Agjencia Zhurnal.mk

Rama: BE të mos e përjashtojë Ballkanin Perëndimor nga qasja në pajisjet mjekësore

Kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Europian nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë, ta përjashtojë Ballkanin Perëndimor nga aksesi tregtar i materialeve e të pajisjeve mjekësore, në këtë situatë të sëmundjes së coronavirusit.

Në një mesazh për situatën e koronavirusit, Rama tha se do të ketë një bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Evropian.

“Padiskutim që arsyeja tjetër e bisedës me Presidenten, është e domosdoshmëria jetike e rajonit tonë që në përballimin e luftës me Coronavirusin, Bashkimi Evropian të mos e përjashtojë Ballkanin Perëndimor, pra edhe Shqipërinë si vend i këtij rajoni, nga perimetri i eksporteve të materialeve e të pajisjeve mjekësore. Në përpjekjen e duhur dhe legjitime, për të unifikuar proceset e brendshme të tregtisë së mallrave që lidhen me shëndetësinë, duke kërkuar të adresojë atë që përmenda më lart, segmentimin e vendimmarrjeve të vendeve anëtare për eksportin e maskave, respiratorëve, etj., Bashkimi Evropian nuk mund dhe nuk duhet në asnjë mënyrë, ta përjashtojë Ballkanin Perëndimor nga aksesi tregtar në këto mallra kaq esenciale për shëndetin e popujve tanë. Pas bisedës dhe në rast se do të nevojitet, ne si qeveri e Shqipërisë kemi përgatitur një nisëm rajonale, për adresimin e njëzëshëm të kësaj nevoje në drejtim të Bashkimit Evropian”, tha Rama.

Më tej, ai theksoi se ende nuk dihet sa do të zgjasë kjo ‘luftë”, ndaj edhe i kërkoi shqiptarëve durim.

“Ndjesë që do të bëhem shumë i bezdisshëm në këtë luftë fati i së cilës varet nga forca e nervave dhe ku durimi, kjo cilësi jo e spikatur e jona si popull, do të testohet rëndë ditë pas dite, por ju lutem bëni durim. Nuk do ta kemi të lehtë. Nuk do të zgjasë një javë. As dy. As tre. Duhet të mësohemi me faktin se askush nuk e di sa do të zgjasë. Por nëse ka një gjë që e dinë të gjithë me siguri absolute është se sa më shumë të durojmë sot, aq më pak të dhimbshëm do ta kemi bilancin e kësaj lufte të poshtër dhe aq më pak të vështirë do ta kemi ringritjen ekonomike pas luftës. Bëni durim dhe kini besim, sa më të vetëdijshëm të jemi për dobinë e kësaj vuajtjeje kolektive, familjare, individuale, aq më të pranueshme do ta kemi pas saj, rrugën e lehtësimit; si individë, si familje, si popull dhe si vend. Unë kam shumë besim dhe durimin ju e dini, e kam shumë të stërvitur, prandaj kini besim dhe kur humbni durimin merruni me mua. Kështu stërvisim dhe forcojmë njëri-tjetrin’, tha ndër të tjera, Rama.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...