizimeve.
“Duke pasur parasysh se jepen shumë licenca, leje apo autorizime nga Ministria e Transportit, këto ndryshime ligjore synojnë të parashikojnë detyrim ligjor për të kryer atë kontroll dy herë në vit për të gjithë poseduesit e licencave të lëshuara sipas Ligjit. Kjo, sigurisht, nuk e përjashton mundësinë e kryerjes së më shumë kontrolleve sesa është paraparë me ligj, me qëllim sigurimin e shërbimeve cilësore dhe sigurisë për qytetarët që janë përdorues të këtyre shërbimeve nga personat e licencuar”, njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë.
Për më tepër, siç bëhet e ditur në kumtesë, ndryshimet ligjore parashikojnë që për kontrollet e ardhshme ankesa të mos e shtyjë ekzekutimin, pra pezullimi do të zbatohet menjëherë.
“Këto aktivitete konfirmojnë përkushtimin e Qeverisë për një përparim të vërtetë dhe konkret, që ka për qëllim përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve. Duke e vënë prioritetin mbi efikasitetin dhe zhvillimin afatgjatë, Qeveria mbetet e përkushtuar dhe do të vazhdojë të informojë publikun për çdo hap të ndërmarrë”, bëhet e ditur në kumtesën e Qeverisë.
Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski paraprakisht informoi se nga mbi 3.100 licencat në fushën e ndërtimtarisë dhe urbanistikës që janë kontrolluar deri më tani, 479 janë konstatuar se nuk funksionojnë në mënyrë të rregullt, prandaj do t’u hiqen subjekteve juridike. Ai ka bërë të ditur se lista do t’u dërgohet institucioneve përkatëse për veprime të mëtutjeshme dhe se me ndryshime ligjore kontrollet e tilla do të jenë të detyrueshme çdo gjashtë muaj dhe jo në baza vullnetare si më parë.
“Qëllimi nuk është ndëshkimi, por kompanitë që kanë rënë dakord vullnetarisht me kushtet që i parashikon ligji për t’i plotësuar ato. Fenomeni është që në momentin e paraqitjes së aplikacionit i plotësojnë kushtet, e pastaj nuk i plotësojnë ato kushte”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.
Llogaridhënia dhe përgjegjësia u dëshmuan në dy rastet e fundit –
Në tragjedinë e Koçanit brenda 24 orëve ka pasur veprime të menjëhershme për ta izoluar fajësinë. Viktimat nuk kthehen më, të lënduarit nuk shërohen më shpejt nëse gjendet fajtorët, por shërohet sistemi i kalbur i llogaridhënies dhe përgjegjësisë. Prandaj, veprimi i menjëhershëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme drejt zbardhjes së plotë të rastit është e mira e kësaj të keqe kolektive.
Përmes zbardhjes sëë rasteve në kohë rekorde, qytetarët ndjehen më të sigurt dhe më të qetë për të jetuar në vend. Kjo mbase është edhe ppërgjegjësia e organeve të sigurisë për të garantuar siguri dhe qetësi, e kjo bëhet duke kërkuar përgjegjësi nga autorë të krimit dhe duke i detyruar të japin llogari për veprimet që bien ndesh me ligjet e këtij shteti.
Rasti tjetër që ka qenë tragjedi në vete ishte vdekja e të riut nga Kumanova në Spitalin e qytetit ku sipas familjes ka ndodhur përshkak të pakujdesisë së mjekut që në infuzion i kanë shtuar analgin ndaj të cilit i ndjeri ka qenë alergjik. Kjo gjë nuk kaloi pa përgjegjësi dhe veprim.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, para mediave në qytetin e Kumanovës tha se pas shkarkimit të drejtorit të Spitalit të Kumanovës si masë tjetër e menjëhershme ka qenë formimi i Komisionit prej pesë mjekëve profesionit të cilët do të analizojnë në detaje dokumentacionet.
Kjo qasje e veprimit në kohë rekorde tregon përgjegjësinë dhe seriozitetin për zbardhjen e rastëve ku të dëmtuar mbesin qytetarët. Kjo praktikë e re e funksionimit ndikon pozitivisht në rikthimin e shpresës se edhe ky shtet mund të bëhet. Se edhe në këtë vend mund të jetohet, por assesi me qasjen kur vriten njerëzit, ndodhin vjedhjet, thyhen makinat, e çka tjetër në fund të ditës me lajmin se hetimet vazhdojnë e ky vazhdim është me afat të pa skaduar.
Kjo gjë nuk i shërbente as institucioneve të vendit e aq më pak qytetarëve të maltretuar dhe keqtrajtuar nga ky sistem i pistë që minonte dëshirën, vullnetin por edhe mundësinë për të parë perspektivë pozitive brenda vendit. Prandaj, tani kur shihet veprime që rikthejnë shpresën e të jetuarit në vend qytetarët do të mendohet më shumë se njëherë në mundësinë e parë që do ta kenë për ta lëshuar vendin.
Kujtojmë që, siguria është njëri nga kushtet themelore që duhet plotësuar për të garantuar një mirëqenie të mirë sociale. E për këtë pjesë ekzistojnë edhe organet e sigurisë që me kompetencat e tyre duhet ta garantojnë një gjë të tillë. Por, në Maqedoninë e Veriut ngjanë sikurse këto organe janë në gjumë e pasive në funksionim. Pasi ndodhin raste të shumta por përfundojnë pa zbardhje dhe pa asnjë epilog dhe kjo krijon ndjenjën e pasigurisë dhe frikës te qytetarët. /Zhurnal.mk