Getting your Trinity Audio player ready...
|
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka hyrë në një epokë të re sa i përket zhvillimit industrial dhe prodhimit ushtarak, falë partneriteteve strategjike dhe bashkëpunimit me aleatë me dije të avancuara.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, Rama theksoi se qeveria shqiptare ndodhet në një fazë të re të orientuar drejt ngritjes së industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë së prodhimit.
“Jemi në një moment të rëndësishëm, ku po ndërtojmë një partneritet me një aleat të shkëlqyer, i cili ka dije të jashtëzakonshme dhe kapacitete teknologjike shumë të pasura. Ky bashkëpunim synon të nisë me prodhimin e automjeteve që do t’i shërbejnë qëllimeve tona të përbashkëta, dhe më pas të zgjerohet sa më shumë që të jetë e mundur”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se ky zhvillim përfaqëson një hap të madh përpara për industrinë shqiptare dhe një moment krenarie për vendin.
Duke iu referuar qëndrimeve të autoriteteve britanike ndaj emigrantëve shqiptarë, Rama tha se është e rëndësishme të jemi të drejtë në vlerësimet tona dhe se, ndonëse në të kaluarën ka pasur qëndrime të caktuara nga individë të veçantë, asnjë kryeministër britanik nuk ka ofenduar popullin shqiptar.
“Duhet të jemi të drejtë. Nuk është se ka qenë ndonjë kryeministër britanik që ka ofenduar apo ka treguar me gisht shqiptarët. Individ të tjerë, disa individ të tjerë. Megjithatë ky nuk është justifikim, sepse ishin zgjedhur nga populli britanik me votë dhe në fakt mallkimi nuk ishte shumë i mirë, sepse mallkimi iu kthye dhe tashmë janë jashtë parlamentit. Nuk ka nevojë për më shumë se kaq”, deklaroi Rama.