Pas arritjes historike të Kombëtares së Shqipërisë, që për herë të parë siguroi pjesëmarrjen në “play off” të kualifikimeve për Botërorin 2026, kanë ardhur reagime nga liderët politikë, të cilët kanë shprehur krenarinë dhe urimet e tyre për kuqezinjtë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Facebook e ka përshkruar këtë moment si një ngjarje historike për sportin shqiptar.
“HISTORIKE! Ec atyyyy shqipeeeee. FOOORCAAA SHQIPËRIAAAAA. Krenarë për kuqezinjtë”, ka shkruar Rama.
Ekipin kombëtar për arritjen historike e ka uruar edhe presidenti i Republikes së Shqipërisë, Bajram Begaj. “Urime dhe suksese për Kombëtaren!”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar me entuziazëm, duke e vlerësuar suksesin si një hap të madh për ëndrrën e Shqipërisë për të marrë pjesë në Botëror. “Shqipëria kalon, ëndrra për Botërorin 2026 vazhdon. Përgëzime lojtarëve dhe urime gjithë shqiptarëve!”, ka shkruar Kurti.
