Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

Rama: Lufta kundër korrupsionit, ka nisur me reformën në drejtësi

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “lufta kundër korrupsionit në Shqipëri për të ndërtuar sisteme që ta përballojnë atë, ka nisur kur ka nisur reforma në drejtësi”.

Kryeministri Rama mori pjesë në prezantimin e rezultateve kuptimplota të raportit të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) për Shqipërinë, ku sipas tij, “faktet flasin qartë për ndryshimin e vazhdueshëm që po vijon në lehtësimin e vendit e të qytetarëve nga barra e rëndë e trashëguar e korrupsionit, që po luftohet me reforma e korrigjime sistemike në çdo sektor”.

Rama tha se “deri para nisjes së reformës në drejtësi, lufta kundër korrupsionit ka qenë një luftë partizane me mullinjtë e erës dhe e destinuar thjesht të riciklojë në forma dhe mënyra të ndryshme korrupsionin”.

“Sot këtu flasim për korrupsionin bazuar në fakte dhe në fakte të nxjerra në pah në mënyrë krejt të pavarur nga një organizatë e mirënjohur për integritetin dhe aftësitë, në identifikimin e problematikës së korrupsionit në të gjitha shtetet dhe në vlerësimin e situatës. Në çdo shtet pa diskutim që lufta kundër korrupsionit është në thelb një luftë për modernizimin e shtetit”, tha Rama.

Ai tha se vendet e zhvilluara nuk janë imune ndaj korrupsionit.

“Lufta ndaj korrupsionit është në thelb luftë për modernizimin e shtetit. Është alternativa e shtetit kur ai mungon në shërbim ndaj qytetarëve, kur është i padisponueshëm për të dhënë atë që secilit i takon. Dhe kur shteti është i pafuqishëm për të vendosur interesin publik mbi interesa të ndryshme private. Dallimi i vendeve të zhvilluara nga ato në zhvillim, në aspektin e korrupsionit nuk është një dallim mes popujve. Vendet e zhvilluara nuk janë imune ndaj korrupsionit, por kanë sisteme që e bëjnë tejet të vështirë korrupsionin, e këto janë prova që nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por sistemet që korruptojnë njerëzit. Kjo është një luftë për të krijuar sisteme imune ndaj korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri për të krijuar sisteme që ta përballojnë atë luftë, ka nisur me reformën në drejtësi”.

Ai theksoi se fillimi i reformës në drejtësi dhe vazhdimi i saj janë baza për të pasur nesër një shtet modern, funksional me institucione që janë më të forta se sa tundimi i korrupsionit apo përpjekjet e individëve për të korruptuar shtetin dhe proceset.

“Reforma në drejtësi është hap kyç në drejtësinë tonë, është reformë historike dhe garanci për të ardhmen e fëmijëve tanë që pikërisht nga këtu fillon puna për një shtet me sistem të drejtësisë imun”, tha ai.

Rama theksoi se një nga avantazhet e reformave në sistemin e drejtësisë është se sot flitet për korrupsionin me fakte, ndërkohë që deklaroi se gjyqtarët e prokurorët e korruptuar janë fajtorët kryesor për përhapjen e këtij fenomeni në Shqipëri.

Sipas tij, nëse gjykatësit dhe prokurorët nuk do të dënohen, nuk mund të kemi iluzione që kjo do të ndodhë në shkallë më të larta të pushtetit. Ai tha se reforma në drejtësi po bën ‘kërdinë e duhur’ dhe sistemi i ri i drejtësisë në vend varet nga suksesi i kësaj reforme.

Rama theksoi se “kjo është premisa që e bën SPAK-un institucionin që kemi shpresuar të gjithë se do të ishte. Përndryshe do të kthehet në zhgënjimin më të madh për të gjithë dhe dështimin më të madh.”

Ai u ndal edhe te ndryshimet që kanë ndodhur në fushën e punësimit për shkak të reformave kundër korrupsionit, duke theksuar se si mësuesit, ashtu edhe infermierët hyjnë në punë përmes portalit, apo se si edhe për studentët nepotizmi është shuar që nga krijimi i sistemeve të reja të pranimit në universitete.

Kryeministri deklaroi se rekrutimi për punën në administratë apo programet e veçanta për punësimin e të rinjve ekselentë janë përgjigjja e duhur për ata që akuzojnë për ‘propagandë’.

Hapi më i ri në luftën kundër korrupsionit, sipas tij, është revolucioni i digjitalizimit të shërbimeve publike, që deri tani ofrohen online deri në masën 95%. Ai theksoi se gjatë karantinës ishte meritë e digjitalizimit që vazhduan të ofroheshin shërbimet për qytetarët pa rrezikuar infektimin e tyre nëpër radhë të gjata burokratike.

Rruga përpara, theksoi Kryeministri është modernizimi dhe modernizimi vjen përmes digjitalizimit, ndërsa korrupsioni mbetet një sinonim i prapambetjes.

Postime të ngjashme

Pse e skualifikuan? Mjeku Kosova: Tritani më mban inat për tenderin “që nuk mbylla sytë”. Ruli për vjedhjen e njeriut të tij

T E

Qëllohet me armë zjarri drejt një makine në Tiranë

T E

Kryemadhi paralajmëron Ramën: Durim! Nesër të shpjegoj fabrikën e parave

S.B.

Ursula von der Leyen: E ardhmja e Shqipërisë është Europa! Duhet të fillojnë negociatat

S.B.

Reforma në Drejtësi/ Presidenca paralajmëron Ramën: Mos e provoko popullin e 2 marsit!

S.B.

“Koha i thërret shqiptarët për t’u bashkuar në një Besëlidhje të re”, Meta mesazh në 577-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës

S.B.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...