Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste nënvizoi sot domosdoshmërinë që në 11 maj të krijohet një bllok kompakt përtej të majtë dhe të djathtës dhe përtej ndasive partiake për të kompaktuar mesazhin për Bashkimin Europian në mbështetje të fuqishme për negociatat.
Në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, Rama kërkoi që në 11 maj të votohet përtej tifozllëkut dhe rendjes pas fanellave të partisë.
“Është një domosdoshmëri dhe duhet ta krijojmë këtë vetëdije të gjithë së bashku. PS është vendi për të hedhur votën jo për t’ u bërë të gjithë socialistë, por për të kompaktuar mesazhin për BE-në, për të mbështetur fuqishëm negociatat. Po ashtu për të krijuar kushtet që edhe në 12 maj kur të numërojmë votat ata 1 mijë vajza dhe djem që punojnë çdo ditë të vazhdojnë të punojnë pa asnjë lloj lëkundje që vjen nga impakti i votës”, shtoi Rama.
Rama theksoi se “PS sot gjendet në vendin dhe kohën e e duhur si pika e referimit, njëlloj siç ishte PD në vitet 1991-’92 kur një shumicë dërrmuese e papërsëritur ndonjëherë ia dha votën për të konfirmuar një pozicion të ri të Shqipërisë dhe një ndarje përfundimtare nga e shkuara”.
“E njëjta gjë në një dimension tjetër duhet të ndodhi në 11 maj ku duhet masivisht me votën te kutia numër 5 të konfirmohet ndarja përfundimtare me historinë e të qenit të lënë pas dore, prapa dere dhe si popull i dorës së dytë në këtë kontinent ku Skënderbeu u vendos si një barrikadë ndaj lindjes”, shtoi Rama.
Sipas tij, instikti politik i popullit shqiptar ka qenë në vijimësi drejt perëndimit.
Rama tha se “sot kjo është një domosdoshmëri jetike për popullin dhe kombin tonë, për të konfirmuar dhe garantuar lirinë individuale dhe barazinë para ligjit”.

