Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë prezantimit të kandidatëve të PS-së për qarkun e Gjirokastrës, u ndal te rëndësia që kanë zgjedhjet e 11 majit në procesin e integrimit europian.
“Duke qenë i bindur se deri në 11 maj mundësitë për të folur për të gjitha gjërat që janë bërë dhe çfarë do të bëjmë do të jenë të shumta sot do të përqendrohem vetëm te një temë që është kryefjala. Pse të gjithë së bashku ne si socialistë progresistë dhe shqiptarë duhet ta konsiderojmë 11 majin si moment historik”, tha Rama.
Sipas tij, “zgjedhjet e 11 majit janë një shans për të marrë pjesë në bërjen e historisë”.
“Në të gjitha këto vite kemi bërë 9 palë zgjedhje me mua si kryetar i partisë në qeveri dhe i kemi fituar të tëra. Kemi bërë zgjedhje ku kemi folur dhe marrë zotime dhe kemi bërë bilance dhe besoj që kemi qoftë një bilanc shumë pozitiv por edhe të gjitha arsyet për të qenë të pakënaqur me gjëra të cilat duhet të bëhhen më mirë dhe për të qenë ambicioz për gjëra që duhen bërë më tutje”, tha Kryeministri.
Kryeministri theksoi se BE është në një moment kur përballet me një botë të trazuar, me një luftë në kufijtë e vetë, qasja ndaj së cilës ka ndryshuar në mënyrë dramatike për shkak të një qasje të re të SHBA-së.
“Me sfida të tjera që janë shumë të mëdha për ne dhe nuk kanë lidhje me ne, BE ndër të tjera kërkon që në këtë moment t’i japi të gjithë botës një mesazh që BE po zgjerohet, po rritet me anëtarë të tjerë dhe po synon të kthehet në një forcë e unifikimit të gjithë Europës”, tha Rama.
Duke shpjeguar kontekstin gjeopolitik në të cilin po zhvillohen zgjedhjet e 11 majit, Rama tha se “ne nuk mundet dot ta humbasim këtë shans.
“Ka ndodhur në të shkuarën dhe nuk ka pse të mos ndodhi prapë që këto dyer që hapen mbyllen. Njerëzit duhet të informohen se mund të ishte një mandat i katërt, i pestë dhe i gjashtë dhe kjo mundësi mund të mos ishte aty”, tha Rama.
Kryeministri veçoi shpejtësinë me të cilin ka ecur procesi i çeljes së negociatave, ndërsa shtoi se Shqipëria ka lënë pas Serbinë dhe Malin e Zi të cilat e kanë nisur këtë proces shumë më herët.
“Ne kemi filluar negociatat vjet. Mali i Zi që ende nuk ka hyrë në BE kur ne morëm detyrën ishte shumë para nesh. Ne ishim brima e fundit e kavallit as na shikoni në sy kur flisnim. Mali i Zi i ka filluar negociatat në 2012 dhe ata nuk janë në BE. Serbia i ka filluar në 2014 dhe sot i kemi lënë pas. Maqedonia e Veriut ka ndërruar dhe emër nga nga vitit 2005 dhe deri më sot akoma nuk i ka hapur negociatat”, shtoi Rama.